Matilda Bega: Më njohin si vajzën e Metit

Intervista - - TELEVIZION -

Matilda Begaa, është vajza e një prej artistëve më të dashur të artit dhe skenës shqiptare e përkatësisht humorit, të të ndjerit Met Bega. Matilda është pjesë e studiove të Top Chanel prej 10 vjetësh dhe ndihet më së miri aty. Është për familjen tradicionale në debatin e fundit për çështjen e LGBT-ve ajo e mbrojti deri në fjalën e fundit familjen, në konceptin tërësor të saj. Matilda, rrëfen edhe disa aspekte të tjera të jetës së saj të cilat do ti zbuloni në këtë intervistë…!

Fabjola Kuburi:- Matilda Bega, një emër i dashur në media, po më shumë një mbiemër që mbart peshën e një prej artistëve më të mirë shqiptarë, i ndjeri Met Bega. Të njohim më shumë si Matilda gazetare apo vajza e Metit?

Matilda Bega:- Faleminderit! Më duhet të jem e sinqertë që më shumë më njohin si e bija e Met Begës, pasi unë kam dalë shpesh në ekran me babin në pjesë të ndryshme humoristike, të cilat transmetohen edhe sot e kësaj dite në ekran. Më pyesin shpesh kudo që shkoj: Ti je vajza e Metit? Më pas vjen pyetja kureshtare: Vazhdon të jesh gazetare? (Buzëqesh)

-Matilda, nuk dua të të prekë në telat e mallit, por a ke diçka që ke merak e do ta shprehësh me ne, përsa i përket babait tënd, të madhit Met Bega?

- Unë i kam bërë të tëra ato që mund të bëja për babain tim. Asgjë nuk kam peng. Thjesht do jepja vite nga jeta ime në mënyrë që ai të mos kishte përjetuar atë sëmundje aq të rëndë si Parkinsoni, sëmundje që e mundoi me vite të tëra dhe e çoi deri në atë gradë, sa në javën e fundit të jetës më pyeti: Kush je ti? Pas një jave, ai ndërroi jetë. Ai ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime.

-Matilda, prej shumë vitesh je pjesë e në studiot e Top Chanel. Si erdhe ti në këtë televizion?

-Unë prej 10 vitesh tashmë punoj në gjigandin mediatik “Top Channel”. Jam e diplomuar në degën e gazetarisë, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. M’u dha mundësia të punoj në emisionin investigativ numër një në gazetare terreni dhe më pas, prej vitesh si monitoruese në rubrikën “Monitorimet”, që me aq mjeshtëri drejtohet nga i madhi Koço Devole. Ndihem mirë pasi jam edhe në sektorin tim pak a shumë, duke qenë vajzë humoristi.

-Me siguri, ndër fansat e tu më besnikë ti quajmë, janë dhe pjesëtarët e familjes, apo jo?

-Sigurisht! Mami dhe bashkëshorti janë fansat e im, madje shpesh janë edhe kritikë. Nuk ngelen pas edhe fëmijët, sidomos vajza ime Rea, që me sa kuptoj unë mund t’i futet botës së televizionit. Kurse djali i vogël, Geldi, është i prirur drejt humorit.

-Ke ndonjë angazhim tjetër veç televizionit?

-Përveç televizionit, jam mama, dhe më duhet të përkujdesem bashkë me tim shoq për dy fëmijët tanë, Rea 13 vjeçe dhe Geldi 7 vjeç. Djali besoj se do jetë trashëgimtari i gjyshi Metit, pasi ka shumë humor dhe ka një plastikë në fytyrë që më bën të mendoj se me mimikën që ka, do jetë një humorist i ardhshëm në gjurmët e gjyshi Metit, të cilin ai e kujton çdo ditë, edhe pse ka qenë vetëm 4 vjeç kur ai - Tube, humore të ndryshme të gjyshit, dhe shpesh e imiton.

-Ndërkohë që të kemi parë mjaft të prerë në çështjen LGBT-së dhe kaosin që shkaktoi nëpër shkolla. Si e argumenton, je kundër dashurisë së të njëjtit seks apo shkon pak më tutje?

-Jo, absolutisht! Unë si Matildë nuk jam kundër dashurisë së të njëjtit seks. Mendoj se ata kanë të drejtën e tyre legjitime të dashurohen me kë të duan, por jam e prerë që ata duhet të rrinë larg shkollave dhe fëmijëve. Unë jam për familjen tradicionale. Jam dhe do të jem për këtë familje, pasi vetëm kjo mund të jetë bërthama e familjes, shoqërisë dhe njerëzimit. Komuniteti LGBT nuk mund të riprodhojë, dhe që këtu për mua kjo bisedë është e mbyllur. Familja është shtylla, është gjithçka. Një fëmijë nuk mund të rritet me dy mama apo dy baballarë. Kjo është jashtë natyrales. Ishin Adami dhe Eva, nuk ishin Eva dhe Eva apo Adami dhe Adami, apo jo? Mbroj vetëm një familje, atë tradicionale.

-Si janë raportet e tua me besimin te Zoti, te fati, te vetja?

-Besoj shumë në Zot. Jam myslimane. Do doja të isha madje edhe praktikante. Disa herë kam qenë në xhaminë e Tiranës, ku kam kryer ritualet e faljes. Për Bajram dal në shesh me mijëra besimtarë të tjerë. Mbase këtë besim në Zot e kam edhe se gjyshi im nga babai ka qenë hoxhë në xhaminë e Tiranës. Emri i babait tim Met është shkurtim i emrit Muhamed. Vëllai im është teolog dhe praktikant i fesë islame. Ai fal 5 vakte, pra e kam shumë, shumë të fortë besimin në Zot dhe në fenë islame. Në shtëpi kam jo një, por mbi 5 Kur’an.

-Duke të parë, shumë do të ishin gati të betoheshin se ti nuk bëhesh kurrë me nerva...më thuaj që nuk e kanë gabim...!

-Më vjen keq të të them se e ke gabim (qesh). Këtë gjë ma vënë në dukje shumë njerëz, që më thonë: Nuk të imagjinojmë dot ty me nerva! Unë jam tip shumë solar, buzëqesh me të gjithë, të njohur apo jo. Nuk kam nevojë të pi kafe që të më dalë gjumi, pasi që në sekondën e parë që zgjohem jam shumë OK, gati të përballoj ditën. Padrejtësitë më nervozojnë, por më duhet të pranoj që shumë rrallë nervozohem dhe nervat më bien për 5 minuta.

-Është krijuar përshtypja sikur ti je ajo vajza e shtruar që nuk vuan për protagonizëm, e sigurt në atë që do dhe që e ka marrë seriozisht televizionin. Sa qëndron kjo përshtypje?

-Protagonizmi nuk më pëlqen shumë, saktë, madje nuk më pëlqen fare! Mundohem ta shmang. Mbase kjo vjen nga fakti që kudo, që e vogël direkt njerëzit thonë: E di kush është kjo? Kjo është nga kjo kam krijuar një lloj mbrojtjeje. Më pëlqen shumë të bisedoj me njerëz që nuk më njohin se e bija e kujt jam, dhe pas shumv orësh bisede më thonë: Uaaa, po ti si nuk më tregove që je e bija e Metit? Dhe unë me humor u përgjigjem: Po dhe ti se mos më pyete për atësinë...

-Je një dëgjuese e mirë e apo e anasjellta?

-Besoj se jam një dëgjuese shumë e mirë, por kjo u mbetet të tjerëve ta thonë.

-Sa herë futesh në një ambient të panjohur, plot me njerëz, çorientohesh apo ecën e sigurt në vetvete?

-Nuk më bëjnë fare përshtypje ambientet e panjohura. Duke qenë gazetare, më është dashur të përballem shpesh me personazhe dhe tematika të panjohura, ndaj fare nuk e kam problem. Jam tip që përshtatem, si në një kasolle në një fshat të humbur, si në mes të luksit.

- Kur ishe e vogël, çfarë mezi prisje të bëje kur sapo të rriteshe?

-Të them të drejtën, ëndërr e kisha të bëhesha mjeke, por duke u rritur kuptova që s’e bëja dot. Kam zemër të dobët. Kur shkoj ndonjëherë për vizitë në spital, bëhem e verdhë nga stresi i vuajtjeve që përjetojnë njerëzit. Babi donte të bëhesha aktore, por më pas kur luajta me të disa pjesë humoristike, më tha: Si aktore je shumë e ftohtë, akull, ndaj si gazetare ke bërë zgjedhjen e duhur.

- Cili është një ritual i yti që dita të të ecë mbarë?

-Rituali im është puthja e çdo mëngjesi që më bën im bir, që prej shumë vitesh më thotë: Mami, të dua shumë. Edhe pse 7 vjeç, ai di të falë shumë dashuri, jo vetëm me mua, por me dadon, mësueset, motrën, të gjithë... -Pjesa më e bukur e ditës? -Në përgjithësi më pëlqejnë shumë të dielat që kaloj me fëmijët e mi, sidomos pranë detit. Zhurma e dallgëve që përplasen në breg dhe zërat e dy fëmijëve të mi që luajnë bashkë teksa përpiqen se kush e kush më parë të kapë dallgët janë antistresi më i mirë në këtë botë.

-Çfarë mbeti pa thënë në këtë intervistë, ndonjë merak?

-Një merak të madh e kam për të cilin kanë bërë padrejtësi të madhe duke mos i akorduar një pension të veçantë apo një titull më të lartë. Edhe pse ai ka titullin “Naim Frashëri i Argjendtë” dhe “Naim Frashëri i Artë”, ai nuk mori titullin “Nderi i Kombit”, i cili i takonte me të drejtë. Kishte 40 vite në skenë, i përkushtuar në artin më të lartë, sa i bukur por edhe i vështirë, në atë të humorit. Është më e vështirë t’i bësh të qeshin njerëzit sesa të qajnë. Populli shqiptar në 40 vite arriti të harrojë vuajtjet e tij nën diktaturë, edhe për pak, hallet e shumta që kishin, dhe vunë buzën në gaz me humorin e Met Begës. Mbase i takon ta marrë, edhe pse pas vdekjes, por politikanët meqë bëjnë humor vetë me popullin, i harrojnë humoristët e vërtetë!

-Si gazetarja gazetares, më bëj një mbyllje të bukur të kësaj interviste...!

-Me modesti, mendoj se gazeta juaj e nderuar “Intervista” do të mbarohet e gjitha në çdo kioskë ku shitet, sapo të shohin emrin e Met Begës... jo emrin tim, jo, (qesh) dhe honorar për këtë intervistë nuk dua, sa për dijeni (qesh)... Përtej shakasë, ju uroj intervista me personazhe sa më pikantë, të të gjithë sferave të shoqërisë sonë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.