Koleksioni i çantave të çuditshme të Jerida Sakajt

«Mund ta ndeshësh tek shëtit shkujdesur rrugëve të Tiranës, me një ibrik në dorë. Duket sikur sapo ka dalë nga katalogu i personazheve fantastike të filmit vizatimor “Liza në Botën e Çudirave”, por, ibriku i festave mondane të çajit në dorën e saj, është

Living - - VJESHTË 2017 -

Jerida Sakaj, është vajza që shquhet për pamjen dhe stilin e saj aq të veçantë. E pazakontë në veshje, modele e ngjyra flokësh, po kaq e veçantë është edhe në zgjedhjen e aksesorëve. Këtu e kam fjalën për çantat.

Moderatorja e emisionit të njohur të mëngjesit në Club FM, është aq e apasionuar pas tyre, saqë ka krijuar një koleksion çantash me forma shumë të çuditshme. “Është një koleksion modest, - thotë ajo. - Në fakt, çdo koleksion nis pak nga pak. Në fillim ke një, pastaj bëhen dy, e kështu me radhë fillojnë të shtohen derisa ti kupton që po krijon një koleksion. Mua kështu më ka ndodhur, të paktën. Filloi me blerjen e çantës së parë, që ka qenë ibriku. U dashurova pas tij, dhe pa e kuptuar, fillova t’i shikoja gjërat me syrin që të gjej diçka që është e veçantë.”

Edhe pse Jerida ka një mori çantash të formave dhe madhësive të ndryshme, më e dashura për të mbetet pikërisht ajo në formën e ibrikut. “U bënë gati 8 vjet që e kam dhe ngelet akoma ndër të preferuarat e mia. Është e veçantë, komode, është lëkurë që nuk prishet. Kam edhe një tjetër që e kam blerë së fundmi, e cila është një atlete e madhe ‘All Stars’. Këto do të veçoja, por i dua të gjitha çantat që kam, se janë ndryshe nga njëra-tjetra.”

Në këtë koleksion të rrallë që ka krijuar Jerida, gjen edhe dy çanta të ricikluara prej xhinsi. Të dyja janë punime dore, por njërën ia ka bërë e ëma, tjetrën e ka blerë. Një aksesor shumë i veçantë, është edhe çanta njëbrirësh. Pa llogaritur këtu edhe çantën në formën e një busti femre. “Këtë e kam gjetur te gjërat e përdorura, - tregon Jerida. - Në fillim po e shikoja se nuk e kuptoja çfarë ishte dhe po afrohesha gradualisht, ngadalë-ngadalë, derisa e pashë dhe e mora.”

Të gjithë ata që e njohin Jeridën, dinë edhe pasionin që ajo ka për të transformuar veshjet në vepra arti. Të njëjtën gjë ajo e ka bërë edhe me disa çanta. Tani, në koleksion kanë mbetur vetëm dy prej tyre. Njëra të jep idenë e një imazhi tredimensional, ndërsa mbi tjetrën është pikturuar Çeshire, maçoku te filmi vizatimor “Liza në Botën e Çudirave”. “Mund të duket pak si fëmijërore, por mua më pëlqejnë shumë personazhet për fëmijë dhe një ndër librat e mi të preferuar e që nuk e heq edhe sot e kësaj dite nga dora, është ‘Liza në botën e çudirave’, - rrëfen Jerida.Shumë prej personazheve të librit, i kam realizuar në çantë apo në veshje.”

Po kaq e çuditshme është edhe çanta në formën e një termosi portativ, që në pjesën e sipërme ka edhe dekorin e pipëzës. Me të në duar, Jerida është gjithmonë e vetëkënaqur dhe e plotësuar, teksa nis ditën që herët në mëngjes. “Ajo mund të të bëjë edhe objekt ngacmimi në rrugë, - shprehet Jerida. - Mund të ketë djem që thonë ‘goce, më jep të pi një çikë’ (qesh)”.

Dhe realisht është e pamundur të mos ketë ngacmime, të cilat provokohen spontanisht nga ky koleksion i këndshëm çantash. Me to, Jerida zgjedh të zbukurojë çdo ditë veshjen e saj. “Ndodh edhe që më ngacmojnë, - thotë ajo, - por janë reagime të lezetshme. Megjithëse kur jam vetëm në rrugë, unë mbaj kufje, arrij t’u lexoj vetëm shprehjet e fytyrës. Por e shikoj që tërheqin vëmendje. Të mbash një atlete të varur në qafë, nuk është gjë e zakonshme,” - shton ajo duke qeshur.

Krijimi i një koleksioni kaq të veçantë, sigurisht që nuk është i thjeshtë. Janë aksesorë, të cilët nuk i gjen kudo dhe nëse i gjen, kushtojnë. “Fatmirësisht, ekzistojnë edhe dyqanet me gjëra të përdorura, ku mund të gjesh gjëra shumë të vlefshme, të bukura, cilësore dhe që i blen me një çmim të arsyeshëm. Unë kam disa çanta të blera aty dhe që i kanë rezistuar viteve.” Por, nga ana tjetër, Jerida ka angazhuar “ushtrinë” e saj për të përmbushur këtë “mision-pasion” që ajo ka. Mamaja është gjenerali i saj, personi që kujdeset më së shumti të përmbushë këtë pasion të së bijës. “Me mamin kam një bisedë shumë interesante, sepse i them shpesh ‘kur del të blesh, shikoji gjërat me syrin tim’. Dhe e kemi bërë këtë si lojë, sepse ajo ka tendencë tjetër. Nuk i sheh këto gjëra, është e pavëmendshme ndaj tyre. Ndaj tani unë ia lë shënim. Madje një herë i lashë një copë letër me një trëndafil në të, ku i shkruaja: ‘Të lutem, shikoji çantat me syrin tim’. Më në fund, edhe ajo ka filluar t’i shohë çantat me syrin tim (qesh). Kam edhe një mike shumë të mirë që është pre e këtij pasioni dhe në momentin që zbulon diçka të kësaj forme në internet, më dërgon edhe linkun dhe fillojmë të bëjmë blerje online të dyja. Disa prej çantave i kemi njësoj, mund të ndryshojë vetëm ngjyra. Kjo mike është Orgesa Zaimi.” Ndërkohë edhe miqtë e ngushtë të Jeridës, ata të cilët ia dinë këtë dobësi, përpiqen ta kënaqin me zgjedhje unike. Shpesh, kur ata shkojnë jashtë vendit, kthehen me ndonjë çantë të çuditshme për miken e tyre.

Vajza, ndoshta me stilin më të veçantë në Tiranë, i mban kudo këto aksesorë. Ajo tregon se në shtëpinë e saj nuk gjenden më çanta normale. Edhe kur i duhet të shkojë nëpër festa apo evenimente zyrtare, që për punën e saj janë të shpeshta, Jerida zgjedh gjithmonë t’i kombinojë veshjes serioze një nga këta aksesorë. “Njëbrirëshin, tregon ajo, - e kam përdorur edhe në evenimente të tilla, edhe pse veshja ka qenë serioze. Kam qenë e veshur me të zeza dhe taka e në dorë mbaja njëbrirëshin. Unë them se po të dish t’i kombinosh, këto çanta mund të rrinë edhe me veshje klasike. Edhe këtë çantën si bust femëror e kam përdorur dhe mund ta sajosh shumë lezetshëm, duke qenë se është e zezë dhe me pelush sipër. Pra, nuk ka kufizime. Megjithatë, pjesën më të madhe të tyre i mbaj në përditshmëri. Kam edhe çanta shpine që janë me formë të veçantë, siç është bufi. Kur vishesh me xhinse, bufi qëndron shumë mirë në veshje dhe është komod. Çantat xhins po ashtu. Pra, për mua është bërë normale që çdo ditë të marr një nga këto çanta.”

Ajo dëshiron që ky koleksion modest në sasi, por jo në vlera, të shtohet. Madje, Jeridës i ka ngelur fiksim një çantë shumë e veçantë që nuk arriti dot ta blinte në internet, pasi dikush tjetër u tregua më i shkathët se ajo. Ishte një çantë-tren, për të cilën Jerida kërkon edhe sot e kësaj ditë se mos gjen diçka të ngjashme me të.

Të gjitha këto çanta duket sikur e fusin Jeridën në një botë joreale, në një nga ato realitetet ku përgjithësisht të vegjlit zgjedhin të rrinë. Madje, shpeshherë, pa dashje, ajo ua bën zili vajzave të vogla me këto objekte formash të çuditshme. “Fqinja ime ka një vajzë që kërkon të më marrë bufin. E kemi lënë që, nëse ajo e mbaron klasën e tretë me rezultate shumë të mira, mund ta ketë dhuratë çantën buf. Do thuash ti tani që unë bëj konkurrencë çantash me një vajzë të vogël (qesh). Nuk është keq që herë pas here të ndihemi fëmijë.”

Duket se ky pasion i veçantë i saj, ka nisur që në fëmijëri. “Mami më kujtoi një ditë që kur isha në klasë të dytë, atëherë kur të gjithë i kishim çantat njësoj, unë i ngjisja times kukulla të vogla ose pulla të mëdha. As nuk e mbaj mend se si i ngjisja, por mami tani më ngacmon duke më thënë se, që e vogël doja që çanta ime të ishte ndryshe. Mbaj mend që më vonë fillova t’u vendosja spila, i shkruaja, u qepja gjëra nga më të ndryshmet. Me sa duket, e paskam pasur prirje që atëherë këtë. Mbaj mend që mami angazhohej shumë për të më ndihmuar. Ajo vizaton shumë mirë dhe ka qenë rrobaqepëse shumë e mirë, kështu që më ndihmonte të realizoja kërkesat e veçanta që kisha qysh fëmijë. Rrinte me net të tëra duke më thurur çanta me shtiza. Nuk kam ruajtur asnjë nga ato. Po t’i kisha, koleksioni im sot do të ishte shumë më i vjetër se sa ky që kam,” - përfundon rrëfimin e saj Jerida.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.