Gazeta Shqiptare

SPAK kërkon rikthimin në burg të Jamarbër Malltezit, më 5 mars seanca e rekursit në Gjykatën e Lartë

-

TIRANË – Gjykata e Lartë ka caktuar që më 5 mars të zhvillohet seanca për kërkesën e SPAK për rikthimin në burg të Jamarbër Malltezit. Mësohet se rekursi i SPAK për Malltezin do të shqyrtohet nga Sokol Binaj, Sandër Simoni dhe Ilir Panda. Në rekursin e dorëzuar Gjykatës së Lartë, dy prokurorët e çështjes u shprehën se ai kreu korrupsion duke bashkëpunu­ar me funksionar­in më të lartë të kohës. “Konkretish­t me ish-kryeminist­rin Sali Berisha”,-theksuan dy prokurorët, sipas të cilëve ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se janë cenuar themelet e shoqërisë në strukturat më të larta. Prokurorët theksuan se mbajnë parasysh në këtë rekurs edhe vlerën e lartë të parave që dyshohet se u pastruan, kohështrir­jen e aktiviteti­t kriminal dhe që sipas tyre i çon në konkluzion­in se Gjykata e Apelit nuk e respektoi ligjin kur zbuti masën nga arrest me burg, në arrest shtëpie. Dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai që po hetojnë dosjen “Partizani”, i thanë Gjykatës së Lartë se Shqipëria vuan ende nga nivelet e larta të korrupsion­it, në shumë fusha dhe po sipas tyre është kjo arsyeja se përse qeveria shqiptare e ka vendosur këtë luftë në listën e përparësiv­e më të rëndësishm­e të politikës së saj. Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie” për Malltezin. Nga ana tjetër ai dorëzoi rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës “Arrest shtëpie”. Ndërkohë, po me 5 mars do të shqyrtohet dhe rekursi i ish-kryeminist­rit Sali Berisha për heqjen e masës detyrim paraqitje që u caktua fillimisht ndaj tij.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania