OBSH: Kategoritë e pacientëve që duhet të përdorin antibiotikë pasi kanë kaluar COVID- 19
"Kujdes, mos u vetëmjekoni, konsultoni me specialistët"
Organizata
Botërore e Shëndetit ka bërë me dije se antibiotikët nuk i trajtojnë dhe as i parandalojnë viruset, përfshirë edhe atë që shkakton COVID- 19. OBSH ka bërë me dije se në Shqipëri mund të përdoren për trajtimin e infeksioneve bakteriale dytësore në pacientët e infektuar me COVID- 19. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Organizata Botërore e Shëndetit shpjegon pse mund t'iu jepen antibiotikë të prekurve me koronavirus, por thekson se në asnjë mënyrë nuk duhet të merren pa rekomandim të mjekut. "Në pacientët me COVID- 19 mund të zhvillohen infeksione bakteriale dytësore, të cilat mund të trajtohen me antibiotikë. Është e rëndësishme që askush të mos mjekohet vetë me antibiotikë! Antibiotikët nuk e trajtojnë dhe as e parandalojnë COVID- 19. Prandaj, ndiqni këshillat e mjekëve dhe merrni antibiotikë vetëm nëse do t'ju përshkruhen", - theksoi OBSH.
DIAGNOSTIKIMI I SAKTË
OBSH- ja më tej ka nënvizuar se nevojitet një diagnostikim i saktë për të bërë dallimin mes infeksioneve. "Diagnostikimi i saktë është jetik dhe ndihmon në dallimin ndërmjet infeksioneve virale ( të shkaktuar nga një virus, siç është virusi COVID- 19) nga infeksionet bakteriale. Punonjësit e shëndetësisë mund të vendosin për ecurinë më të mirë të trajtimit për një pacient dhe ka më pak të ngjarë që të përshkruajnë antibiotikë në mënyrë të panevojshme. Higjiena e duarve është e rëndësishme në çdo kohë. Garantoni siguri nëpërmjet larjes rregullisht të duarve me sapun dhe me ujë. Kollituni apo teshtini në këndin e bërrylit të përthyer apo në një kartëpecetë njëpërdorimshme, e cila duhet të flaket në një kosh të mbyllur", - bën me dije Organizata Botërore e Shëndetësisë.