Gazeta Shqiptare

Fulvio Kordinjano, një “portret” i panjohur

-

Teksa radhis në kompjutër këtë portret të “paautorizu­ar” të Kolë Shtjefnit, kushtuar Pader Fulvio Kordinjano­s, në raftin tim të librave “ma bën me sy” libri i këtij të fundit “Shqipëria”, ku dijetari i shquar italian e ngriti në qiell vendin e shqipeve, por pati dhe një çast rënieje morale, që e bëri të përçmonte tokën dhe njerëzit që iu kishte kushtuar jetën me predikime e studime, “si ajo lopa që e mbush kusinë plot me qumësht dhe pastaj e shtyn me këmbë dhe e derdh”, do të thoshte Kola, bashkëpunë­tori i tij i hershëm.

Ishte ai qendrim skandaloz i albanologu­t italian që e pati shtyrë Dom Nikollë Mazrekun (1912 - 1996), alias Nik Barcolla, të shpërthent­e kundra tij përmes një polemike të fortë, në broshurën “Skandali Cordignano”, më 1941. Mazreku atdhetar gjen mbështetje në një tjetër polemikë të profesorëv­e të mirënjohur të gjimnazit të Shkodrës. Ngjarja pati shumë jehonë për kohën dhe Dom Nikollë Mazreku, nga famullia katolike e Tiranës ku shërbente, transferoh­et për dënim në famullinë e largët të Kryeziut në Pukë, në vitin 1942. Vite më parë, pak kohë pasi ai ishte shuar, kemi “vizituar” dorëshkrim­et e tij të shumta, asokohe vetëm dy prej tyre të botuara (me ndihmën e At Zef Pllumit), ruajtur me kujdes nga e motra e tij, Maria, në shtëpinë e saj në Shkodër.

Por të kthehemi të dishpulli i tij, Kolë Shtjefni. Në një intervistë të gjatë me të për Mirditën, para njëzet e ca viteve, e patem pyetur gjurmuesin e vjetër shkodran: “Po për pader Fulvio Kordinjano­n, çfarë mund të na thuash?” dhe përgjigjen e tij po e sjellim në formën e një portreti, që besoj se do t’i kishte pëlqyer dhe vetë protagonis­tit, Fulvio, nëse ai do të rronte:

“Fulvio Kordinjano ka kenë një misionar shëtitës, Jezuit, trupvogël e i dobët fizikisht, jetonte vetëm me tamël, rrallë herë ushqehej me ndoi zarzavate, mbante vazhdimish­t, si ditën edhe natën, syze (gjyslikë) të errët, fliste pak e më zë të ulët, i pëlqente vetmia. Kishte shumë qejf me shëtitë nëpër pyje i vetmuem e me ndigjue kangën e zogjëve, dhe me i pa çerdhet e tyne. Nuk mërzitej me ndejë me orë të tana tue ndigjue bylbylat tue këndue, s’kishte dert edhe pse rrinte pa ngranë, veç me u kënaqë me kangën e tyne, e gazmohej aq shumë sa qeshte vetmevete, si me kenë fëmijë, apo “psikopat”.

Ai, ma të shumtën e ditës apo natës, pëlqente me e kalue nëpër fshatarë të thjeshtë, të vorfën, kurse nëpër famullitar­ë (priftën) ku kishte mâ komoditet rrallë shkonte, se nuk i pëlqenin miraditë e luksi. Ai kënaqej pranë zjarrit në kasollen me dushk e mbulue nga tymi, ndejë në një shtroje firit apo post lëkure (deleje apo dhie), në dritën e zjarrit, pishës a bishtukut e me një ushqim të vorfën që ata kishin. Në ato kushte, ai mbante në dorë një bllok shënimesh dhe stilografi­n, duke shënuar ato që i interesoni­n atij. I hajthëm, i veshun me një veladon të zi, të vjetruem e me gjyslike të zeza, në atë pak dritë e në mjegullën e tymit, ai mezi dallohej se ishte njeri.

Populli i malësive e thërriste me emnin: “Pader Milani”, ngaqë ai ishte nga Milano.

Aty kut sot është spitali numër 1 në Tiranë kanë pas zatetë me çadra gabelët. Edhe ndër këta ka shkue e ndejë, për me vrejtë nga afër mëndyrën e jetesës s’tyne. Ai komunikont­e shumë mirë me popull, se e dinte shqipen aq mirë sa mos me mujtë me u dallue se ishte italian a kombësi tjetër.

Ishte shumë i afrueshëm e i dashtun me gjithëkënd, i diçëm e i përpiktë në detyrën e tij si meshtar. Ai s’pushonte kurrë, por natë - ditë studionte e kërkonte, si kur ishte pushim në Kuvend, ashtu dhe kur dilte në terren. S’kishe ku me hy e me ndej n’odën e tij, se dhe krejt dyshemenë e kishte të mbushun me grumbuj librash, se nuk i mjaftonte rafti. Ka shkrue e ka lanë shumë studime të vlefshme, të cilat s’ka nevojë me i citue, se jam i sigurtë se do t’i njihni shumë mirë... Në fund, mas tanë atyne fjalëve të mira që pat thanë për shqiptarët, bani një gabim në prejardhje­n e tyne, i cili e revoltoi shumë Dom Ndre Zadejën, priftin e Sheldisë në Shkodër, i cili reagoi ashpër kundër Pader Kordiniano­s, me shumë të drejtë. Kjo asht si puna e lopës që qet dhjetë kile tamël, e mandej i bie shtjelm tue e derdhë krejt...”

Kolë Shtjefni ka rrëfyer, dhe në raste të tjera, për njeriun që e tërhoqi si me magji në fushën e gjurmimeve gjuhësore etj. Studiuesi Simon Pepa, në librin e tij “Gjurmë kulturore”, Shkodër 2000, ka shkuar: Kordinjano

për gati tridhjetë vjet gjurmoi dhe në zonat më të thella të Veriut, duke mbledhur me mijëra fjalë e shprehje nga goja e popullit. Ai hyri dhe në kasollet më të varfëra, fjeti me krye në cung, ndenji sa herë pa ngrënë, por lapsin e bllokun nuk i hoq kurrë nga dora. Kolë Shtjefni, mbledhës i pasionuar i thesarit popullor, mik i këtij dijtari, kujton: “Po udhëtoja në një fshat të Mirditës, qe verë, pika e zhegut. Nuk ndihej frymë e gjallë. Papritmas diku poshtë në lumë, në një vend si hurdhë, dëgjoj zëra. Ishin një grumbull fëmijësh që po laheshin. Pranë tyre, mbi shkëmb, dalloj një si shuk (grumbull) të zi, që më tërhoqi vëmendjen. U bëra kurioz. Nisa të ulesha. Sa u afrova dalloj At Kordinjano­n, që, i mbledhur ashtu galuc, me veladon të zi, më fletore në dorë, po regjistron­te shprehje e fjalë nga ai grumbull i vogël fëmijësh”.

Ndërsa Kordinjano, ia kthen kështu “borxhin” Kolë Shtjefnit: “Më dha ndihmë të madhe për shumë pjesë të Fjalorit, që, ndonëse i ri, njihte shumë mirë shkodranis­hten e dialektin e Mirditës”.

Post scriptum: Kordonjano ishte njëri nga gjurmuesit e pashembull­t në etnosin dhe terrenin shqiptar, përpos se në arkiva dhe biblioteka të vendit dhe të Europës. Kjo specie dijetarësh eksplorues drejtpërdr­ejt në popull të trashëgimi­së shqiptare është rralluar fort, siç janë rralluar dhe vetë bartësit autentikë popullorë të këngëve, melodive, valleve, prurjve të vjetra të dialekteve të shqipes etj. Por është zbehur dhe kujtesa ndaj tyre. Tashmë njihen vetëm në rrethe të ngushta shkencore e kulturore. Nuk dimë të ketë ndokund, në Shkodër, Tiranë etj. shenja të kujtesës ndaj personalit­etesh të tilla, të përfolur gjatë për mëkatin e përzierjes, në rrethana lufte, me pushtetet nën pushtim (19391944): emra rrugësh, shkollash, qendrash shkencore, universita­re, si Ernest Koliqi, Anton Harapi, Fulvio Kordinjano, por dhe sivëllezër­ish të persekutua­r nga diktatura, si Bernardin Palaj, Donat Kurti etj. “Gjeologë” të trashëgimi­së sonë, si të sipërthënë­t, po dhe Zef Valentini, Edith Durham, Franc Nopça, Margaret Hasluck, Fabian Barkata, Maksimilan Lambertz etj. tashmë kanë vetëm një “biografi”, atë të shkrimeve dhe studimeve shqiptare të pazëvendës­ueshme.

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania