ODIHR në Tiranë me mision faktmbledhës, Qeveria: Do përmbushim kushtet për zgjedhjet
Delegacioni faktmbledhës i ODIHR-it zhvilloi dje takime në Tiranë, fillimisht me zv.ministrin e Jashtëm Tare dhe më pas me Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla në selinë rozë.
Rreth orës 16:00 misioni nisi takimin në PD, ku takoi kreun demokrat Lulzim Basha, ndërsa me LSInë 2 orë më vonë. Sot takimet do të vijojnë me përfaqësues të KQZ-së. Gjatë qëndrimit në Tiranë, ekspertët e ODIHR-it do të bisedojnë sot edhe me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor si dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile. Në fund të takimeve, Delegacioni do të vendosë nëse do të jetë e nevojshme monitorimi i zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri nga ana e OSBE/ODIHR-it apo jo. Ministria e Jashtme e Shqipërisë, me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter” shkruan se zv.ministri i Jashtëm Agron Tare priti dje një delegacion të OSBE-së. Tare shprehet se Shqipëria është e përkushtuar të përmbushë të gjitha rekomandimet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet. “Shqipëria është e përkushtuar të përmbushë shumicën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it mbi zgjedhjet”, - deklaroi Tare. Ai vlerësoi qasjen bashkëpunuese të institucioneve të ODIHR-it me Shqipërinë, në lidhje me zgjedhjet. Misioni i vlerësimit të nevojave ka si qëllim të rekomandojë monitorimin ose jo të zgjedhjeve parlamentare, por në rastin e Shqipërisë nuk ka dilema për nevojën e një arbitri si ODIHR-i. Pas rekomandimit të ekspertëve, ODIHR-i pritet të caktojë shefin e misionit, i cili, së bashku me një ekip vëzhguesish, do të monitorojë fushatën zgjedhore, ditën e votimit dhe procesin e numërimit. Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare më 25 prill, ndërkohë që partitë politike kanë nisur fushatën elektorale nëpër qarqet e mbarë vendit. Partia Socialiste synon një mandat të tretë qeverisës, ndërkohë që PD-ja kërkon të rikthehet në pushtet pas 8 viteve në opozitë. PD-ja dhe aleatët e saj, por edhe Presidenti i vendit Ilir Meta, në mënyrë të vazhdueshme kanë apeluar për rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve, ndërkohë që shqiptarët votojnë mbi bazën e Kodit të ri Zgjedhor.