Protokolli i sigurisë, kushtet që duhet të plotësojnë bizneset
Kodi jeshil, i verdhë dhe i kuq, bizneset ndahen sipas tri kategorive të riskut për COVID- 19 Lista dhe rregullat që duhet të zbatojë secili
Një urdhër i Minis trisë së Shëndetësisë ka kategorizuar bizneset, sipas niveleve të riskut të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID19, në kategori me risk të ulët ( kodi jeshil), me risk të mesëm ( kodi i verdhë) dhe me risk të lartë ( kodi i kuq). Për secilën nga këto kategori janë miratuar protokollet e posaçme për plotësimin e masave higjieno- sanitare, distancimit fizik dhe masave specifike, për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID- 19. Pjesa më e madhe e bizneseve bëjnë pjesë në kategorinë e bizneseve që duhet të zbatojnë protokollin jeshil, si p. sh. bujqësia, ambalazhimi, prodhimi i produkteve të ndryshme, riparimi i pajisjeve, ndërtimi, montimi, tregtia e automjeteve, tregtia me shumicë e produkteve të ndryshme, tregtia me pakicë në dyqane të specializuara dhe jo të specializuara, tregtia e lulele, aktiviteti i taksive dhe transporte të tjera rrugore të pasagjerëve, aktivitete të shërbimit të pijeve ( bar, kafe dhe lokal), aktivitete të telekomunikacioneve, ndërmjetësime të tjera financiare, agjenci publiciteti. Në kategorinë e bizneseve që duhet të zbatojnë protokollin e verdhë përfshihen prodhimi i tapeteve, qymyrit, gizës, bakrit, tregtia me pakicë në tenda, transporti rrugor i pasagjerëve në sistemin urban, hotelet, akomodime për pushime, aktiviteti i bankës qendrore, aktivitete të operatorëve turistikë, spitalet, dentistët, palestrat, qendrat tregtare. Në protokollin e kuq përfshihen prodhimi dhe përpunimi i mishit, peshkut, patateve, frutave e perimeve, drithërave, akullores, sheqerit, ushqimeve të përgatitura, fasonit për veshje dhe këpucë, aktivitete të qendrave telefonike ( call center), arsimi, dhe funksionimi i aktiviteteve sportive, që do të jenë pa publik.
RREGULLAT
Çdo subjekt duhet të respektojë masat e rekomanduara nga ISHP- ja nëpërmjet një plani individual veprimi, duke respektuar çdo element për kufizimin e transmetimit të COVID- 19 te punonjësit, brenda ambienteve të biznesit. Sipas protokollit punëdhënësi është përgjegjës për sigurimin e vazhdueshëm të elementeve të higjienës, ku përfshihen: sapun i duarve, dezinfektantët me bazë alkooli që kanë të paktën 60% alkool, letër të pastrimit të duarve ose peshqir me një përdorim, letra dhe dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve dhe sigurimi i koshave të mbyllur për eliminimin e mbetjeve. Punëdhënësi është përgjegjës për sigurimin e vazhdueshëm të mjeteve të mbrojtjes personale, si: maska dhe doreza ( maskat mund të jenë dhe prej cope dhe të ndërrohen çdo ditë). Punëdhënësit duhet të sigurojnë përdorimin e maskave dhe të dorezave, si barrierë fizike për minimizimin e transmetimit të infeksionit COVID- 19. Punëdhënësi duhet të vendosë postera që inkurajojnë higjienën e duarve për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes në hyrje të vendit të punës dhe në zona të tjera të vendit të punës ku janë të dukshme. Punonjësit duhet të respektojnë masat e distancimit social, të cilat do të kryhen sipas një plani të vetë bizneseve dhe të theksohet nëse kapaciteti i punëtorëve kalon për sipërfaqe në m2, duke respektuar distancën 2 m, bizneset të punojnë në dy turne sipas orarit të lejuar. Bizneset duhet të praktikojnë pastrimin e vazhdueshëm të sipërfaqeve dhe elementeve të tjera të vendit të punës, si p. sh., si: stacionet e punës, tastierat, telefonat, parmakët dhe dorezat. Është e nevojshme që produktet dezinfektantë të kenë përqindjen, metodën e aplikimit dhe kohën e kontaktit të saktë, si dhe përdorimi i tyre duhet bërë duke përdorur mjetet e mbrojtjes personale. Mbështetur në udhëzuesin e MSHMS- së për pastrimin e mjedisit në objektet ( jo të kujdesit shëndetësor) të ekspozuar ndaj COVID- 19). ISHSH- ja duhet të kryejë inspektimin sistematik për vlerësimin e zbatimit të masave përkundrejt penaliteteve në fuqi.