Luftova shumë për dashurinë

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Ishte data 31 dhjetor, kur e gjithë familja ime u mblodh për të festuar ndërrimin e viteve. Atë natë e kaluam shumë bukur dhe darka ishte e mrekullueshme. Pas mesnatës, vendosa të dal me disa kushërinjtë e miqtë e mi. Kishim prenotuar një pab së bashku me shoqërinë. Aty ndodhej edhe një vajzë shumë e bukur. Qëkur e pashë, më hyri shumë në zemër. Nuk e di se çfarë më pëlqente më shumë tek ajo, sepse ishte perfekte. Miqtë e mi nisën të kërcejnë e të argëtohen, ndërsa mua nuk më shkonte ndërmend të bëja asgjë, veç të shihja atë. Ndihesha shumë i lumtur vetëm duke e parë. Nuk kisha besuar ndonjëherë në dashurinë me shikim të parë; e besova vetëm atë natë. Doja të shko se mos ishte e lidhur dhe nuk doja t’i prishja punë. Pyeta njërin nga shokët e mi se kush ishte dhe m’u përgjigj se ishte motra e një shokut të tij. Për një moment, sikur u lehtësova, por ende nuk dija asgjë për të. Ajo rrinte gjithnjë e ulur duke parë të tjerët, ashtu sikurse edhe unë, por në ndryshim nga ajo, unë shihja vetëm atë. Ajo natë kaloi shumë shpejt dhe nuk ndodhi asgjë veç shikimit. Të nesërmen ishim ftuar në shtëpinë e një shoku dhe ajo ishte sërish aty. Isha shumë i lumtur që e shihja sërish. Takova të gjithë ata që ishin aty dhe kur iu afrova për t’i dhënë dorën asaj, zemra më rrahu fort. Ajo më përshëndeti dhe më pa shumë ëmbël. Atë natë ishte e pabesueshme, por ajo po bisedonte me mua për gjëra të ndryshme dhe unë isha shumë i lumtur. Doja ta pyesja për gjithçka, por kisha frikë se mos i merrte për keq pyetjet e mia. Atë natë ia kaluam shumë mirë. Kaluan disa ditë dhe unë nuk mora më asnjë lajm për të, kur një ditë pyes shokun që kishte shok vëllain e saj dhe më tha se ka ikur. U ndjeva shumë keq kur mora vesh se ajo nuk jetonte në Shqipëri. I humba të gjitha shpresat dhe mendova se nuk do ta shihja më kurrë.

Filloi sërish shkolla dhe unë u njoha me një vajzë. Më pas u lidhëm, por atë e kujtoja gjithmonë. Në shkollë isha student shumë i mirë dhe me vajzën që isha lidhur, gjithçka po shkonte për mrekulli. Kaluan disa muaj dhe unë isha në vitin e tretë (studioja në një universitet privat). Një ditë, në sallën ku bënim leksione, hyri drejtoresha dhe na lajmëroi se në klasën tonë do të vinte një studente e re. Vajza quhej Erisa dhe vinte nga një shtet tjetër, por për arsye familjare, duhet ta vazhdonte shkollën në Shqipëri. Në atë moment po mendoja: “po sikur të jetë ajo?”, por pastaj thashë se kjo nuk ishte e mundur sepse unë nuk i dija as emrin. Në atë moment, në klasë hyri vajza që do të bëhej shoqja jonë dhe është e pabesueshme, por ishte ajo! Nuk u besoja syve kur e pashë. Papritur, shikimi i saj u kryqëzua me shikimin tim dhe në fytyrën e saj shihej qartë habia. Ndihesha shumë i lumtur dhe njëkohësisht, i surprizuar. Të gjithë donin ta njihnin dhe të parat që shkuan për t’i dhënë mirëseardhjen, ishin vajzat e klasës, midis të cilave, edhe e dashura ime. Ditët kalonin dhe gjithçka po normalizohej. shoqërohej me një shokun tim të klasës dhe pas disa kohësh, u lidhën. Ndihesha shumë keq kur i shihja bashkë. Çmendesha nga xhelozia. Në fund të fundit, unë nuk i kisha thënë asgjë dhe ajo mund të lidhej me kë të donte. Mbi të gjitha, unë isha i lidhur. Sa herë që e shihja, dashurohesha edhe më shumë pas saj. Gjeja të qenë pranë Erisës. E dashura ime ishte bërë shoqe shumë e ngushtë me të dhe unë ndjeja sikur po tradhtoja të dashurën time. Mendova se duhet t’ia thoja atë që ndjeja. Po afronte sezoni i provimeve dhe nuk do ta shihja për një muaj. Nuk duroja dot dhe e ftova për të pirë një kafe. Shkuam te pabi ku u pamë për herë të parë dhe që unë nuk do ta harroj kurrë. U takuam dhe ajo më përqafoi. Nuk e di, por m’u tregonte diçka, kështu që nuk rezistova dot dhe e putha. Ajo iu përgjigj puthjes sime. Puthja ishte shumë e ëmbël, por zgjati shumë pak. Më pas, të dy u kujtuam se ishim të lidhur dhe nuk mund t’i tradhtonin ata me të cilët ishim lidhur, në këtë mënyrë. Atë natë nuk munda por njëkohësisht, po mendoja se si t’ia thoja të dashurës, pa e lënduar atë. Të nesërmen u takova me të dashurën time dhe i tregova të gjithë të vërtetën. I thashë se e kisha dashur Erisën qëkur e kisha parë për herë të parë. Normalisht, u mërzit shumë, por më tha se ndihej mirë që nuk e kisha mashtruar. Më tha se më kuptonte dhe se nuk më vinte faj. Më erdhi shumë keq për të, por nuk mund të rrija me të kur nuk e doja. Ajo është një njeri shumë i lartë dhe meriton që të jetë e lumtur. U ndamë miqësisht.

Tashmë, po prisja vendimin e Erisës. E ftova që të dilnim dhe i tregova se u ndava me të dashurën. Edhe ajo ndihej shumë keq, pasi e dashura ime ishte shoqja e saj e ngushtë dhe i detyrohej një shpjegim. Ajo ishte ndarë edhe me djalin që ishte lidhur dhe ndihej shumë keq. Më thoshte: “E ndjej veten si e përdalë që lashë të dashurin dhe tradhtova shoqen time të ngushtë për ty”. Qante dhe mua më dhimbte në shpirt që ajo vuante. Nuk durova dot dhe e putha. Atëhere, i thashë: “Edhe bota le të shkatërrohet, vetëm ne të jemi bashkë”. Kështu, u lidhëm.Erisa bisedoi edhe me ish-të dashurën time që ishte edhe shoqja e saj dhe gjërat midis tyre nuk ndryshuan. Ajo e kuptonte shumë mirë. Ishim shumë të lumtur dhe mbi të gjitha, duheshim shumë, pa na interesuar se çfarë thonin të tjerët. Në shkollë, të gjithë na shihnin me urrejtje, por unë e doja dhe ajo ishte dashuria ime e parë dhe e vetme. Edhe pse isha lidhur me tjetër, unë kurrë nuk e kisha harruar. Isha i gatshëm të bëja gjithçka për të. Tani kanë kaluar dy vjet dhe ne jemi në prag të diplomimit. Të dy kemi mbaruar për farmaci dhe kemi vendosur të hapim një biznes tonin. Ah, se harrova të them më të rëndësishmen; Erisa do të më bëjë baba dhe së shpejti do të martohemi. Jam shumë i lumtur që do të lidh jetën me vajzën që më magjepsi me shikim të parë dhe që së shpejti do të bëhemi me një fëmijë që do jetë frut i dashurisë sonë të madhe. Unë doja t’u bëja një thirrje të gjithë atyre që dorëzohen para dashurisë, të mos lejojnë kurrë që dashuria t’u ikë nga duart për asgjë në botë. Dashuria është gjithçka në jetë. Nuk ka asgjë më të bukur se të dashurosh dhe të jesh i dashuruar; ndihesh i respektuar e i vlerësuar. Askush nuk duhet të dekurajohet për dashurinë. Luftoni për të arritur atë që doni, sepse po e latë në dorë të rrethanave, kurrë nuk do ta keni.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.