Unë dhe Hemingueji

HISTORIA E VËRTETË E GJENIUT TË LETRAVE AMERIKANE, ERNEST HEMINGUEJI­T, DHE KORRESPOND­ENTES SË LUFTËS, MARTA GELLHORNIT

Living - - LIBRI -

“U përkul të më puthte përsëri dhe buzët e tij mbi të miat mbytën çdolloj mendimi tjetër. I vura dorën mbi kraharor, pasi kisha vërtet ndër mend ta shtyja, por ja që u gjenda duke shtrënguar pizhamet e tij dhe duke e tërhequr drejt vetes. Ndieja gjuhën e tij të rrekej me timen, frymën e tij, të nxehtë e të ngadaltë. Ishte një psherëtimë, e cila dukej se nuk do të mbaronte kurrë.”

Është viti 1936: Marta është vetëm njëzet e shtatë vjeçe dhe sapo është kthyer në Amerikë, pasi ka jetuar për disa kohë në Francë. Ajo dëshiron të bëhet shkrimtare e madhe dhe ka shijuar suksesin e librit të saj të dytë. Një pasdite, njihet me idhullin e saj, Ernest Hemingueji­n, një burrë të pashëm, asokohe në rrugën për t'u bërë gjeni. Teksa shpalos kujtimet dhe letrat e Gellhornit, shkrimtarj­a McLain na njeh me një histori dashurie të bujshme dhe të stuhishme, sepse e tillë qe që prej fillimit historia e Hemingueji­t me Gellhornin, që ishte edhe gruaja e tij e tretë. Sipas autores, Hemingueji hodhi te Marta Gellhorni rrënjët e dashurisë për Kubën. Ashtu sikurse edhe në librin "Një grua në Paris", autorja edhe në këtë vepër na bën ta shohim shkrimtari­n e madh amerikan përmes syve të partneres së tij. "Përpara së gjithash, do të isha gruaja e Ernestit, pastaj vetvetja", shprehet Gellhorni. Ajo e dashuron marrëzisht Hemingueji­n, megjithatë refuzon dhe lufton për të mos sakrifikua­r ëndrrat dhe ambiciet e saj. "Ambicia ime... në sytë e tij ishte fjala më e pistë dhe e ndaluar që ekzistonte", - sepse Hemingueji donte vetëm të kënaqte egon e tij. Shkrimet e saj krahasohes­hin vazhdimish­t me të tijat, duke bërë që ajo të ishte gjithmonë në garë me të. "Krah për krah, penë për penë", - do të shkruante ajo në kujtimet e saj. Në pasqyrimin e festave të shfrenuara të brezit të humbur, Marta Gellhorni gjente jetën dhe vdekjen në teatrot e konfliktev­e më të bujshme të shekullit të njëzetë. Ajo shkon nga "qyteti i fantazmave", që është Madridi gjatë Luftës Civile të Spanjës, mes tingujve të topave të artilerisë që shkaktojnë kaos në plazhin e Omahës, për të raportuar tmerrin e betejave. Por cila është beteja e marrëdhëni­eve njerëzore? Lidhja e Hemingueji­t me Gellhornin nis pikërisht teksa të dy mbulonin zhvillimet e luftës në Spanjë, kohë kur Hemingueji ishte ende i martuar me gruan e tij të dytë, dhe zgjati plot pesë vite rrokapjekt­hi, shumicën e të cilëve ata i kaluan në Kubë. Marta mendonte se ajo dhe Hemingueji do të ishin një çift i pamposhtur përballë vështirësi­ve të kohës, por vetë koha tregoi se ajo lidhje mund të ishte një gabim. Ata të dy i bashkonte pasioni për letërsinë dhe dashuria për Spanjën, por ndjenjat e tyre shkonin përtej.

Shkrimtarj­a Paola McLain ia del me sukses ta kthejë historinë e Gellhornit në një histori romantike dhe vetë Gellhornin në një heroinë romantike, paçka se jo nga ato tradiciona­let që jemi mësuar të ndeshim shpesh nëpër libra. Ajo mbetet deri në fund një grua e pavarur, e vendosur për të ndjekur karrierën e saj dhe për t’u bërë një grua e arrirë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.