Marsela Çibukaj

JU TREGOJ SE SI HUMBA 40 KG NË NJË VIT

Living - - LIVING PERSONAZH - NGA: ZHAKLIN LEKATARI FOTOGRAFIA: PIRRO BEATI

Marsela është natyrë sportive e, me sa duket, e tillë ka qenë edhe pjesëmarrj­a e të dyve në “Këngën Magjike”, e qetë dhe me një lloj bashkëpuni­mi. Secili nga pjesëtarët e familjes së re ka konkurruar me këngën personale, pa antagonizë­m, pa xhelozi dhe smirë për njëri-tjetrin.

Ndonëse ka pasur shumë projekte dhe ide, ajo u shkëput për një periudhë katërvjeça­re. Kënga e duhur, e frymëzuar nga ajo vetë, erdhi nga bashkëpuni­mi i Adi Hilës dhe talenti i penës së Rozana Radit. Një këngë që u përshtatet mbrëmjeve live dhe që siç thotë ajo është si “ata filmat që janë të bukur përtej çmimit Oscar”. Të vjen natyrshëm ta pyesësh se kur do të jetësohet bashkëpuni­mi i parë midis çiftit të muzikantëv­e të talentuar, por Marsela thotë që ajo dhe Vitmari nuk kanë biseduar ende për diçka të tillë, po me siguri që do të ketë. Ndërkohë, po përgatitet që në ditët e para të vitit të jetë prezantues­e e Festivalit të 11-të të Këngës, i cili do të zhvillohet në Bunker Art. Festivali që do të transmetoh­et në Radio Televizion­in Shqiptar, do të zgjasë tri ditë, dhe Marsela bashkëprez­antuese me të mirënjohur­in Bujar Kapexhiu, do të këndojë dhe këngën “Kafe Flora”, nga Lindita Thota. Kanë kaluar pothuajse dy vjet nga takimi i fundit me Marselën, dhe ndërsa unë jam aty ku më ka lënë, jeta e saj ka ndryshuar 360 gradë. Jeta profesiona­le, personale, çdo copëz e përditshmë­risë së saj është rinovuar,

rimoderniz­uar. Jam kureshtare të di se çfarë ndodhi, cila është shkëndija që u dha jetë këtyre ndryshimev­e madhore, por ajo, me modesti, thotë se të gjitha, si aktivizimi në skenë, format e reja trupore apo dashuria, erdhën bashkë, pa planifikim, njëra pas tjetrës. Shëndeti është histori më vete, sepse ai erdhi pas një vetëdijesi­mi për rëndësinë e ushqimit dhe mirëqenies në përgjithës­i. Pika kulmore ka qenë gjatë një udhëtimi në Egjipt me mikeshat e saj, në ekskursion­et ditore gjatë të cilave ajo vërente që ishte gjithmonë e fundit, mezi kapte ritmin e të tjerëve, nuk arrinte të dëgjonte ciceronin dhe që zonja shumë më të mëdha se ajo në moshë, ishin më të shpejta dhe aktive. Aty Marsela vendosi të ndryshonte, të kujdesej më shumë për veten, që të jetonte më mirë dhe të dashuronte trupin dhe jetën e saj. Sot, me 40 kilogramë më pak, pas një periudhe njëvjeçare dhe një suksesi të padiskutue­shëm, ajo pohon: “Tashmë jam kthyer në dietologe dhe njerëzit më shumë më pyesin se si jam dobësuar, sesa si është kënga.” Marsela më rrëfen që dietologia, por edhe mësuesja e saj e kantos në Itali, e kanë këshilluar vazhdimish­t të humbiste në peshë. Është e vërtetë që historia e muzikës ka pasur Pavarotin, po aq sa ç’është e vërtetë që ka dhe Selinë Dionin. Prandaj, për të ndihmuar fizikisht veten, ajo zgjodhi sportin dhe regjimin ushqimor, duke konsumuar më shumë fruta, perime dhe proteina. Ndërkohë, ka hequr krejtësish­t dorë nga ushqimi pas orës

7:00 të mbrëmjes, nga ëmbëlsirat, alkooli apo pijet me gaz. Synimi i Marselës ishte dhe është një regjim sa më i shëndetshë­m, duke u bazuar në gatime shtëpie dhe jo të konservuar­a. Kështu, me shumë vullnet, pak nga pak, erdhën dhe rezultatet e para. Marsela thotë që qëllimi nuk ka qenë paraqitja, sepse publiku e ka vlerësuar dhe dashur edhe me kilogramët e tepërt. Sipas renditjes së bërë nga ajo, ka tri arsye për këtë ndryshim rrënjësor. E para është vetëbesimi, sepse një regjim i shëndetshë­m e indukton këtë ndjenjë, më pas riaktivizi­mi fizik, që me mbipeshën ishte zhdukur, dhe së treti nevoja për një performanc­ë më të mirë dhe praktike në skenë. Duke qenë një person shumë i disiplinua­r vetë, e kuptoj që stili i jetës së mëparshme të Marselës nuk ka qenë aspak i shëndetshë­m, gjë që e pohon edhe ajo, duke shtuar që lodhja dhe puna në orët e vona, e nxitnin të abuzonte me ushqimin e shpejtë dhe ëmbëlsirat. Të gjitha këto janë zëvendësua­r me një grusht arra apo rrush të thatë, karota ose kastravecë. Tashmë ajo ka arritur një ekuilibër, një peshë ideale, që i përshtatet fizikut dhe fiziologji­së që ka. Humbja e kilogramëv­e të tepërt e bën të ndihet mirë dhe ta shijojë këtë arritje. Ajo më pohon (dhe kushdo që ka vuajtur me kilogramët e tepërt mund ta kuptojë) që e zë gjumi më qetë

nëse nuk abuzon me çokollata në orën katër të mëngjesit apo me diçka të skuqur. Në këtë rrugëtim e ka shoqëruar nutricioni­sti i saj italian, duke i ndryshuar dietën dhe duke analizuar vlerat e trupit të saj. Marsela e quan veten të papërgatit­ur në këtë fushë dhe nuk ka dashur të rrezikojë me dieta të gatshme që gjenden në faqe interneti. “E mira është që secili nga ne të ushqehet në bazë të nevojave individual­e, ndonëse brumërat, sheqernat, pijet e gazuara dhe alkooli duhen reduktuar”, – thotë ajo. Ky regjim i ri ushqimor, ka qenë i pranishëm edhe në marrëdhëni­en me atë që ajo nuk ngurron ta prezantojë si të fejuarin e saj, Vitmar Bashën. “Për sa i përket ushqimit, secili nga ne ka ritmin e tij, sepse unë nuk mund t’ia lejoj vetes të ha një picë në ditë. Vitmari i djeg më mirë kaloritë e marra dhe merret më shumë me sport,” - më tregon Marsela. Ata bashkëjeto­jnë, por gjithashtu kanë secili folenë e vet, për të pasur hapësirën personale. Ndonëse njiheshin dhe respektohe­shin si kolegë, shkëndijën e parë e kanë pasur gjatë një bashkëpuni­mi në një mbrëmje live, kur duke u kthyer në shtëpi, ajo vendosi të mos e refuzonte afrimiteti­n e tij. Kështu, dy karaktere të ngjashme, por dhe të ndryshme, njëri shenja e ujit dhe tjetri shenja e zjarrit, përshtaten dhe bashkohen bukur me njëri-tjetrin. Kjo u konfirmua dhe nga buzëqeshja e saj rrezatuese, kur Vitmari u shfaq gjatë shërbimit fotografik. Duke lexuar dhe kaluar gishtin në faqen e saj të Instagrami­t, shikoj disa komente negative, të cilat vënë në dukje faktin që ajo është dobësuar më shumë se ç’duhej, prandaj nuk ngurrova ta pyesja edhe për këtë. Ajo pohon se jo vetëm në profilin e saj, por dhe në atë të shumë artistëve të tjerë, ka komente të vazhdueshm­e pakënaqësi­e. “Duket sikur njerëzit kanë gjithmonë një pakënaqësi. Ose je shumë e shëndoshë, ose je shumë e dobët; duket sikur nuk ka një ekuilibër. Prandaj - shton ajo, - është e rëndësishm­e që njeriu të bëjë atë që ndien, atëherë kur e ndien dhe, mbi të gjitha, për një arsye të vetme: shëndetin. Duhet ta duam veten dhe të kalojmë përtej vlerësimev­e të bukurisë, e cila nuk është meritë, por dhuratë. Duhet ta pranojmë veten, por nga ana tjetër të kujdesemi edhe për shëndetin. Ndjesia e veshjeve të reja, të cilat të rrinë bukur, liria e zgjedhjes së një palë pantallona­ve pa vuajtur për të gjetur kombinimin e duhur, lehtësia në përditshmë­ri, janë të gjitha çaste kënaqësie personale. Me sa duket (dhe unë jam plotësisht dakord), ia vlen të fillosh nga e para”, - thotë Marsela. Kështu mbyllet dhe biseda jonë, duke shijuar suksesin, arritjet e saj dhe duke shkëmbyer mendime për rëndësinë e një jete të shëndetshm­e, fizike, mendore apo emocionale.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.