Meta nuk shkarkohet, raporti: Shkeljet e presidentit nuk janë të rënda
PS- ja propozon miratimin e një ligji organik për kreun e shtetit
Partia Socialiste zyrta rizoi dje tërheqjen nga shkarkimi i Presidentit Ilir Meta. Me 6 vota pro, komisioni hetimor miratoi raportin që do i shkojë Kuvendit, ku përjashtohet shkarkimi i kreut të shtetit. Komisioni kaloi në Kuvend raportin përfundimtar, duke u tërhequr përfundimisht nga nisma për largimin nga detyra të kreut të shtetit. “Për shkeljet e kryera nga Presidenti i Republikës, në formën e veprimeve apo mosveprimeve në tërësinë e tyre, nuk konsiderohen të mjaftueshme për të justifikuar propozimin për seancën plenare për shkarkimin e Presidentit të Republikës”. Me këtë konkluzion komisioni hetimor parlamentar miratoi gjatë mbledhjes së djeshme me 6 vota pro raportin final që do t’i paraqitet Kuvendit për votim. “Me 6 vota pro, me rezervën që kolegu Fino shprehu, asnjë kundër, asnjë abstenim, miratohet raporti përfundimtar i komisionit hetimor të Kuvendit”, tha Ulsi Manja. Komisioni përfshiu në raport edhe disa përfundime të tjera, duke propozuar miratimin edhe të një ligji organik për presidentin.
DEBATET
Miratimi i raportit solli pakënaqësi edhe vetë brenda kampit socialist. Deputeti Bashkim Fino e cilësoi atë si një hap pas për mazhorancën, ndërsa kërkoi reflektim. “Ju më thoni se duhet bërë një ligj organik për presidentin. Jo për presidentin emër mbiemër, por institucionin. Presidenti na tha grup kriminal. Sot nuk mund të përgjigjemi si grup kriminal i marrë peng nga presidenti. Prandaj ju ftoj që të reflektojmë përpara se çështja të votohet në seancë. Ne kemi dy opsione ose pro, ose kundër, por jo rezoluta. Me gjithë këto që janë bërë këtu, besoj që njollosim veten tonë”, theksoi Fino. Por, deputeti Alket Hyseni e justifikoi vendimmarrjen e komisionit duke theksuar se kjo është një “tërheqje veshi” e fortë për presidentin. “Ka edhe qëndrimin politik të mazhorancës, e cila nuk bën kompromis me këdo që shkel Kushtetutën, por nuk mund të shkelë Kushtetutën për të penalizuar shkelësit e Kushtetutës. Në këtë këndvështrim, kaq ishte hapësira e mundshme ligjore, qoftë edhe politike për këtë komision. Evidentoi saktë shkeljet dhe i jep rekomandimet e mundshme seancës plenare”, - deklaroi z. Hyseni. Edhe kryetari i komisionit, Ulsi Manja, i kujtoi Metës se jo gjithmonë Komisioni i Venecias mund të bëhet “arbitër”. “Presidenti i Republikës pa paragjykuar votimin në seancë plenare do të duhet ta shohë dhe ta lexojë si raport tërësisht me natyrë ligjore dhe të mos e lexojë e të mos e shohë si duel institucional mes Kuvendit dhe Institucionit të Presidentit. Siç e ftoj që në të ardhmen të mos e shohë as Komisionin e Venecias si arbitri që gjykon ndeshjen apo përplasjen institucionale mes Kuvendit e Presidentit, por ta lexojë këtë raport nën frymën e një bashkëpunimi juajal institucional e ligjor për të evituar në të ardhmen përplasje institucionale të panevojshme, sepse nga sjellja dhe juajaliteti që secili duhet rë sillet në raport me Kushtetutën dhe ligjin shpreh dhe përfaqëson përgjegjshmërinë e secilit prej nesh në realitetin politik shqiptar”, - deklaroi z. Manja.
KUNDËRSHTITË
Shkarkimi i Presidentit Meta u kërkua edhe nga deputeti i opozitës parlamentare, Halit Valteri. Deputeti i opozitës së re, Halit Valteri, duke kundërshtuar raportin tha se të paktën 55 deputetët që firmosen muaj më parë pro shkarkimit duhet t’i qëndrojnë zotimit të tyre. “Kërkojmë shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë. Për ne, Kushtetua është Bibël, është Kuran, është e shtrenjtë, është gjithçka. Nëse dikush mendon se mund t’i përdorë këta deputetë për pazarin e radhës, ta harrojë këtë gjë”, - deklaroi z. Valteri. Në raport ngrihet nevoja e një ligji organik për veprimtarinë e presidentit, që t’u japë përgjigje shumë pikëpyetjeve mbi kompetencat e tij.