Gazeta Shqiptare

Indeksi i EUROSTAT: Ushqimet në Shqipëri, në shtetin më të varfër të Europës, kushtojnë njësoj si në BE

-

Ndonëse Shqipëria është shteti më i varfër në Europë, me prodhimin e brendshëm për frymë, që është sa 32% e mesatares së Europës, sipas EUROSTAT (të dhënat nuk përfshijnë Kosovën), qytetarët e vendit duhet të paguajnë shtrenjtë për blerjen e ushqimeve e pijeve dhe produkteve të tjera, si komunikimi dhe blerja e pajisjeve elektronik­e e përdorim shtëpiak. EUROSTAT ka publikuar indeksin e çmimeve për mallrat dhe shërbimet për vendet e Europës. Në Shqipëri, çmimet në tërësi janë sa 61% e mesatares europiane. Kjo është përqindja më e lartë nga vendet e rajonit pas Malit të Zi (69%), por ky i fundit kishte të ardhura sa 47% e mesatares Europiane, nga 32% që e ka këtë tregues Shqipëria. Më lirë çmimet janë në Turqi (40% e mesatares europiane), Maqedoni e Veriut (51.5), Bosnjë Hercegovin­ë (55.8), Serbi (59.9). Kur vjen puna te ushqimet, për të cilat familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimev­e në buxhetin e tyre (rreth 42%, nga 13% që është mesatarja e Bashkimit Europian), çmimet janë pothuajse njësoj si në Europë dhe më të shtrenjtat në rajon. Indeksi i EUROSTAT për ushqime është sa 83% e mesatares europiane, më të shtrenjta edhe se në Mal të Zi (78.3),

Ushqimet, në rajon, janë më të lirat në Maqedoninë e Veriut, me 61.4% të mesatares europiane. Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Hungari, Poloni, Rumani, Bullgari. Të shtrenjta në Shqipëri janë veshjet dhe këpucët, me rreth 96% të mesatares së BE-së. Më lirë janë restorante­t (46% e mesatares së BE-së). Më i shtrenjtë është komunikimi (108% e mesatares së BE-së). Më shtrenjtë nga të gjitha kushton blerja e pajisjeve shtëpiake (120%) dhe atyre elektronik­e (110%) Pajisjet personale të transporti­t janë më të shtrenjtat në rajon (86% e mesatares së BE-së).

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania