Marrëveshja me PS për komisionet rikthen opozitën në Parlament
Komision i posaçëm për miratimin e reformave me shumicë të cilësuar Do të hetohen ndërhyrjet në TIMS dhe koncesionet
Përfaqësuesit e opozitës u ulën pas pesë muajsh në tryezën e Konferencës së Kryetarëve të martën, pas një konsensusi me Partinë Socialiste që u mundëson atyre ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare lidhur me koncesionet në sektorin e shëndetësisë si dhe ndërhyrjet e mundshme në sistemin TIMS. Pjesë e marrëveshjes është edhe reforma zgjedhore si dhe ngritja e një strukture të posaçme bipartizane brenda Kuvendit, përmes së cilës synohet të miratohen me konsensus reformat që kërkojnë një votim të cilësuar në Parlament. Marrëveshja rikthen në Kuvend deputetët e grupimit të drejtuar nga ish-kryeministri në arrest shtëpie, Sali Berisha, i njohur si “Rithemelimi”, pas disa muajsh tensioni për shkak të refuzimit nga ana e mazhorancës së ngritjes së komisioneve hetimore parlamentare si dhe përfaqësimit në komisionin e reformës zgjedhore. Sipas përshkrimit që i bënë dy kryetarët e grupeve, Bledi Çuçi i PS dhe Gazmend Bardhi i PD, struktura e re parlamentare do të ketë në përbërje deputetë të “Rithemelimit” dhe Partisë Socialiste dhe do të funksionojë me vendimmarrjen e të dyja palëve. “Ramë dakord paraprakisht që për ligje apo çështje të tjera që kërkojnë një shumicë të cilësuar, 3/5 për t’u miratuar, t’i diskutojmë në bërthama më të vogla dhe prej aty pastaj do të shkojnë në vendimmarrje politike”,- deklaroi Çuçi pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi e quajti një lajm të mirë reflektimin e mazhorancës, pesë muaj pas nisjes së aksionit opozitar, ndërsa shtoi se ishte rënë parimisht dakord për ngritjen e dy komisioneve hetimore si dhe ngritjen e një strukture të posaçme në parlament për ligjet që kërkojnë 3/5-at.
“Nënkomisioni ose struktura e posaçme do të funksionojë në paritet të plotë mes deputetëve të grupit të PS dhe atij të PD, me vendimmarrjen e të dyja palëve dhe do të asistohet me ekspertizë ndërkombëtare”,sqaroi Bardhi.
Mes reformave të pritshme, socialistët duken të vendosur për të rihapur edhe çështjen e reformës në drejtësi dhe siç deklaroi zyra e shtypit e kryeparlamentares Lindita Nikolla të hënën, “Kuvendi po punon për avancimin e reformës në drejtësi dhe konsolidimin e institucioneve demokratike”. Por Bardhi deklaroi të martën se nuk ka pasur asnjë diskutim gjatë negociatave për “asnjë çështje që prek drejtësinë”.
“Nuk ndodh kurrë që të ndërhyhet në një ligj që prek zbatimin e reformës në drejtësi, pa dakordësinë e bashkautorëve të reformës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian”,- tha
Bardhi. Ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali, e quajti një detyrë kushtetuese arritjen e konsensusit për të punuar së bashku. “Kjo nuk është çështje pazari”,shtoi ajo.
Dakordësia mes mazhorancës dhe opozitës për rikthimin në normalitet të Kuvendit u përshëndet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe delegacioni i Bashkimit Europian.
“Institucionet funksionale janë thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme dhe anëtarët e zgjedhur duhet të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mirëbesim brenda Parlamentit”,deklaroi Ambasada e Shteteve të Bashkuara.
Sipas BE, një parlament funksional është thelbësor për të lehtësuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të BE.