Përgjigjet psikologia Lorela Garuli Si ndikon “propaganda” e LGBT-ve në shkolla?

Intervista - - SPECIALISTËT PËRGJIGJEN -

E dashur psikologe, kam një pyetje ose më saktë kam disa pyetje që më shqetësojnë në lidhje me këto ndërhyrjet e LGBT-së nëpër shkolla. A janë personat e këtij komuniteti të duhurit për të mbajtur leksione para nxënësve? A është ky problem kaq i madh sa duhet që dikush të shkojë dhe të edukojë nxënësit për këtë gjë? A ka ndonjë mundësi që gjithë kjo çështje të ndikojë në orientimin seksual të të rinjve? Sa problem mund të krijojë në komunikim me prindërit? Mund edhe t’ju kem besdisur me gjithë këto pyetje por jam mësuese në një shkollë të mesme të Durrësit dhe jam shumë e interesuar për këtë çështje. Faleminderit

Lorela Garuli, psikologe, email lorela_garuli@hotmail. com:- Përshëndetje! Si një temë e nxehtë mediatike e kohëve të fundit, e kemi trajtuar dhe shpjeguar disa herë. Këtu unë do të përpiqem të risjell në vëmendje ato aspekte që janë më të rëndësishme, për t’i dhënë përgjigje dhe pyetjeve të tua. Edukimi i tolerancës, i pranimit të tjetrit dhe i respektimit të botëkuptimeve të ndryshme sigurisht që është mision i shkollës; e cila duhet të jetë një institucion jo vetëm i përcjelljes lineare të dijeve e informacioneve, por në radhë të parë i edukimit të normave dhe vlerave tek nxënësit si qytetarë të ardhshëm. Por, në ndërmarrjen e nismave të tilla, të cilat hasin rezistencë dhe kundërshtim të madh nga shumica e prindërve dhe mësuesve, institucionet përgjegjëse përkatëse, përpara se të marrin vendime dhe hapa të tillë duhet domosdoshmërisht të “testojnë” paraprakisht terrenin social dhe se deri në cfarë mase ato do të mirëpriten dhe do të mirëkuptohen. Do të thotë se në rast se vendime dhe nisma të tilla realisht nuk përbëjnë një nevojë urgjente, ato rrezikojnë të kthehen në boomerang dhe të bëjnë më shumë keq sesa mirë. Nga pikëpamja teorike ata mund të jenë të duhurit, sepse kush më mirë se dikush që e ka përjetuar dicka në lëkurën e vet, - gjithatë, duke qenë se kjo nismë ka shkaktuar pakënaqësi, do të kishte qenë më e përshtatshme që bashkë me personat nga komuniteti përkatës, këto leksione të shoqëroheshin nga specialistë të fushave sociale; nga psikologë apo punonjës socialë, roli i të cilëve do të shërbente për të ulur keqkuptimet, por dhe për ta bërë këtë nismë më të besueshme, neutrale, të qetë dhe profesionale. Përsa i përket pyetjes tënde për priorietin e kësaj çështjeje kam dyshime nëse kjo çështje duhej të ishtë prioritet. Besoj se është vetë ‘fenomeni” ndonjëherë i cili përcakton kohën se kur duhet trajtuar. Prej vitesh fushata të shumta ndërgjegjësuese synojnë të rrisin vetëdijen mbi cështje të diskriminimit gjinor, bullizmit në shkolla, dhunës me bazë gjinore, abuzimeve seksuale tek të miturit e me radhë. Fakti që të gjitha këto fenomene fatkeqësisht vazhdojnë të jenë të pranishme në sytë tanë, tregon se nuk luftohen vetëm kështu. Dhe të them të drejtën nuk besoj se ky problem i këtyre ditëve të fundit është kryefjala që shqetëson të rinjtë. Problem i madh dhe urgjent që ata kanë, që çdo ditë e çdo semestër nëpër auditore, është demotivimimi, humbja e shpresës dhe njëfarë zhgënjimi masiv. Besoj se një element the- melor që duhet mbajtur parasysh përpara se të ndërmerren nisma të tilla, është fakti që duhet të ecin paralel me nevojat sociale, por dhe me mentalitetin e përgjithshëm. Me pak fjalë, sigurisht që e drejta nuk i duhet mohuar askujt ta jetojë jetën e tij sic dëshiron, por nuk duhet lënë mënjanë dhe opinioni masiv. Një shoqëri do ta ndryshojë mendësinë e vet nëpërmjet një procesi të natyrshëm, që kërkon kohën e vet, vetëdijësimin e vet, ritmin e vet. Do të thotë se masës më të madhe të shoqërisë shqiptare, do t’i duhet pak më shumë kohë të asimilojë dhe të pranojë qetësisht orientimet seksuale të ndryshme nga heteroseksualiteti.

A mund të ndikojë ‘propaganda” në orientimin seksual të të rinjve?Absolutisht që jo. Të rinjtë shqiptarë, ashtu si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në botë, kanë akses të lirë në internet e kudo në botën virtuale. Kjo do të thotë se, duan apo nuk duan, e pranojnë apo nuk e pranojnë prindërit dhe mësuesit shqiptarë, fëmijët dhe adoleshentët janë në dijeni të të gjitha fenomeneve dhe dukurive. Homoseksualiteti nuk është ngjitës; të menduarit e tij në këtë formë është padyshim shprehje e një padije të thellë. Madje, një merak dhe bujë kaq e madhe është në të vërtetë një pseudoshqetësim pak i shtirur në gjykimin tim; pasi të rinjtë shqiptarë ekspozohen vazhdimisht ndaj fenomeneve shumë të dhunshme që mund t’i kenë dhe në familje. Për këtë arsye, i gjithë ky debat që ka dalë nga fokusi i cështjes (në fokus ishte bullizmi dhe diskriminimi, ndërkohë që debati është drejtuar tek “pro apo kundër” homoseksualitetit) është “Shumë zhurmë për asgjë”! Përsa i përket problemit që mund të krijojë në komunikimin me prindërit mendoj dhe them se nuk ka arsye të jetë kështu. Informimi dhe dija asnjëherë nuk përbëjnë problem. Informacionet dhe njohuritë nuk janë asnjëherë rrezik; mungesa e tyre është. Përkundrazi, është e këshillueshme dhe psikologjikisht e shëndetshme që prindërit të - mijët e tyre sa më shumë dhe mbi tematika të edukimit seksual, në mënyrë që fëmijët të mos i marrin informacionet në rrugë të tjera alternative që lënë shtigje për sjellje devijante apo abuzime. Shpresoj të kem bërë një përmbledhje ku marrin përgjigje pyetjet tuaja. Gjithë të mirat!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.