Banakierja e lokalit më lidhi me kushëririn

Intervista - - FAQE 1 -

( Vijon nga java e kaluar)

U ula te vendi dhe mezi punova sepse u turbullova aq shumë nga fjalët e Donës. Në orën katër Turi na priste jashtë. Dona na prezantoi dhe kërkoi të largohej sepse asnjë palë nuk kishim shumë kohë. Ne u ulëm në kafen më të afërt dhe sigurisht më shumë foli Turi. Për mua ishte një seancë pyetjesh, përgjigjesha me po ose jo. Në fund ai më tha:

- Atëherë mua më pëlqen të njihem edhe më shumë me ty, megjithë këto ‘ po dhe jo’ të tuat, - e më bëri të qeshja me të madhe. – Ti ç’mendim ke për mua, do t’u tregosh prindërve që më ke takuar dhe dëshiron të më takosh sërish? – e po më shihte në dritë të syrit për përgjigjen.

- Nuk di ç’të them, por që sot të kam takuar duhet të tregoj se s’bën se kemi fiks pesëdhjetë minuta këtu, e sa për vazhvimin do i them Donës nesër. Të dëgjoj ç’më thonë edhe ata.

- Të të shoqëroj deri afër shtëpisë, - tha ndërkohë që m’u duk sikur do më përqafonte në moment. - Jo aman se po më sheh ndonjë që arrin para meje në shtëpi e kush i bind pastaj se si qëndron puna.

- Mirë, atëherë po pres përgjigje nesër nga Dona, - më tha, dhe kur i dhashë dorën, ishte si përkëdhelje shtrëngimi i dorës së tij. U rrënqetha akoma pa u ndarë me të. Ai qeshi me mua e priti sa kalova kthesën. Në shtëpi ishin bërë merak dhe i gjeta të gjithë me nervat kaçurrel për një orë vonesë timen. Ua shpjegova pa arritur as të laja duart. Pasi mbarova së sqaruari dhe u ula të haja bukë babai erdhi në tavolinë te unë.

- Po ti, ç’mendim ke do të vazhosh muhabetin me të? – tha babai. – Po a je i sigurt që vetëm sot e ka takuar, - i tha mamaja gjithë nerva sikur ta kishte pickuar dreqi.

- Nuk është e çmendur motra ime që të gënjejë, - tha Kili. – Më mirë ta takojë dhe nja dy herë, pastaj nëse do u pëlqejë muhabeti shohim e bëjmë, - vazhdoi ai. – Posi more të dalë e të bredhë çupa me një që ne se njohim e pastaj mirëupafshim. - O mama nuk jemi në 1900, s’do martohet me duvak ime motër, po vazhdon fakultetin dhe është vajzë me mend.

- E lëmë kështu, të dalë ta takojë dhe dy apo tri herë e pastaj e takojmë edhe ne, - tha Berti dhe të dy prindërit u detyruan të bënin dakord me kokë.

Dreka atë ditë sikur më doli pas shpine, po nejse kisha fituar pak liri, do dilja në takim tri herë me Turin. Dhe kështu të nesërmen, ndërsa Turi erdhi të merrte përgjigjen se çdo t’i thoshte Dona, ai pa se si ajo më shtyu drejt tij. I qeshën sytë menjëherë.

U ulëm në të njëjtën tavolinë dhe pyetja e parë ishte sa kohë do të rrinim.

- Epo ndo një orë apo një orë e gjysëm, - thashë gjithë turp e emocion bashkë. Kishte të drejtë vetëm kur pashë orën e kuptova që ne kishim ndenjur dy orë. Kështu u takuam për dy javë rresht dhe një ditë im vëlla erdhi e më priste para punës. Koha ime kishte skaduar. I prezantova të dy dhe u ulëm në kafe bashkë. Turi ishte shumë i qetë dhe e fitoi zemrën e Kilit qysh në fillim. Për rreth dy muaj herë takoheshim bashkë me vëllezërit ose vetëm me Turin dhe vendosëm të fejoheshim. Kemi ndenjur shtatë vite fejuar sepse një herë sa mbarova unë shkollën, pastaj s’kishte dokumente vëllai i Turit të vinte për dasmë, një herë s’ishin vëllezërit e mi e kështu u bënë shtatë vite. Por ishin vite të lumtura. Jo se vitet e martesës i kam patur më pak të lumtura. Turi ishte në punë dhe kishte rrogë të mirë, shtëpinë e kishim të vogël 1+ 1, po për një çift të ri ishte mjaftuesëm. U bëmë me fëmijën e parë dhe unë lashë punën. Kur vajza u bë dy vjeçe gjeta një punë të mirë në një zyrë avokatie. Ishte një eksperiencë shumë e vlefshme për punën time. Pas katër vitesh punë mbeta shtatzënë dhe një herë u shkëputa për të rritur djalin. Turi ishte ako- ma më i lumtur pasi e mori vesh që fëmija ishte djalë. Megjithë përkujdesjen e tij ndaj familjes, qëndrimi në shtëpi më lodhi qysh në fillim. Tashmë që isha mësuar të punoja dhe të vlerësohesha në punë nuk mund ta bëja kollaj shtëpiaken. Çdo ditë me djalin foshnjë dilja të pija kafen në kafenë poshtë pallatit. I njihnim pronarët e lokalit dhe unë zakonisht e pija kafen me gruan e tij. Një ditë ajo në tavolinë na uli një burrë që më tha se ishte kushëriri i saj. – S’besoj se ka problem për ty, e dashur, - tha dhe ma bëri me sy. – Jo s’ka problem dal te tavolina tjetër unë, rrini ju, - dhe bëra të ngrihesha.

- Në fakt unë për ty erdha, - tha kushëriri i banakieres. – të lutem mos ik, ose edhe po t’u desh të ikësh të lutem më jep numrin tënd të celularit, - tha dhe më shihte i bindur që do merrte atë që donte.

- Bën mirë të ruash fort numrin e gruas tënde dhe të familjarëve të tu, numri im nuk ka ç’të duhet, - i thashë dhe arrita të ngrihesha me djalin që filloi të grindej.

– Ej ej ej, mos e merr me kaq zjarr, - tha banakierja. – S’është ndonjë qamet të flasësh. Ke dëgjuar që hanë njerëzia nga telefoni? Askush s’të shesh, askush s’të dëgjon, ti në shtëpinë tënde, kusho në të tijën dhe ja mbaroi filmi, - tha dhe po përpiqej të më ulte në tavolinë.

Ashtu me djalin që nisi të qante lashë paratë e kafes dhe ika. Por numrin tim e kishte vetë ajo dhe sapo arrita në shtëpi ndërsa po i jepja për të pirë djalit një numër i panjohur i ra telefonit. Sapo dëgjova “alo” i njoha zërin që ishte i tiji. Desha ta mbyllja menjëherë, por se pse dreqin nuk e bëra se di, ndoshta timbri i zërit të tij. Për dy apo tri javë folëm në telefon dhe po më dukej sikur nuk kisha bërë ndonjë gjë, por kur B. filloi të bëhej më kërkues nuk po dilja dot nga vallja ku kisha hyrë. Përpiqesha të zija veten me punë që mos të dilja se po të dilja e dija që nuk i rezistoja dot tundimit për t’u takuar me B. por prapë merrja vajzën nga parashkollori, bëja pazaret. Ishin gjëra që nuk i shmangia dot. Dhe nuk arrita të shmang dot as takimin e parë. E pas takimit të parë erdhën dhe shumë të tjerë për gjashtë muaj rresht.

Turi filloi të ndiente ndryshimin te unë dhe një ditë ashtu si kalimthi më tha: - Se ç’ke, nuk je mirë, të lodh djali ngaqë nuk fle, apo pse rri si guak. Kam frikë të të hedh sytë se ti më kthen kurrizin. Ke ndonjë përgjigje?

- Asgjë, jam pak e lodhur sepse janë ndryshime të mëdha, por do ta kaloj, - i thashë dhe i buzëqesha. Nga ajo ditë nuk dola të takoja më B., dhe kam tre muaj që nuk e takoj më. Ai vazhdon të këmbëngulë, por megjithëse vonë, shumë vonë e kam mbledhur mendjen të mos e takoj.

L

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.