"E- Albania", në prill 2.82 milionë aplikime për leje për dalje
Të
paktën 2.82 milionë leje për dalje janë marrë nga qytetarët në "e- Albania" gjatë muajit prill, kur lehtësitë ishin ende të vogla dhe qarkullimi ishte maksimalisht i kufizuar. Fillimisht leja për dalje ishte 60- minutëshe dhe vetëm për këmbësorët. Më pas, kjo lejë u bë 90 minuta. Statistikat e portalit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset tregojnë për një numër rekord vizitash mbi 15.2 milionë të tilla në muajin e katërt të këtij viti. Po kështu, duke qenë se sigurimi i dokumenteve dhe lejeve specifike mund të bëhej vetëm "online" të dhënat tregojnë se pati mbi 141 mijë përdorues të rinj të regjistruar në faqe. Në ndarjen e përdorimit të aplikacionit nga kompjuteri apo telefoni mbizotëron e para teksa nga telefoni janë mbi 469 mijë përdorues. Shërbime elektronike janë marrë në masën 5.2 milionë herë. Muaji prill, edhe pse ka qenë një muaj karantine dhe me lëvizje të kufizuara duket se nuk ka lënë kaq inaktiv sektorin e ndërtimit. Të dhënat e portalit tregojnë se vetëm gjatë këtij muaji janë bërë 956 aplikime për leje ndërtimi. Por cilat janë 10 shërbimet më të përdorura të muajit në portal? Në vend të parë sikurse përmendëm më sipër ishte aplikimi për leje dalje me 2.82 milionë aplikime. Në vendin e dytë është vërtetimi për pagesën e kontributeve për individin. Situata e bizneseve ndryshoi drastikisht në mars dhe prill dhe një pjesë e punonjësve janë lënë duke punuar nga shtëpia kur ishte mundësia, të tjerë janë pezulluar e një grup tjetër edhe larguar përfundimisht nga listëpagesat. Duket se vërtetimet për pagesën e kontributeve lidhen pikërisht me këtë aspekt.