Fiskalizimi, ministrja Denaj: Të gjitha transaksionet do të raportohen në kohë reale
Drejtoresha e Tatimeve: Procesi filloi në rreth 1200 ente publike dhe 7600 tatimpagues "Synojmë zvogëlimin e evazionit fiskal me dhe pa para në dorë"
Procesi i fiskalizimit do t'u shërbejë bizneseve, formalizimit, leximit më të mirë të të dhënave, si dhe Administratës Tatimore për të përpunuar të dhëna në kohë reale. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj, si dhe Prefekti i Elbasanit Klevis Xhoxhi zhvilluan në qytetin e Elbasanit, një tryezë konsultimi me përfaqësues të shoqatave të biznesit për procesin e fiskalizimit që ka nisur që më 1 janar. Gjatë këtij takimi, ministrja Denaj shprehu rëndësinë që ka reforma e fiskalizimit, e cila synon zvogëlimin e evazionit fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë. Në procesin e fiskalizimit, të gjitha transaksionet ( faturat) raportohen në kohë reale në Administratën Tatimore. "Risitë digjitale na ndihmojnë sot për të vendosur përpara disa sisteme, disa protokolle të cilat në gjuhën më të thjeshtë janë pjesë e fiskalizimit. Fiskalizimi është një "Software idea", që ndihmon edhe bizneset, edhe Administratën Tatimore të lexojnë të dhënat, të cilat procesohen, si në raport me entet publike dhe bizneset kur ato kanë marrëdhënie me njëratjetrën, biznes me biznese kur kanë marrëdhënie nëpërmjet llogarive bankare apo marrëdhënia ' cash' me konsumatorin kur ndodh në sportele apo në forma të tjera", - tha ministrja. Sipas saj, të tria këto marrëdhënie janë pjesë e reformës së fiskalizimit, por, meqenëse është një reformë e cila do kohën e saj për t'u kuptuar dhe adaptuar, do të bëhet në disa faza. Ndërsa Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Ibrahimaj shpjegoi anën teknike të funksionimit të këtij procesi, ku vetëm për janarin sipas saj, procesi i fiskalizimit filloi në rreth 1.200 ente publike dhe 7.600 tatimpagues. "Deri më sot, janë rreth 354 fatura, të cilat janë lëshuar elektronikisht nëpërmjet softeve apo portalit ' Self care'", - tha Ibrahimaj. Ministrja Denaj dhe kreu i Tatimeve, Ibrahimaj po zhvillojnë një tur takimesh në të gjitha qytetet kryesore të vendit, me shoqatat e bizneseve, me përfaqësuesit e tyre, me qëllim që të kuptojnë problematikat që mund të kenë bizneset apo barrierat që mund të kenë bizneset për procesin e fiskalizimit.
FISKALIZIMI
Fiskalizimi është një tërësi masash që përdoren për të zvogëluar evazionin fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë. Në procesin e fiskalizimit, të gjitha transaksionet ( faturat) raportohen në kohë reale në Administratën Tatimore. Për efekt të identifikimit dhe gjurmimit të çdo transaksioni, çdo fature i jepet numri identifikues i veçantë i faturës ( NIVF). Në zbatim të Ligjit Nr. 87/ 2019, datë 18.12.2019 "Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit", botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 3, datë 20.01.2020, subjekt i fiskalizimit të faturës do të jenë: të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë faturë, sipas këtij Ligji dhe legjislacionit në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar; organet publike; bankat, institucionet financiare jobankare dhe subjekte të tjera, që ofrojnë shërbime pagesash të faturave elektronike. Mënyra e dërgimit dhe proceset që kryhen për dërgimin e të dhënave në Administratën Tatimore dhe lëshimin e faturës janë: Tatimpaguesi nëpërmjet zgjidhjes softuerike dërgon mesazh në serverin e Administratës Tatimore, me të dhëna në formatin XML, në lidhje me transaksionin ( faturën e lëshuar); Serveri i Administratës Tatimore i dërgon tatimpaguesit konfirmimin e marrjes së faturës duke i dhënë kësaj fature kodin unik ( NIVF - Numri Unik Identifikues i Faturës); Tatimpaguesi i lëshon klientit faturën e printuar ( e cila përfshin NIVF- në). Regjistrimi dhe dërgimi i faturës pranë Administratës Tatimore mund të verifikohet duke skanuar kodin QR në faturë. Konsumatori mund të verifikojë faturën e tij/ saj, po ashtu edhe tatimpaguesi mund të verifikojë blerjet e regjistruara në emrin e tij. Për shitjet cash të realizuara nga pajisja fiskale, nuk do të jetë më e nevojshme që të bëhet mbyllje ditore, pasi faturat do të transmetohen në Administratën Tatimore në kohë reale. Në rast të ndërprerjes së lidhjes së internetit, tatimpaguesi lëshon faturë si në një transaksion normal, me ndryshimin e vetëm që fatura nuk do të ketë kodin NIVF të gjeneruar nga Administrata Tatimore dhe për këtë fatura duhet të printohet në letër. Tatimpaguesi duhet që brenda 48 orëve pas momentit kur ndërpritet lidhja e internetit, të mundësojë lidhjen e internetit dhe të dërgojë të gjitha faturat e lëshuara gjatë transaksioneve offline.