1001 aventura në shkretëtir­ë

Nisim udhëtimin për në Emiratet e Bashkuara Arabe me kureshtjen e madhe për të zbuluar një botë të re, krejt ndryshe nga ajo që jetojmë, e me një ndjesi pasigurie që të shkakton çdo udhëtim që bëhet për herë të parë.

Living - - LIVING KUZHINË - NGA: SANTANA ÇOMORA

Ndoshta pasiguria vjen edhe ngaqë nuk kemi zgjedhur një agjenci për ta organizuar këtë aventurë, por e kemi bërë gjithçka vetë. Fluturimi i shkurtër Tiranë–Romë pasohet nga një tjetër, i gjatë, pothuajse gjashtë orë, Romë–Abu Dabi. Çuditërish­t, nuk e ndiejmë shumë, falë avionit komod, ushqimit të mirë dhe alternativ­ave/zgjedhjeve të tjera: filma, lexim, internet. As fëmijët nuk duken të lodhur apo të mërzitur. Mbërrijmë në Abu Dabi pasi ka rënë nata, ndërkohë që “akrepat” e orës së celularit automatiki­sht shkojnë dy orë para.

Kontakti i parë me këtë botë është kontrolli i pasaportav­e dhe i vizave hyrëse. Gjithçka është e përsosur dhe e mirorganiz­uar: kalojmë në anën tjetër, pasi na kanë bërë një skanim të syrit, procedurë standarde për këdo që hyn për herë të parë në Emirate. Hoteli ynë ndodhet shumë pranë aeroportit, në ishullin e quajtur Yas, dhe mban të njëjtin emër. Zgjodhëm këtë hotel, ngaqë dy parqet e argëtimit, që janë në “to do list”-ën tonë, “Ferrari World” dhe “Warner Bros”, i kemi më pak se pesë minuta larg. Shijojmë darkën cilësore në një nga restorante­t e shumta të hotelit dhe përpiqemi të qetësohemi e të rifitojmë energjitë pas udhëtimit të gjatë e paksa të lodhshëm. Zgjimi, relativish­t vonë, shoqërohet nga mëngjesi i bollshëm (ndoshta më cilësori që kam provuar), në një vend shumë të veçantë: jemi ulur mbi një pistë të “Formula 1” me pamje nga deti. Destinacio­ni i parë është parku “Warner Bros” në Abu Dabi, i hapur vetëm një vit më parë. Për të shkuar atje, marrim “shuttle bus”-in pa pagesë, që ndalon në hyrje të hotelit. I përpiktë dhe komod, ai na çon në vend në më pak se dhjetë minuta.

DITA E PARË – PARKU “WARNER BROS”

Zgjedhim opsionin 2 ditë – 2 parqe, që na jep mundësinë të vizitojmë një ditë “Warner Bros”-in dhe ditën tjetër “Ferrari World”-in ose akuaparkun “Yas Waterworld”. Bileta është e shtrenjtë, si pothuajse çdo gjë në Emirate: kushton 435 AED, rreth 110 euro, megjithatë është rreth 40 euro më lirë sesa po t’i blesh veç e veç për çdo park. Ky park gjigant argëtimi është i gjithi i mbyllur dhe me ajër të kondicionu­ar. I ndarë në pesë zona tematike, ai ofron më shumë se tridhjetë aktivitete argëtuese, ideale për fëmijë nga mosha 3–16 vjeç. Këtë aventurë në parkun “Warner Bros” e shijuam familjaris­ht, por më i lumturi nga të gjithë ne është djali ynë i vogël, Luisi tetëvjeçar.

DITA E DYTË – “FERRARI WORLD”, ARGËTIM PËR TË GJITHË

Kur flasim për parqe argëtimi, “Ferrari World” është në top listën botërore. Ai është një park i madh, i mirorganiz­uar, me ajër të kondicionu­ar dhe, për fatin tonë të mirë, ka shumë pak radhë, ndoshta ngaqë jemi ende në fillim të sezonit turistik. Këtu ishte radha e më të mëdhenjve për të sprovuar veten: “rollercoas­ter”-i më i shpejtë në botë është një emocion i fortë që jo të gjithë kanë guximin ta provojnë. Te kategoria e “frikacakëv­e” bëj pjesë vetëm unë. Xhiroja përfundon me dëshirën e djalit të madh, Endit, për ta provuar përsëri.

DITA E TRETË – “BURJ KHALIFA”

Kur përmend Dubain, menjëherë të shkon mendja te kulla më e lartë në botë, 828 metra. Ngjitja për vetëm disa sekonda në majën e saj më la mbresa të jashtëzako­nshme, madje m’u duk sikur isha një personazh i filmit "Matrix". "Burj Khalifa", e ndërtuar për një kohë rekord, brenda pesë vjetësh, është simboli i një bote futuriste, i një të ardhmeje avangardë, ku çdo gjë është teknologji­ke. Zbritja do t’ju çojë në qendrën tregtare më të madhe në botë, me një mijë e dyqind dyqane e restorante. Sigurisht që nuk do të mund t’i vizitoni të gjitha, por të paktën do të njiheni me fjalën e fundit të modës.

DITA E KATËRT - SAFARI DESERT

Kjo është një nga përvojat më të bukura që mund të kem përjetuar ndonjëherë. I kisha imagjinuar peizazhet e saj nga filmi i famshëm “Seksi dhe qyteti 2“, por të ishe aty e të ndieje rërën e butë dhe dunat e pafundme kur perëndonte dielli, ishte një kënaqësi më vete. Edhe pse unë nuk jam aventurier­e, udhëtimi me makina të mëdha, herë i frikshëm e herë i mbushur me të qeshura, mbetet kujtimi më i bukur për mua, një përvojë e veçantë, sidomos kur ngjyrat e perëndimit të diellit krijonin një spektakël magjik në rërë. Mos e humbisni xhiron me makinë në rërë dhe shtëpitë e vjetra të beduinëve, sepse janë vërtet një mrekulli.

LIVING UDHËTIME

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.