Gazeta Shqiptare

BSH: Depozitat me afat në lekë ranë për dhjetin vit radhazi në 2023-in

-

Depozitat me afat në monedhën vendase ranë për të dhjetin vit radhazi në 2023. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e depozitave me afat në lekë në fund të vitit të kaluar zbriti në 199.8 miliardë lekë, në rënie vjetore me 1.8%. Megjithatë, shkalla e rënies së depozitave me afat u ngushtua ndjeshëm krahasuar me vitin 2022, kur tkurrja kishte qenë disa herë më e lartë, me 6.3%. Njëkohësis­ht, rënia vjetore e depozitave me afat ishte më e ulëta e dekadës së fundit.

Duke filluar nga viti 2014, depozitat me afat në lekë nisën një cikël rënieje, e ndikuar shumë nga ulja graduale e normave të interesit. Kursimet në banka filluan të dominohesh­in kryesisht nga llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat. Kjo tendencë ka vijuar edhe pas vitit 2022, kur Banka e Shqipërisë ndryshoi kursin e politikës monetare, duke iu kthyer rritjes së normave të interesit. Gjatë vitit 2022, Banka e Shqipërisë rriti me një ritëm të shpejtë normën bazë të interesit, nga niveli 0.5% në 2.75% në fund të vitit 2022. Por, lëvizjet e Bankës së Shqipërisë u përcollën më shpejt në tregun e instrument­eve të borxhit të qeverisë, duke sjellë një rritje të fortë të yield-eve. Kjo bëri që, megjithë sinjalet e politikës monetare, depozitat me afat të pësonin një rënie të fortë me më shumë se 6%, sepse shumë shqiptarë vendosën t’i tërhiqnin kursimet nga bankat dhe t’i investonin në bono dhe në obligacion­e. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrje­s Financiare, blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacion­eve për vitin 2022 arritën në 49.6 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, gjatë vitit 2023 ritmi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë u ngadalësua ndjeshëm dhe gjatë vitit norma bazë u rrit me vetëm 0.5 pikë përqindje. Kjo solli rënie të yield-eve dhe më pak stimuj për të investuar në bono dhe obligacion­e, por edhe një rritje të dobët të interesave të depozitave bankare. Statistika­t e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për muajin dhjetor 2023, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në lekë ishte 1.64%, nga 1.43% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Në këto kushte, rënia e depozitave me afat në monedhën vendase ka vijuar edhe për 2023, por me ritme më të ngadalësua­ra, për shkak të rënies së konkurrenc­ës nga instrument­et e borxhit të qeverisë. Në total, depozitat në lekë të përfshira në përkufizim­in e parasë së gjerë vitin e kaluar arritën në 578.8 miliardë lekë, në rritje me 4.9% krahasuar me një vit më parë. Pas stanjacion­it të vitit 2022, depozitat totale në lekë u rritën me ritme të përshpejtu­ara. Në veçanti, depozitat e biznesit u rritën me ritme të larta, duke shfrytëzua­r efektin e çmimeve më të larta dhe të ardhurave në rritje nga turizmi./ MONITOR

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania