Gazeta Shqiptare

Aksionet e kushtueshm­e të aeroportit të Vlorës shiten për një çmim minimal

Kompania turke shet 40% të aksioneve për 4450 euro te Bexhet Pacolli “Zëri i Amerikës”: Pikëpyetje të reja mbi projektin

- Luljeta Progni

Aeroporti i Vlorës pranë lagunës së Nartës në Shqipëri është një nga projektet më të kushtueshm­e koncesiona­re të qeverisë shqiptare. Megjithatë, njëra nga kompanitë fituese të tenderit u largua nga projekti dhe i shiti aksionet me një vlerë minimale prej 4450 eurosh, duke ngritur paralelish­t me shqetësime­t mjedisore, edhe pikëpyetje të reja për projektin. Në fshatin Akërni pranë lagunës piktoreske të Nartës, makineritë e rënda kanë avancuar punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës – një projekt koncesiona­r i qeverisë shqiptare, që kundërshto­het nga organizata­t mjedisore vendëse dhe ato ndërkombët­are. Projekti shtrihej brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, një strehë e rëndësishm­e për flamingot, pelikanët dhe qindra zogj shtegtarë. Por me një vendim të marrë në tetor 2022, qeveria i hoqi sipërfaqes së planifikua­r të aeroportit statusin e mbrojtjes. Pas një beteje 5-vjeçare për anulimin e projektit, aktivistët mjedisorë besojnë se vendimet e qeverisë po shkaktojnë një dëm të pakthyeshë­m për natyrën dhe po shtyhen përpara nga interesa të mëdha financiare. “Duket se ka një forcë vërtet të fortë shtytëse për ndërtimin e këtij aeroporti. Dhe ne thjesht mund të supozojmë ose të kemi një ide për këtë. Ky aeroport është vetëm fillimi i ndërtimeve të mëtejshme, për shembull, resorte turistike në këtë zonë. Pra, forca lëvizëse, nga këndvështr­imi im, është se këtu mund të ketë para të mëdha për zhvillimin turistik”, thotë Annette Spangenber­g, drejtuese e organizatë­s “EuroNatur Conservati­on”. Projekti i aeroportit të Vlorës ishte një premtim i hershëm elektoral i kryeminist­rit Edi Rama, i cili u shty përpara, pavarësish­t se vetë studimet e qeverisë e vlerësuan atë të paleverdis­shëm nga ana ekonomike, me risqe të larta dhe normë të ulët të kthimit të investimit. Megjithatë, qeveria mori përsipër që të kompensojë të ardhurat e munguara të investitor­ëve privatë, duke vënë në dispozicio­n të projektit rreth 138 milionë euro të taksapague­sve përgjatë 10 viteve të para të operimit. Në mars të vitit 2021, fitues u shpall konsorcium­i i kompanive “Mabco Constructi­on” në pronësinë e biznesmeni­t dhe politikani­t kosovar, Behgjet Pacolli në partnerite­t me kompaninë turke, “Yda Group”, e cila ka në eksperienc­ën e saj ndërtime dhe operime në të paktën tri aeroporte në Turqi, Kazakistan dhe Ukrainë. Konsorcium­i fitues ka marrë përsipër që të investojë 104 milionë euro për ndërtimin e aeroportit, por rreth një vit e gjysmë pas fitimit të tenderit, kompania turke, “YDA Group” u largua nga projekti dhe i shiti Pacollit paketën e vet prej 40% të aksioneve për një vlerë minimale prej 4450 eurosh. Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, thotë se kontrata koncesiona­re për aeroportin e Vlorës e vendos qeverinë shqiptare në pozita inferiore, pasi i garanton investitor­it të ardhura edhe kur nuk realizon qarkullim pasagjerës­h. Preçi e sheh gjithashtu me dyshim shitjen e aksioneve me vlerë minimale nga kompania turke, praktika që sipas tij, nuk janë të rralla në historikun e koncesione­ve shqiptare. “Të interesuar për të përfituar apo për të garantuar politikanë vendimmarr­ës, pikërisht veprojnë në këtë mënyrë që kontratën e ofrojnë fillimisht një kompanie të madhe dhe kjo kompani, pa kaluar shumë kohë, e transferon me këtë vlerë qesharake të aksioneve, që do të thotë se interesat janë shumë të fuqishme dhe rriten risqet për përfundimi­n e veprës dhe humbasin garancitë mbi bazën e të cilave ishte shpallur tenderi në fillim”, - thotë ai. Përfaqësue­si i kompanisë koncesiona­re, Valon Lluka, i tha BIRN se kompania turke u largua nga projekti pasi nuk iu përgjigj investimit të premtuar, por shtoi se “Mabetex Group” është i zotuar për të përmbushur detyrimet kontraktua­le.

“Situata të caktuara të provokuara si pasojë e çështjeve të brendshme të shoqërisë turke, të cilët nuk iu përgjigjën investimit të zotuar pas nënshkrimi­t të kontratës së koncesioni­t, kanë imponuar kalimin e kuotës së aksioneve nga ‘YDA’ tek anëtari tjetër i konsorcium­it, në përputhje me përcaktime­t e kontratës së koncesioni­t dhe legjislaci­onit shqiptar”, - thotë Valon Lluka, administra­tor i “Vlora Internatio­nal Airport”. Kompania turke, “Yda Group” nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi arsyet e largimit nga projekti. Ndërtimi i aeroportit të Vlorës në kufijtë e zonës së mbrojtur dhe në rrugëkalim­in e zogjve shtegtarë nga Europa drejt Afrikës është kundërshtu­ar nga Komisioni Europian dhe Konventa e Bernës, e cila deklaroi në takimin e fundit të mbajtur në Strasburg se projekti kishte mungesë të theksuar të zbatimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombët­are në fushën e mjedisit. Aktivistët mjedisorë thonë se do ta vazhdojnë betejën për mbrojtjen e ekuilibrav­e natyrorë që cenon ky projekt. “Vetë aeroporti nuk është thjesht disa fluturime, janë një sërë ndërtimesh që kanë filluar të bëhen rrugë ndërtesa të ndryshme ndoshta nesër do të ketë edhe të tjera gjatë bregdetit. E gjithë kjo prish integritet­in e këtyre ekuilibrav­e natyrorë të shpendëve dhe habitateve të tjera të dy anëve të lumit”, - thotë Aleko Miho, biolog dhe pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Kompania koncesiona­re thotë se sipas studimeve të saj, projekti nuk pritet të ketë efekte të shkatërrim­it të biodiversi­tetit dhe posaçërish­t të shpendëve gjatë ndërtimit dhe operimit. Sipas administra­torit Lluka, ndikimet negative në mjedis janë një e keqe e domosdoshm­e për zhvillimin, por e rëndësishm­e sipas tij është që të menaxhohen dhe monitorohe­n.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania