Branko Merxhani e meriton të quhet ati i përndritjes shqiptare
tohet as ndonjë ide shoqërore, dhe pa iderë, as ndonjë jetë kolektive, as ndonjë përpjekje reformonjëse, as ndonjë shtet".
Ndaj, lipset të përtërihemi, të reformojmë dhe moralizojmë qenien tonë të brendshme - shpirtin tonë. Ndaj na duhet moral, edukatë! Kur një njeri rron brenda në ëndrrën e ideologjisë së tij, kur ai beson në dinamizmën mrekulluese të ideve të brendësuara shoqërore, atëherë zemra e tij bie në një pikëpjekje shpirtërore me mbretërinë e intelektit dhe arrin ta kuptojë thellë kuptimin reformonjës dhe kryengritës që përmbajnë brenda tyre këto dy fjalë të shkurtra. Ja, për të gjitha këto shkaqe, çështja e arsimit përbën gurin filozofal të së gjithë dinamizmës rilindëse të një brezi a të brezave që vijnë. "Ndaj, kam bindjen e thellë - shkruante ideologu - se që të shpërndahen retë e zeza që mbulojnë horizontin tonë, Shqipëria duhet të transformohet anembanë në një fabrikë pedagogjike, në mënyrë që të rregullojmë aktivitetin tonë modern dhe të përgatisim kryengritjen e jetës nëpërmjet krijimit të një brezi të armatosur mirë për të ardhmen". Pse vallë, a e kemi ndërtuar ende dhe sot këtë lloj "fabrike pedagogjike", që pat projektuar dikur Branko Merxhani?
Gjithsesi, e gjitha kjo nuk mjafton - thekson ai diku gjetkë. "Të mësuarit nuk është të edukuar. Sepse vetëm atëherë kur të arrijmë të formojmë edukatën e brendshme dhe dispozitat shpirtërore dhe ideologjike të një brezi, vetëm atëherë mund të arrijmë të nxjerrim ndoshta një ditë një farë qytetërimi. Por, s'do të arrijmë kurrë një ' kulturë", pasi diçka e tillë lyp një individualizëm ideologjik të goditur dhe një dozë të qëndrueshme moraliteti". ' Vetëm vlera shoqërore e njeriut i jep atij një ' kulturë', - thotë Kanti. ( A kemi vallë në gjirin e jetës intelektuale, njerëz që mund të quhen vërtet ' njerëz të kulturës' nën prizmin e vlerësimit të kulturës nga kritere të tilla? Apo mos ndoshta një ' kulturë' e tillë sot duhet të kthehet në një ideal udhërrëfyes?)
Ndjenja kolektive! Njeriuqytetar! Jeta intelektuale që influencon shoqërinë! Ja sfidat, që si të trashëguara, na kanë ndjekur vazhdimisht pas e që sot na shfaqen me gjithë qelibarësinë e domosdoshmërisë dhe jetikën e dhimbshme të aktualitetit të tyre. Për kë bien, atëherë, kambanat e mendimtarit tonë? Për jetën politike, që ende s'po arrin të udhëhiqet nga këto parime të nxjerra nga dija filozofiko- sociologjike apo s'po ndihet ende e ndriçuar nga drita e një jete të tillë intelektuale që pohon: Le të jetë në fuqi cilado qeveri që të dojë, mjafton të jetë në duart e idealistëve dhe të njerëzve të ditur e me ndërgjegje!
Gjithsesi, fatet dhe e ardhmja e një populli varet vetëm pjesërisht prej politikanëve dhe diplomatëve të tij. Më tepër rëndësi ka jeta dhe lëvizja e tij e përgjithshme shoqërore. "Jemi më parë të shtetit dhe pastaj të vetvetes, - u drejtohej Merxhani bashkëkombësve të vet. Vetëm gjysma e ditës është e jona, gjysma tjetër i përket shtetit. Andaj vendin e njeriut të thjeshtë duhet ta marrë bashkatdhetari, që ndjen se rron gjallërisht brenda dhe për jetën shoqërore të Shqipërisë". ( A mos vallë e kemi ende edhe sot një bashkatdhetar të tillë, në kuptimin modern të fjalës, pra një njeri shoqëror që shpenzon një pjesë të ditës së vet duke punuar për të tjerët dhe bashkë me të tjerët?)
Shpirti i punës dhe shpirti i bashkëpunimit! Ja cila është me dy fjalë i gjithë programi i organizimit moral të shoqërisë shqiptare. Emocioni i punës dhe ai i bashkëpunimit duhet të bëhen fuqia kryesore vepruese e kohës së sotme. Duhet të luftohen pasionet egoiste apo tendencat individualiste, në mënyrë që të përhapet dhe zhvillohet një kuptim i ri i punës". A e ka fituar vallë individi i shoqërisë sonë një kuptim a një shpirt të tillë? Kam frikë se këto kambana duhet të buçasin fort në mendjen dhe zemrën e çdo pjesëtari të jetës shqiptare. Megjithatë, vetëm politika dhe individi e kanë të pamundur t'i kryejnë funksionet e tyre shoqërore pa një dritë, pa një busull. "Që të mund të gjejmë udhën e përshtatshme drejt një jete shoqërore kombëtare, me një vlerë njerëzore dhe një kuptim historik është e nevojshme të kemi një filozofi të gjallë e reflektive. Aq më tepër që filozofia s'ka vetëm qëllim teorik, por edhe një rëndësi praktike. Ajo është faktori kryesor i ndryshimit dhe përparimit në çdo fushë të aktivitetit intelektual të shoqërisë njerëzore. Idetë filozofike sundojnë tërë jetën. Ndaj, që të marrim një qëndrim të zgjuar kundrejt problemeve të mëdha shoqërore të jetës sonë kombëtare, duhet të kemi marrë pikësëpari një edukatë të shëndoshë filozofike". Ja se si shkruante Merxhani në përshëndetjen e numrit të parë të "Përpjekjes shqiptare", një revistë filozofiko- shoqërore, që ai e mendonte jo si një gazetë të thjeshtë, por si një "libër të vogël e të përmuajshëm", i vendosur në bindjen e tij të thellë se një nga shkaqet më kryesore të pazotësive dhe të trazimeve tona ishte mungesa e një kulture mendore dhe eksperience shkencore. Po sot, a e kemi vallë një revistë të tillë që të shërbejë si pikënisje a si bazë mbështetëse? Aq më tepër që parimet filozofike, pasi të shtrohen mirë e mirë, lipset të mishërohen e gjallërohen nga ana e intelektualëve për t'u përdorur më pas në sistemimin e materialit kaotik që na jep realiteti shqiptar. Aq më tepër që për të formuar një "kulturë" ose për të pasur sa më shumë "njerëz të kulturës", që do të formonin më pas edhe ideologjinë e një jete të organizuar intelektuale, nuk mjafton vetëm intelekti, talenti apo logjika; duhet mjaft përshtatshmëri mendore, duhet përgatitje dhe mendim sistematik, që do të thotë fitim i një zotësie të vazhdueshme mendore; duhet së fundi edhe jetë sistematike. E jetë sistematike do të thotë jetë e rregullt, e pastër, e thellë, që nuk harxhon kot as kohën, as fuqinë e as talentin, por përpiqet me vullnet dhe dashuri të bëhet një element i dobishëm jo vetëm për veten e vet, por edhe për të tjerët rreth e rrotull. Po jeta jonë intelektuale sot, a e ka vallë këtë përshtatshmëri, këtë mendim sistematik, e më tej, a e bën vallë këtë jetë të quajtur aq bukur, sistematike?
Sepse, tekefundit, shkenca nuk është për shkencën, por është për jetën. Dhe e vetmja jetë që ekziston në të vërtetë, të paktën nga pikëpamja e gjurmimit sociologjik, është vetëm jeta shoqërore. E në kohën që rrojmë, për të formuar dhe për të rregulluar një jetë shoqërore nuk mjafton vetëm inteligjenca, as dhe vetëm