Gjykata i dha vulën, Alibeaj fton kandidatët të futen në zgjedhjet e 14 majit me logon e PD-së
Enkelejd Alibeaj ka mbledhur dje kryesinë e grupit. Gazetari Osman Stafa tha për “BalkanWeb”, se Alibeaj është shprehur se nga dje fokusi kryesor do të jenë zgjedhjet e 14 majit. Gjithashtu mësohet se Alibeaj ka ftuar edhe kandidatët e Primareve që të futen në zgjedhjet lokale me logon e Partisë Demokratike. “Nga sot fokusi kryesor i të gjithë veprimtarisë sonë politike janë zgjedhjet vendore të 14 majit. Me pjesëmarrjen, me kandidatët, me garën, me synimet dhe me rezultatet tona në këto zgjedhje duhet të nderojmë historinë e Partisë Demokratike. Të afirmojmë Partinë Demokratike si alternativa kryesore e qendrës së djathtë demokratike, kombëtare, perëndimore dhe euro-atlantike në Shqipëri. T’i japim pushtetit vendor fytyrën e alternativës sonë demokratike. Të vendosim dhe të synojmë objektiva ambicioze, të hedhim bazat e sigurta të fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare për largimin e qeverisë së korruptuar deri në palcë të Edi Ramës dhe duke bërë realitet rrotacionin jetëdhënës të pushtetit, që presin me etje të shpallur shumica e shqiptarëve. Për këtë:
1-Në lidhje me kandidatët për këshilltarë bashkiakë:
Duhet të fillojnë menjëherë nga puna duke ftuar demokratët dhe intelektualët rreth saj të shprehin interesin për të qenë pjesë e listës së këshilltarëve të PD-së në bashkitë respektive. Paralelisht, kjo kryesi do të miratojë një udhëzim të detajuar për mënyrën e zgjedhjes dhe renditjes së tyre në mënyrë demokratike dhe të drejtë.
2- Në lidhje me kandidatët për kryetarë të bashkive:
Në funksion të bashkimit, duke konsideruar realitetet që kanë prodhuar primaret e mëparshme të PD-së në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidime të tjera, i propozoj kësaj kryesie hapjen në princip ndaj gjithë prurjeve në fjalë, në mënyrë eksplicite ndaj kandidatëve demokratë të Primareve gjithashtu, me synim daljen me kandidatë unikë.
3-Në lidhje me aleancat: PD-ja merr përsipër t’i prijë ndërtimit të një aleance sa me të gjerë të mundshme të të gjitha partive të qendrës së djathtë, me synim maksimizimin e votave të një të djathtë pluralë, ku secili subjekt zhvillon identitetin e vet politik brenda kornizës përbashkuese të vlerave demokratike, kombëtare dhe perëndimore.