Deklarata e FMN-së, Meta liston sfidat në ekonomi: I kam bërë prezente me dekrete
Presidenti Ilir Meta teksa iu referua deklaratës së FNM-së, listoi dje ato që i konsideron si sfidat kryesore në ekonominë e vendit. “Një plan i besueshëm i rregullimit fiskal afatmesëm duhet të formulohet dhe të zbatohet duke filluar nga viti 2022, që duhet të përcaktojë zvogëlimin e deficitit primar në rreth 2% të PBB-së në vitin 2022, si dhe të arrijë në mënyrë të qëndrueshme një balancë primare pozitive prej rreth 1.5% të PBB-së në vitin 2024. Në themel të rregullimit fiskal të besueshëm duhet të jetë një strategji e shëndetshme afatmesme të ardhurash, që zgjeron bazën tatimore dhe eliminon mundësitë për shmangie. Rritja e cilësisë dhe e transparencës së shpenzimeve publike kërkon transparencë mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve përfshirë këtu
PPP-të, që po përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme. Investimet publike ambicioze, që janë rritur me shpejtësi nga viti 2020, të financuara me burime të brendshme duhet të moderohen, duke pasur parasysh si kapacitetin e dobët të realizimit, edhe efikasitetin e ulët të tyre. Mbështetja buxhetore duhet të orientohet më mirë te personat, të cilët kanë më shumë nevojë. Këshillohet të mos ndërmerren vendime në lidhje me amnisti tatimore ose përjashtime, apo iniciativave tatimore ‘ad hoc’, që shkojnë në drejtim të kundërt me strategjinë afatgjatë të qeverisë për rritjen e të ardhurave tatimore. Ndryshimet që lidhen me hartimin dhe zbatimin e Ligjit Organik të Buxhetit, duhet të bëhen vetëm përmes procedurave normale parlamentare dhe se përdorimi i Akteve Normative për të ndryshuar buxhetin brenda vitit, përveç rrethanave emergjente duhet të ndërpriten. Një strategji rigoroze e menaxhimit të borxhit nevojitet për të udhëhequr vendimet e qeverisë për huamarrjen e jashtme tregtare, që i nënshtrohet rrezikut të luhatjes së kursit të këmbimit. Rritja e shpejtë e stokut të PPPve, që pritet të arrijë në 50% të PBB-së në 2021, nga 33% në vitin 2018, kërkon dyfishimin e përpjekjeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike. Skemat e garancive për sektorin privat dhe mbështetja e ndërmarrjeve shtetërore, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe ujit, me garanci sovrane që po rriten, si dhe mbështetja e herëpashershme buxhetore gjithashtu i shtojnë risqet fiskale. Është e rëndësishme të rijetësohen reformat në sektorët e energjisë elektrike dhe të ujit, që janë vonuar në vitet e fundit. Të shtohen përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit, me qëllim që të minimizohen dobësitë që burojnë nga korrupsioni, të rritjes së transparencës dhe konkurrueshmërisë”, - tha Meta.