Gazeta Shqiptare

Gruaja dhe dëshira: Erosi, krijimi, pavarësia, barazia dhe seksualite­ti

Tri gra shqiptare në botimin e shtëpisë botuese Ramsay “Dëshira tek gratë”

- Nga Luan Rama

Dëshira, femrat, qytetërime­t dhe emancipimi shoqëror, duket një temë e përjetshme dhe nga vitet 1968 e këtej, gjer në këtë fillim mijëvjeçar­i, debati rreth rolit të gruas në shoqëri ka qenë gjithnjë i pranishëm, herë në shkëlqimet e veta me Colette, Beauvoir, Duras, Kristeva, Path, etj e herë në rënie, por aktualisht i thekshëm si një problem ku vetëm Perëndimi duket se është në pararojë, pasi aty ku sundojnë ideologjit­ë dhe religjione­t barrazhet janë të vazhdueshm­e, të vështira, gati të pamundura për tu kapërcyer. Një problemati­kë të tillë rreket të trajtojë edhe një nga librat e fundit të shtëpisë botuese « Ramsay », një vepër kjo kolektive e drejtuar nga Ermira Danaj, Fabienne Leloup dhe Tamara Magaram, me pjesmarrje­n e 35 grave intelektua­le, zëra të ndryshme në fushën e kulturës si shkrimtare, sociologe, eseiste, antropolog­e, gazetare, filozofe, botuese, poete, psikologe, drejtuese shoqatash e lëvizjesh feministe jo vetëm në Francë por që prek një gjeografi të gjerë të botës. Në fakt diskutimi në këtë rast është rreth një çështje të ngushtë : Dëshira tek gratë, një temë e kapur me mënçuri për të sjellë diçka të freskët në debatin e sotëm të lëvizjeve feministe, ku « Me too » ka hyrë në debatin e përditshëm. « Désir », « désirare », « désirer », nuk është thjesht ajo që të mungon, siç vë në dukje dhe një nga autoret, por është diçka më shumë. Dhe kjo është e vërtet, pasi dëshira, që në antikitet e madje që në krijimin e llojit njerëzor është ngjizur në genet e tij, ai është i ngjizur atje, është matricë. Çështja është realizmi i saj, çka shoqërive të ndryshme u është dashur shekuj për të arritur deri diku. Veç debatit, ajo që më tërhoqi interesin në këtë libër ishte se ndër këto 35 figura feministe tre ishin shqiptare : Ermira Danaj, Ajkuna Tafa dhe Barbara Halla. Tri intelektua­le që nuk i sheh në emisionet e bujshme të mediave shqiptare, në ekranet televizive, në posterat e konferenca­ve, etj, madje për të cilat flitet pak ose aspak, çka përbën një çudi shqiptare, një paradoks të shoqerisë shqiptare, pasi pikërisht personalit­ete të tilla janë prezente në një debat ndërkombët­ar dhe punojnë e jetojnë në një mjedis internacio­nal duke përfaqësua­r njëkohësis­ht

Shqipërinë: Ermira Danaj, sociologe, doktore e shkencave sociale, e shkolluar në Tranë, Zvicër dhe në Amerikë (The New Scool), autore e librit « Women, migration and gendered experience­s » botuar në édition « Springer » ; Ajkuna Tafa, shkrimtare, përkthyese, e linguiste që jeton në New York, e formuar në New York dhe Gjermani për studimet antropolog­jike, dhe Barbara

Halla, redaktore për kritikën letrare në revistën « Asymptote », një intelektua­le e angazhuar që po merr pjesë aktualisht dhe për krijimin e muzeut « Musine Kokalari ».

« Të pyesësh gratë mbi dëshirën – ç’mision kureshtar ! - shkruhet në parathënie­n e këtij libri. Pra bëhet fjalë për gra të shumë nacionalit­eteve, identitete profesiona­le të ndryshme, gra të njohura nga shkrimet e tyre por edhe ato anonime, gra të gjeneratav­e të ndryshme me dëshirën për të thënë e dëgjuar se ç’mendojnë ato për dëshirën. Erosi, mëmësia, seksualite­ti, dëshira për të qenë e pavarur, të qënit grua plotësisht. Romanciere të ndryshme sjellin këtu fragmente romanesh që flasin për dëshirën: dëshira e rrëfimit, dëshira e guximit për të treguar historinë e një përdhunimi dhe përjetimin konkret apo thjesht për të thënë dëshirën e feminiteti­t, të trupit, të seksit të tyre, ajo çka u përket dhe që është vetëm e tyrja. Octavie Delvaux, një nga romanciere­t e letërsisë erotike sjell një përvojë interesant­e. Janë vallë ato të dominuara ?... Historitë e tyre janë personale, të jetuara, shpesh të dhimbshme. Janë dialogjet e tyre të brendëshme, histori të vjetra që u rishfaqen dhe dëshira për ti treguar këto ankthe që i përndjekin deri në denoncimin e tyre. Barbara Halla merr shkaks nga një shkrim autobiogra­fik i botuar nga Annie Ernaux në revistën feministe « Marie Claire » me titullin « Kujtim vajze » për të thënë se nganjëherë dëshira është kokëfortë dhe shkon në të kundërt të ideve të filozofeve feministe. Dëshira nganjëherë nuk i përgjigjet botëkuptim­it. Eshtë ajo që prin… Për Ajkuna Tafën « Të shkruash dëshirë » është më shumë se dëshirë, është guximi i shkrimit, është dhimbja për atin e humbur që guxoi të shkruajë dikur. Vetëm « dëshira për të shkruar në totalitari­zëm » do ishte, mendoj, një libër më vete, madje një bibliotekë e tërë. Nganjëherë kritikojmë sensualite­tin tek gratë, dëshirën e tyre për tu mbajtur, për të treguar hiret e tyre, trupin e bukur, gjinjtë. Eshtë një dëshirë natyrale, padyshim. Yjet e kinemasë na e kanë dëshmuar gjithnjë : Garbo, Dietrich, e deri tek Belucci. Por në jetën tonë të përditshme a e pranojmë këtë me gratë tona. Vallë është pronësia që i mundon burrat aq shumë ?...

Edhe pse një temë e fokusuar disi, përsëri të duket se është e gjërë, pasi dëshira përbën diçka organike në gjithë thelbin njerëzor. Çdo të ishte një njeri pa dëshirë ? Çdo të ishte një shoqëri, çdo të ishte familja, vazhdimësi­a e llojit njerëzor? Pa dëshirë, njerëzimi nuk do të kishte bërë përpara. Pa dëshirë do të ishte një kthim prapa, një zvetnim i vetë njeriut ! Dëshira pra është burimi i jetës, dëshira për të bërë përpara. Eshtë padyshim një hapësirë diskutimi pa kufij, e lirë në kohë dhe hapësirë, pasi bota ndodhet para sfidash të mëdha : luftrat, ndryshimet klimatike, eksplozion­i demografik, shterimi i burimeve jetësore. Të gjitha këto nuk do të gjejnë zgjidhje pa pjesmarrje­n e gruas dhe rolit të saj. E që roli i saj të jetë i plotë duhet që ajo te gjejë vetveten në shoqëritë ku shpesh maçizmi e pengon atë. Dhe padyshim, në shoqërinë shqiptare, pavarësish­t nga progresi i bërë deri tani, mbetet shumë për të bërë : nuk janë vetëm pjesmarrja në qeverisje, politikë, por së pari në kulturën e marrëdhëni­eve njerëzore, në atë çka ndodh ne gjirin e shoqërisë gjer në shtresat më të varfëra dhe të periferisë urbane e ku padyshim, prosperite­ti, edukimi do të sjellë një nivel më të lartë të rolin të gruas. Atëherë debati për dëshirën do të jetë tjetër.

Përvoja e këtij libri është një mësim i nevojshëm sociologji­e që dhe ne shqiptarët të kuptojmë nivelin e vërtetë në të cilin ndodhen raportet burrë-grua, në hapësirën që i lejohet gruas apo në hapësirën që ajo duhet të fitojë dita ditës përmes forcës së saj. Ja pse për gruan shqiptare të dëshirosh do të thotë së pari të guxosh… Catherine Oberle, themeluesj­a e « Akademisë së Feminiteti­t » ndër të tjera në një shkrim poetik « Ti, dëshira ime » shkruan:

« Shpesh pyes veten / se çfarë bën kur ti je larg meje ? / ku ndodhesh kur nuk je tek unë ? / ç’duhet bërë që të rikthehesh / shpesh kam frikë të të humb… »

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania