‘ Rama ka frikë’, ish- deputetja e LSI: Garda dhe policia kanë rrethuar pronën private
“Nuk bëhet transparencë për marrjen e vendimeve”
Ish- deputetja e LSI- së, Kejdi Mehmetaj shprehu shqetësimin për praninë e Gardës dhe Policisë së Shtetit në Mbrostar- Ferko të Fierit duke rrethuar pa asnjë shpjegim zonën dhe pronën private. Ajo përmendi se shqetësimi ka ardhur nga banorë të zonës, të cilët shprehen se policia e shtetit nën kërcënime nuk i lejon të qëndrojnë në pronën e tyre dhe të përdorin celularët për të komunikuar apo filmuar çfarë është duke ndodhur. Mehmetaj u bën thirrje Gardës dhe Policisë së Shtetit të mos dhunojnë qytetarët që ndodhen në pronën e tyre private. “Pronarët e tokës bujqësore që ndodhet në krah të autostradës na kanë kontaktuar të shqetësuar, pasi Garda dhe Policia e Shtetit nën kërcënime nuk i lejojnë të qëndrojnë në pronën e tyre dhe të përdorin celularët për të komunikuar apo filmuar çfarë është duke ndodhur. Po ashtu edhe gazetarëve u është kërkuar të largohen për të mos transmetuar live ngjarjen. Pse trembet Edi Rama nga pronarët e tokës? Pse nuk pranon të komunikojë me ta publikisht? Pse nuk ndjek rrugën institucionale dhe ligjore për zhvillimin e projekteve? Pse kërcënohen qytetarët? Pse nuk bëhet transparencë mbi marrjen e vendimeve? Me kë u konsultua Rama përpara se t’i vinte gishtin asaj toke? Kush janë ekspertët e shëndetit publik dhe urbanistikës që e kanë sugjeruar atë tokë bujqësore, nën nivelin e autostradës dhe me lagështi si vend të përshtatshëm për ndërtimin e një spitali? U bëj thirrje Gardës dhe Policisë së Shtetit të mos dhunojnë qytetarët që ndodhen në pronën e tyre private, të mbrojnë të drejtën e tyre për t’u informuar e të drejtën e medias për të transmetuar e informuar publikun”, - tha Mehmetaj.