MIRË SE ERDHE, vjeshte!

Living - - EDITORIAL - Nga Santana & Etleva

A jeni gati për stinën e artë? Ne mund të numërojmë sa e sa arsye se pse vjeshta është stina më e bukur e vitit, ajo që e mbush ajrin me jetë dhe shpirtin me dashuri.

Me të hyrë vjeshta, të gjithëve na pëlqen ta nisim ndryshimin nga shtëpitë, të cilat i duam menjëherë më të ëmbla e më të ngrohta. Një batanije e lehtë hedhur mbi krahë, era karakteristike e gështenjave të pjekura dhe një libër në dorë, plotësojnë më së miri tablonë. Por ambientet në këtë stinë i ngrohin edhe aromat karakteristike, recetat për të cilat, më mirë se kudo, i gjeni në “Living”, nga duart e arta të Linda Fishtës: receta me kungull, mollë, miell misri e, natyrisht, nuk mund të mungojë receta për biskotat e Hallouinit, festës më të çmendur të stinës.

Vjeshta nuk është thjesht një stinë, por një stil jete. Për të gjithë të dashuruarit pas modës, ajo është stina më pikante, sepse starton një sezon të ri në industrinë e madhe fashion dhe sepse, duke qenë një stinë e artë, edhe look-u merr një pamje të tillë. Vjeshta është stina më e vështirë për të krijuar një pamje sa më IN, për të luajtur mes trendeve të momentit, ngjyrave dhe dëshirës për të spikatur gjatë kësaj periudhe. E kuqja e gjetheve, në të gjitha nuancat e saj, është kryefjala për këtë sezon, është ngjyra që fal ngrohtësi, që ndryshon humorin dhe që gjallëron pamjen kur nisin shirat e parë. Editorja jonë e modës, Santana Çomora, sjell kombinimet e veshjeve, këpucët, çantat dhe të gjitha trendet më të fundit për të krijuar një pamje sa më shik dhe elegante në këtë periudhë të vitit.

Për ata që u pëlqen të udhëtojnë, thonë se vjeshta është stina më e bukur për të shijuar bukuritë e natyrës. Teuta Borova, ndan me “Living” përvojat e udhëtimeve të saj, si edhe na sugjeron destinacionet më IN të momentit. Patoku, është një nga destinacionet më të dashura për ngjyrat që fal laguna gjatë kësaj stine. Estela Ujka, do të na zbulojë një ndryshim të bukur që ka sjellë vjeshta në familjen e saj. Edhe për kapitenin legjendar të futbollit shqiptar, Lorik Canën, kjo stinë ka ardhur me shumë ndryshime, detajet për të cilat mund t’i gjeni në një rrëfim ekskluziv të tij në brendësi të revistës.

Që ta lejosh vjeshtën të të pushtojë tërësisht, duhet ta dashurosh atë dhe të shkrihesh në aureolën e saj. Me rënien e gjethes së parë, me ngjyrën e zjarrit, nis një stinë e re, një stil i ri jete.

2017

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.