Referendum? Balla: Nuk u depozitua asnjë kërkesë. Në demokraci qeveriset me përfaqësim
Kreu
i grupit parlamen tar të PS- së, Taulant Balla, deklaroi dje se qytetarët shqiptarë do kenë një teatër të ri, siç e meriton Tirana e vitit 2020, teksa shigjetoi kreun e PD- së, Basha dhe kryetaren e LSI- së, Monika Kryemadhi se nuk e kanë hallin te teatri. Sa për zhvillimin e një referendumi para prishjes së Teatrit Kombëtar, Balla tha se nuk është depozituar kurrë një kërkesë e tillë. Ai shtoi po ashtu se në demokraci populli zgjedh të qeveriset me përfaqësues. "Në demokraci populli qeveriset me përfaqësim, më 30 qershor është mandatuar këshilli bashkiak, në 2017- ën u votua për këtë qeveri për të drejtuar vendin. Nëse do të kishte pasur kërkesë për referendum, duhej të depozitohej dhe të zbatonte kriteret… Shqiptarët e dinë se Luli dhe Monika nuk e kanë hallin te teatri, do kishin fjetur në teatër ata, por nuk e kanë aty hallin. Demokracia është një nga gjetjet më të mira që ka gjetur njerëzimi. Në demokraci vendos shumica dhe pakica duhet të dëgjojë. Ne festojmë 100vjetorin e Tiranës. Tirana çdo ditë po ndryshon dhe po stoliset më ndërtime që i bëjnë nder", - tha z. Balla. Ai rrëfeu një ngjarje që i ka ndodhur te Teatri Kombëtar bashkë me djalin e tij. Balla tha se ka pasur fatin ta vizitojë me djalin, por pas Teatrit, dolën me grip dhe temperaturë për shkak të kushteve. Po ashtu, ai bëri të ditur se godina nuk mund të restaurohej, pasi ishte godinë tallash. "Nuk i shërbente askujt. Kam pasur fatin të shkoj me djalin në atë teatër dhe mbrapa dolëm me temperaturë e grip. Ajo ishte një godinë tallashi. Lidershipi rrugëhumbur i PDsë është rrokullisur dhe përhumbur që shfrytëzon edhe 3 artistë brenda partisë së vet, që vendos në krye të një protestë pa kokë", - tha Balla.