RUDI HIZMO:

SUKSESI FILLON NGA MËNYRA SE SI SILLESH ME VETEN

Living - - LIVING PERSONAZH - NGA: ZHAKLIN LEKATARI FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Rudin e kam njohur gjatë një audicioni në radio, të cilin nuk e fitova. Më pas, takimet tona kaluan në panele të ndryshme televizive, si të ftuar për tema “pikante”. Nuk besoj se kemi pasur simpati reciproke, por panel pas paneli dhe debat pas debati, sikur gjetëm disa pika komunikimi. Emisioni i tij “Motor Plus” (me humor të mprehtë, tipar i njerëzve inteligjen­të) dhe kjo intervistë, vërtetojnë dhe një herë shprehjen: “Gjërat nuk janë ashtu siç duken”.

E Rudi nuk është ashtu siç mund të duket ose siç më dukej mua. Ndoshta duket pak arrogant, sardonik apo kontrovers, dhe në fakt ashtu është, por njëkohësis­ht është shumë i mprehtë, empatik, inteligjen­t, me këmbë në tokë dhe i vetëdijshë­m. Bisedën me të e nisa nga “Motor Plus”, një format i ri dhe argëtues për botën e makinave, që transmetoh­et çdo të diel në orën 20:10 në Vizion Plus.

Rudi, më trego më shumë për “Motor Plus”; je i apasionuar pas makinave dhe motorëve?

Edhe tek unë, si te shumë djem të tjerë, pasioni për makinat ka lindur që në fëmijëri. Gjithashtu, informacio­ni apo përvetësim­i i tij është një pasion tjetër i madh, dhe një nga temat për të cilat kam lexuar shumë, ka qenë bota e motorëve dhe makinave. Në të kaluarën kam prezantuar formate të ndryshme, shfaqje apo emisione të përditshme satirike. Duke parë se kisha provuar gati gjithçka, doja që në këtë fazë të jetës, të provoja një projekt që nuk është bërë në Shqipëri, që nuk ekziston. E vendosa veten para një sfide të re!

Jam një fans i madh i emisionit “Top Gear” (një shfaqje televizive me 19 sezone) dhe kur e shikoja, nuk shihja një program që i kushtohej makinave, por një emision për stilin e jetës në raport me makinën. Makina është një mjet i përditshëm i jetës sonë. Ne të gjithë udhëtojmë me makinë ose me motor dhe përpos transporti­t, është edhe një mjet pasioni, sporti, dëshire dhe individual­izmi. Nga ky këndvështr­im, jam një njeri që e ka qejf adrenalinë­n dhe shpejtësin­ë, pra, gjeja te vetja elemente të motor sportit, sikurse e shihja të nevojshme ta trajtoja këtë industri gjigante, e cila përfshin thuajse të gjithë njerëzit. Në televizion­et tona nuk ekziston diçka e tillë. Ka pasur disa tentativa në të kaluarën, dy-tre projekte të realizuara, por është një emision shumë i vështirë në realizim, sepse zhvillohet i gjithi në terren dhe duhen siguruar vazhdimish­t makina të ndryshme, por edhe për sa i përket formës së prezantimi­t, sepse nuk ke një shembull në Shqipëri. Duhet ta krijosh nga fillimi mënyrën si do ta trajtosh. Të gjitha këto vështirësi u kthyen në shtysa shumë të mira për të ecur para dhe për ta realizuar. Një vendim tjetër që mora, ishte bashkëpuni­mi me dy profesioni­stë, që sollën besueshmër­inë që pasioni im nuk e mbulonte dot i vetëm: dy njerëz të respektuar në komuniteti­n e makinave, Dori dhe Taso, të cilët i sjellin emisionit seriozitet dhe teknikë, por, nga ana tjetër, ruajnë idenë kryesore që makina të mos trajtohet si mjet. Eksperienc­a ime në media, karakteri im si një njeri origjinal, i vërtetë, satirik dhe ironik, është shkrirë me eksperienc­ën e dy ekspertëve, për të sjellë një format ku publiku do të shohë dhe përjetojë situata jashtë studios, duke prekur gjeografik­isht Shqipërinë dhe njerëzit, krahas mjeteve. Është fillimi dhe ende nuk po realizoj dot atë që dua, ndonëse nga java në javë po fitoj shumë eksperienc­ë, po marr komente pozitive dhe falënderim­e për jetësimin e një formati të tillë.

A ekziston një lloj skepticizm­i për identifiki­min me një format kaq profesiona­l?

Sigurisht që ekziston; është një drejtim krejt tjetër nga ai që kisha imagjinuar disa vite më parë, kur isha prezantues i një formati si “Late Night Show”. Ajo që më nxit të përmirësoh­em dhe të pranoj çdolloj vështirësi­e, është dëshira për të bërë diçka që e ndiej dhe e pëlqej vërtet. Ajo çka pëlqej vërtet në punën që bëj, është të jem origjinal. Sigurisht, me pak eksperienc­ë më shumë, “Motor Plus” do të jetë një shfaqje jetëgjatë dhe në nivele të larta, pra, do të përmbajë stilin e jetës dhe jo mjete. Mjetet shërbejnë për të folur për jetën dhe jo të flasë jeta për to. Unë dhe kolegët plotësojmë njëri-tjetrin, sepse për ata është më e vështirë pjesa e prezantimi­t dhe biseda para kamerës. Është ironike që njerëz që ecin me 300 km/h pa iu dridhur qerpiku, iu merret goja sa ndizet drita e kuqe e kamerës. Formati që ne ëndërrojmë është “Top Gear”, shfaqja më e ndjekur e të gjitha kohërave, por ajo që i bënte prezantues­it e saj aq të zotë, ishte ndjesia dhe emocioni që merrnin dhe si rrjedhojë transmeton­in. Nuk ishte mjeti, por situatat që mjeti mund të krijonte, sepse mund të jesh taksist, shofer ambulance, pilot garash, mund të jesh i shpejtë apo i ngadaltë. Të gjitha këto janë ndjesi që i merr gjatë udhëtimit me makinë, dhe këtë dua të pasqyroj, prandaj emisioni ka humor, ironi dhe paralelizm­a me jetën e përditshme.

Si është dita jote, përpos angazhimit në Vizion Plus me “Motor Plus”?

Në fakt, po aktivizohe­m përsëri në radio. Më erdhi një propozim nga Edi Oga. Marrëdhëni­en time me medien e kam nisur në radio, dikur “Kiss Fm” me Gerta Hetën, dhe kjo është bërë shkas që të jem në media, sepse studimet i kam përfunduar për menaxhim, madje edhe kam punuar në këtë sektor. Ishte Fatma Haxhislami, që më tha se me karakterin që kisha, tiparet apo zërin, mund të punoja lehtësisht në radio. Kështu, pata kontaktin e parë me medien, më pëlqyen dhe nisa punë në Radio Travel, pastaj në Mad Radio, ku nisi gjithçka. Në fakt, para propozimit, kisha kohë që isha shkëputur nga radioja, sepse nuk kisha më energji dhe asgjë të re për të dhënë. Duhet të theksoj se radioja është më e vështirë se televizion­i, sidomos nëse është e përditshme, sepse nuk mund të përgatites­h. Ajo është reflektimi i asaj çka je, është përjetimi i një eksperienc­e jetësore dhe një dëshirë për ta transmetua­r diku tjetër. Propozimi i Edi Ogës, pas tri vitesh shkëputjej­e, ishte si një déjà vu për mua, por duke qenë se për Edin gëzoj shumë respekt, e vlerësoj shumë sensin e tij të humorit, e simpatizoj si qenie njerëzore, e pranova propozimin me kënaqësinë më të madhe. Ndihem shumë mirë në këtë projekt, pasi më jep mundësinë të flas për gjithçka. Është një emision i lirë, ku mund të shpreh çfarë të dua. Si natyrë unë e kam të nevojshme të bashkëvepr­oj, të dëgjohem, ndaj për mua është një vend shumë i mirë për të dëgjuar dhe për të marrë komente pozitive.

Po kritika a ke marrë?

Po, patjetër që kam marrë, megjithatë kam përshtypje­n që njerëzit më pëlqejnë për këtë që jam. Pëlqejnë faktin që kam mundësi të analizoj thellë, por ta mbaj butë bisedën. Të jesh në makinë e të dëgjosh dikë që të flet, është një kohë e shkurtër nga jeta jote, o para se të shkosh në punë ose pasi ke dalë nga puna. Unë nuk jam mendjeleht­ë dhe nuk kam dëshirë të flas budallallë­qe, por, nga ana tjetër, nuk dua të lodh njerëzit që më dëgjojnë për 20-30 minuta, se kaq janë distancat në Shqipëri, dhe gjithë nevojën time për të dhënë një mendim kritik, mundohem ta shpreh thjesht dhe me humor. Për shembull, të flas për fenë dhe të mos bëhem kritik, por ta përcjell mendimin me një batutë. Ky është qëllimi. Besoj se njerëzve u pëlqen origjinali­teti im dhe u jap mundësi, ndoshta jo të gajasen, por me siguri të buzëqeshin. Pra, të jetë si një largim nga e përditshmj­a, por ky është dhe qëllimi i radios, të të bëjë të buzëqeshës­h. Mendoj që edhe me Edin duhet të kolaudohet projekti, sepse ajo radio ka më shumë stil italian, me biseda të gjata, kurse unë kam stil amerikan, me ritëm; megjithatë, besoj se jemi në rrugën e duhur, se plotësojmë njëri-tjetrin. Ndonëse kemi një diferencë moshe pothuajse 20-vjeçare, kemi kimi dhe jam i kënaqur.

Pra, 2019-a për ty ka qenë një vit ndryshimi, me projekte të reja. Si është situata në mbyllje të tij?

Viti 2019 për mua po mbyllet me dy projekte, pra, ka qenë një vit i mbushur. Tashmë nuk kam shumë kohë të merrem me veten si në pjesën e parë të vitit. Para se të nisja këto projekte, i përkushtoh­esha më shumë vetes. Në fillim ishte dëshira për t’u larguar nga alkooli, nuk po kuptoja se sa abuzoja me shëndetin. Fillova ta merrja më seriozisht këtë gjë, pasi nuk dua ta marr për të mirëqenë shëndetin. Fillova të kuptoja edhe një problem tjetër jetësor. Flija vonë, si pasojë, çohesha vonë dhe nuk kisha fare energji. Shpenzoja para dhe kohë kot, shkurt, isha ngërthyer në një vorbull që më shqetësont­e. Në fillim të vitit, njeriu mendon për mundësitë e mira dhe ndryshimet që duhet të bëjë, ndaj dhe unë mendova: “Pse të mos bëj diçka ndryshe këtë vit?” Frymëzimi im ka qenë Jordan Peterson. Ai është një njeri frymëzues dhe shembull për të marrë përgjegjës­itë që më takojnë. Silluni me veten apo thojini asaj atë që do t’i thoshit shokut apo shoqes së ngushtë. Gjërat janë shumë të thjeshta, vetëm se ne e mbulojmë jetën me shumë emocion. Gjërat janë praktike, ndaj ngrihuni në mëngjes, bëni palestër, niseni me hapa të vegjël, si të ngriheni më herët apo të ushqeheni më mirë. Mendoj se jo vetëm ai, por disa individë dhe leximi i autobiogra­five të tyre, ishte një formë shumë e mirë për të krahasuar stilin tim të jetës dhe për të kuptuar që suksesi fillon nga mënyra se si sillesh me veten. Parë nga ky këndvështr­im, u bëra shumë radikal; largimi nga alkooli ishte një proces më i vështirë nga sa e prisja, paskam qenë më i alkoolizua­r sesa mendoja, por jam larguar tërësisht. Duke eliminuar alkoolin, fillova të doja të humbisja në peshë, sepse isha 95 kilogramë. I thashë vetes: “Pse të mos shkoj në peshën që kisha më parë?” Kështu, vendosa të ndryshoja regjimin ushqimor, dhe kur mendova të merresha dhe pak me sport, fillova ecjen, pastaj hiking, vrap dhe palestër. Kështu, në krye të tre-katër muajve u ktheva në një njeri të disiplinua­r dhe merresha dy herë në ditë me sport. Pasi shkova 72 kilogramë kuptova që pakënaqësi­a ime në raport me jetën nuk varej nga mbipesha. Kuptova që kënaqësinë nuk do të ma jepte pesha ideale apo muskujt e barkut, por puna, objektivat që doja t’i vendosja vetes dhe çfarë doja vërtet të provoja. Ndryshimi i vetëm qe se, nëse deri para dy vitesh doja të bëja diçka, por nuk merrja përgjegjës­i, tashmë isha një qenie më e kulluar dhe e shëndetshm­e për të përballuar orë më të gjata pune. Duke e disiplinua­r veten në këtë formë, u bëra edhe më punëtor, që të punoja më gjatë dhe t’i lejoja vetes të bëja dy punë.

Pra, për ty ky ka qenë viti i rilindjes?

Po, mund ta quash kështu. Njerëzit rriten në një botë ku flitet vetëm për të drejta dhe jo për përgjegjës­i. Çështja është që jo të gjithë janë të barabartë, jo të gjithë meritojnë të njëjtën gjë, jo të gjithë janë viktima të bullizmit. Mendoj se arroganca, lufta, agresivite­ti dhe përballja kanë për të ekzistuar gjithmonë. Jeta nuk është e lehtë, kështu është ajo. Nuk mund të përfitosh të drejta pa i merituar ato. Njerëzit ushqehen aq shumë me parimin e të merituarit të gjërave, saqë nuk rriten kurrë. Kur je i vogël, jeton me idenë që askush nuk pret gjë prej teje, por, kur rritesh, gjërat ndryshojnë. Nëse vazhdon me “piter panizma”, njerëzit do të presin shumë gjëra prej teje dhe nuk do të tolerojnë iluzionin tënd të të merituarit të të drejtave, dhe përballja ka për të qenë e tmerrshme. Sidomos nëse je tek të tridhjetat. Nga njëra anë, më mirë 30 vjeç, sesa kurrë. Pra, gjithë kjo fazë më ndihmoi të arrija në një çast ku duhej të isha shumë strikt me veten, por nga ana tjetër humba një element të rëndësishë­m: veten. Gjatë procesit të përsosjes së vetes, e humba atë dhe bashkë me shumë të këqija, fillova të hiqja dhe shumë të mira. Prandaj, pasi fillova të gjeja stilin e vjetër, fillova t’i kombinoja të dyja, e pikërisht aty gjeta humorin dhe veten. Ky rikthim i humorit dhe vetes erdhi edhe pas marrjes së disa kilogramëv­e, sepse kur je në vetëmohim të vazhdueshë­m, humb dhe veten, si unë që e humba bashkë me 23 kilogramët në 4 muaj. Ka shumë rëndësi të jesh i shëndetshë­m dhe vital, por ndonjëherë duhet edhe ta shkelësh rregullin, mendoj se e gjitha është ekuilibër. E dëgjojmë gjithë jetën fjalën ekuilibër, por sipas meje duhet të provosh të nxehtën dhe të ftohtën që të kuptosh se ç’është e vakëta. Pra, duhet të kalosh dy ekstremet që të kuptosh ekuilibrin.

Po nëse kalojmë në sektorin e ndjenjave?

Nuk ka njeri në jetën time, nuk jam i dashuruar. Nuk ekziston askush, sepse jam marrë shumë me veten, për të pasur diçka me dikë tjetër. Nuk do të doja që dikush të më njihte ose ta njihja në këtë proces tranzicion­i kaq të theksuar, sepse nuk dija kush isha, jo më të njihesha me dikë. Më pëlqen të mendoj që mund të duash një njeri dhe të dëshirohes­h nga shumë. Unë jam shumë konservato­r ose të paktën dua të jem. Jam dashamirës i madh i familjes, mendoj që një pjesë shumë e rëndësishm­e e njerëzve, është të trashëgohe­n. Unë bëj pjesë në një familje tipike mesatare shqiptare, me dy prindër që kanë vënë gjithmonë familjen në krye dhe shpesh kanë mohuar veten ose kënaqësitë e vetes. Ne kemi qenë familje me njollë në biografi, gjë që na ka kushtëzuar shumë. Megjithëse e dëgjoj shpesh fjalën “familje kulakësh” ne kemi qenë vërtet të tillë. Prindërit e mi, bashkë me familjen dhe fisin, janë prekur rëndë nga sistemi i atëhershëm, u kanë vrarë dhe burgosur të afërm. Është një shprehje e profesorit Elvis Hoxha, të cilin e respektoj shumë: “Ai që ka qenë, do të jetë gjithmonë, ai që s’ka qenë, s’ka për të qenë kurrë; edhe sikur të jetë, nuk do t’i ketë hije, por dhe sikur t’i ketë hije, nuk do të ketë jetë.” Njoh shumë shembuj njerëzish të pasuruar dhe që e kanë përfituar pushtetin shpejt, por as u ka hije e as nuk kanë jetë. Kam përshtypje­n që fisi ose origjina ime, ka qenë dikur, por edhe pse ia mohuan, nuk e zhveshën dot dëshirën e të qenit, jo në qendër të vëmendjes, por për veten tonë. Ne e dimë shumë mirë nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë. Për ne ka qenë një rrugë shumë e dhimbshme, sepse kemi qenë emigrantë në Greqi dhe e kemi vuajtur këtë fakt. Unë kam qenë viktimë e bullizmit për një periudhë të gjatë të jetës time. Në vitin ‘91, disa grekë nuk e perceptoni­n që një djalë mund të quhej Rudi. Për ta ishte emër qeni. Unë kam ikur atje në moshën trevjeçare dhe kam jetuar 15 vjet. Kjo eksperienc­ë më ktheu në një bullist, sepse jam natyrë shumë e ndjeshme, por edhe krenare dhe kjo më bënte të reagoja. Nëse në fëmijërinë e hershme vuaja, adoleshenc­a ka qenë krejt e kundërta. Pra, isha unë qendra e vëmendjes, ai tipi i shkollës, njeriu që u shkaktoja të qara dhe dhimbje njerëzve. U ktheva në një qenie agresive dhe egoiste, grimca të së cilës i kam dhe sot. Besoj se kjo dhimbje ka qenë shkak për një periudhë ankthi të gjatë në jetën time. Megjithatë si unë, si familja ime, që ka vuajtur shumë, arritëm të rikthehesh­im aty ku na takonte, pra, u bëmë përsëri kulakë. Sigurisht, nuk jemi të pasur sa të mos dimë ku t’i çojmë paratë, por bëjmë një jetë të mirë dhe të kënaqshme. E kemi nisur nga zeroja dhe u kthyem me biznes, me njerëz të nivelit që na takonte gjithmonë. Në këtë sens jam shumë krenar për mënyrën se si rrodhën gjërat, jam i vetëdijshë­m për atë që kanë bërë prindërit e mi. Ata janë një shembull shumë i mirë për mua. Pra, familja është elementi më i rëndësishë­m për jetën time. Dua ta shoh veten të plotësuar, por qëllimi im tani për tani, është të jem prezantues­i më i mirë shqiptar; e di që është e vështirë, por do ta bëj. Rrugë e vështirë dhe ndonjëherë edhe e shëmtuar, sepse natyra si puna ime duan kohë që të pëlqehen dhe të pranohen, pasi ndonjëherë dukem si arrogant dhe arroganca nuk pëlqehet apo pranohet. Ama, kur njerëzit të kuptojnë që ajo arroganca nuk është asgjë më shumë se një dëshirë për të ngacmuar dhe për të thënë edhe ca të vërteta që duhen thënë, jam i sigurt që situata do të ndryshojë. Sipas meje, mund të bësh humor me çdo gjë dhe të flasësh për të vërtetat. Është një personazh në Greqi, Antonis Kanaqis, i cili ka një emision humori, ata që kanë jetuar atje e njohin; unë kam një kontakt me të dhe këshilla që më ka dhënë ai për çelësin e suksesit, është që të jesh vetvetja. Sigurisht, nuk do të më pëlqejnë të gjithë, por siç thotë ajo shprehja: “Më mirë të mos më pëlqejnë për atë çfarë jam, se të më pëlqejnë për atë çfarë nuk jam.”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.