Patrulla u përplas me 4 persona në qendër të Mamurrasit, plagosen dy efektivë dhe një nga autorët
RENEA “blindon” qytetin, shoqërohen 7 vetë nga fisi i ish-deputetit Fufi Njëri nga policët nxori armën e qëlloi dy kolegët, plumbi kapi dhe të afërmin e Mhill Fufit
Një përplasje me armë zjarri është shënuar mesditën e djeshme në qendër të qytetit të Mamurrasit, ku Policia e Shtetit është përballur me një grup personash. Për pasojë kanë mbetur të plagosur në krye të detyrës efektivët Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, pjesë e patrullës së rendit në komisariatin e Kurbinit. Fatmirësisht, dy policët që u qëlluan në këmbë, u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë ku dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur, gjithashtu, i plagosur edhe njëri nga autorët e ngjarjes. Bëhet fjalë për Nikoll Fufin (e ka ndryshuar mbiemrin në Vorfi), i cili ndodhet po në spitalin e Traumës në Tiranë jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se policët kanë qenë në patrullim në qendër të qytetit dhe kanë tentuar të ndalojnë makinën e autorëve për verifikim (kanë qenë katër persona). Por, këta të fundit nuk i janë bindur urdhrit për kontroll duke mos ndaluar. E gjendur në një situatë të tillë, policia i ka ndjekur me makinë, ndërsa fillimisht janë përplasur verbalisht më pas fizikisht, pastaj autorët kanë dhunuar fizikisht, me qytë pistolete, derisa sherri ka degraduar në përdorimin e armëve. Pas ngjarjes, policia sqaroi se disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet. Në konflikt e sipër, policia pretendon se një nga efektivët ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar, duke lënë të plagosur dy kolegët e tij. E bashkë me ta edhe Nikoll Vorfin (Fufin). Mësohet se në makinë bashkë me Nikoll Fufin kanë qenë edhe vëllezërit Gentian Fufi, Besmir Fufi (Gjoni) dhe Rudolf Fufi. Në të gjithë akset rrugore të zonës janë ngritur patrulla dhe pika kontrolli, për të kapur autorët, të cilët janë identifikuar, por emrat e tyre nuk bëhen me dije. Në vendngjarje kanë shkuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) nga Shkodra dhe forcat RENEA nga Tirana si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu e drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj. Ndërkohë, në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor nën drejtimin e prokurorisë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Përplasja me armë në mes të qytetit ka shkaktuar panik tek qytetarët e shumtë, ndërsa në Mamurras është nisur edhe Ardi Veliu, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Ndërkaq, bëhet me dije se në lidhje me plagosjen e tre personave në Mamurras mes tyre dy policë, janë shoqëruar në polici shtatë persona nga fisi i deputetit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi. Mes të shoqëruarve janë tre vëllezërit; Gentian Fufi, Besmir Fufi (Gjoni) dhe Rudolf Fufi. Ndërkohë, pas ngjarjes u kapën dy personat e shpallur në kërkim Alfred Prenga dhe Gjon Fufi, vëllai i të plagosurit Nikoll Vorfi (Fufi).
Burime nga vendngjarja pohuan se bashkë me Nikoll Vorfin (Fufin) ka qenë edhe Florian Gega. Ky i fundi është djali i Gjergj Gegës, i cili pak muaj më parë nga emisionin investigativ “Fiks Fare” u cilësua si i “forti” i zonës, pasi ishte përfshirë në një përplasje. NJOFTIMI I POLICISË Rreth orës 13:35, në qendër të qytetit të Mamurrasit disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet.
Një nga punonjësit e policisë ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar dhe për pasojë janë plagosur dy kolegët e tij, I.Z. dhe F.LL., si dhe një nga personat e përfshirë në konflikt, shtetasi N.V., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Specialistë të Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe Specialistë të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna intensive në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe po marrin dëshmi, me qëllim sqarimin në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme të kësaj ngjarjeje. Informacion më të detajuar do të japë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në përfundim të veprimeve të para hetimore.