ARKITEKTJA E KËPUCËVE

Dhe pasioni i saj i fshehtë

Living - - VJESHTË 2017 -

e Jorida Papën e takova rastësisht gjatë periudhës së verës, këtu në Tiranë, kur, në ato ditë të nxehta, kalonte pushimet bashkë me familjen e saj. Ishte një rastësi fatlume për të dyja, sepse ndonëse në fillimet e saj si disenjatore këpucësh, ajo kishte shumë për të më treguar: se si një mesazh telefonik e zgjoi nga gjumi, e deri te çasti kur arriti të konkretizonte skicën e vizatuar, në një këpucë të vërtetë, shumë ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim zakonisht. Jorida, ose siç e thërrasin të gjithë, Jori, jeton mes Tiranës dhe Londrës, aty ku punon prej vitesh si arkitekte. Prej kohësh, ajo kishte një pasion të fshehur, që e ngacmonte vazhdimisht, i dërgonte impulse pozitive, i sillte sinjale frytdhënëse dhe i krijonte fantazi të shumta, duke e çuar në botë të largëta e ekzotike, për t’ia pasuruar krijimtarinë.

Dhe çasti i shumëpritur erdhi! Pikërisht atëherë kur nuk e priste, kur jeta e saj kishte marrë një kah tjetër, kur tashmë ishte bërë nënë e dy fëmijëve, Jorida nisi të shfletonte katalogë, manuale dhe stilistë me emër të këpucëve, për të parë modele e forma të ndryshme. Skiconte për orë të tëra, fshinte e përpiqej përsëri të bënte të duhurën.

Kujton se si një shoqe, gjatë një bisede telefonike, e kishte nxitur për ta vënë në jetë pasionin e saj. “Ai mesazh më erdhi si ajo zana në librat e fëmijëve, që bën çudira me shkopin magjik. E quajta true calling, sepse, në fakt, atë ndikim pati tek unë,” – thotë ajo.

Jorida, disenjatorja e parë shqiptare e këpucëve, kujton se si që e vogël, vetëm kur ishte gjashtë vjeçe, gjatë kohës së lirë skiconte veshje në fletore ose në kapakët e librave, ashtu siç i vinin në mendjen e saj prej fëmije:

“Mbaj mend që ndieja kënaqësi të veçantë kur vizatoja. Gjithmonë kam patur dëshirë të krijoja veshje, por rrugëtimi im mori një kthesë tjetër. Zgjodha arkitekturën, sepse dëshira për të krijuar rritej bashkë me mua. Por, gjatë viteve të shkollës dhe punës, kuptova që kjo degë kishte më shumë lidhje me shifrat, sesa me krijimtarinë.”

Pse zgjodhët të disenjonit këpucë dhe jo veshje?

Këpucët janë aksesori më dominues i femrës. Mund të luash me formën, ngjyrat, dhe t’i detajosh me materiale të ndryshme. U dashurova me këpucën në momentet që skicoja dhe bëja punë kërkimore për to.

Çfarë përfaqësojnë këpucët tuaja? U keni vënë secilës nga një emër.

Këpucët më përfaqësojnë mua, mënyrën se si unë e shoh botën dhe atë që dua të jem, unike. Secila këpucë është krijuar nga një frymëzim dhe në përfundim, ato emërtohen për t’u dalluar nga njëra– tjetra, sipas fantazisë sime.

Cilët ishin personat e parë që ju nxitën ta bënit realitet pasionin tuaj?

Dëshira ime ka qenë gjithmonë që të njihesha në këtë fushë dhe në çdo çast bëja kërkime në internet e këshillohesha me të afërmit e mi, por asnjëherë nuk do ta kisha nisur këtë rrugë pa mbështetjen e bashkëshortit tim.

Cila ishte këpuca e parë? Më rrëfeni pak historinë e saj.

Këpuca e parë ishte Maria, e cila lidhet me mua dhe me emrin tim të pagëzimit. Tek ajo këpucë, kam shprehur si në formë dhe në ngjyrë, diçka ndryshe, që e dallon nga të tjerat. Këpucët tuaja ende nuk kanë dalë në treg, por janë në procesin e fabrikimit. Cila është rruga që ndjek këpuca nga çasti kur është në letër e deri kur e ke në dorë? Këpucët po prodhohen në Itali, me një cilësi shumë të lartë, në një nga zonat kryesore të prodhimit të këpucëve “Le Marche”. Ndërkohë, po punoj për krijimin e markës, e cila do të jetë ndërkombëtare. Shumë shpejt, do të hedh online faqen e internetit ku mund të shihen të gjitha këpucët dhe në të ardhmen do të ketë edhe një dyqan virtual.

A keni menduar për logon tuaj? A do të ketë ndonjë detaj shqiptar që do t’i bëjë të identifikueshme në treg?

Logon dhe markën po i punoj aktualisht dhe ndërkohë jam e hapur edhe për bashkëpunime me investitorë shqiptarë ose të huaj, të cilët do të jenë të interesuar. Kemi planifikuar që në të ardhmen të bëjmë një koleksion kushtuar Shqipërisë.

Cilat nga 13 këpucët e koleksionit të parë është më e preferuara juaj, apo nuk i ndani dot?

Të gjitha këpucët janë krijime të miat. Nuk mund të them kë kam të preferuar. Por, te stili Maria, duke qenë se ishte skica e parë, kam dashur të jap maksimumin e ideve të mia. Këpucët tuaja dallojnë për një stil krejt të veçantë si te takat, ashtu edhe në model. Çfarë i bën ato të veçanta?

Profili im si arkitekte, më ka ndihmuar të krijoja një përputhje midis formave, ngjyrave dhe materialeve, me anën konstruktive. I dua shumë ngjyrat dhe, te këpucët JORIPAPA, ato do të jenë gjithmonë të pranishme. Për mua, e rëndësishme është që taka e këpucës të jetë e rehatshme dhe në një lartësi të pranueshme. Në koleksionin që do të dalë në 2018-n, ato do të kenë një lartësi prej 8cm. Në të ardhmen, do të kemi të sheshta dhe stile të tjera.

Mendoni se pasioni juaj për modën ia arriti qëllimit? Do të vazhdoni të disenjoni edhe gjëra të tjera, për shembull veshje, apo tashmë drejtim juaj është të ideoni vetëm këpucë të bukura?

Unë jam akoma në fillimet e mia e kam shumë punë përpara. Disenjimi është pasion për mua dhe në planet e mia për të ardhmen, mendoj të realizoj çanta dhe veshje.

Cila do të jetë femra që do t’i mbajë në këmbë ato këpucë?

Femrat që do t’i mbajnë në këmbë janë ato, të cilat punojnë deri vonë dhe u duhet të dalin me mikeshat në darkë. Gjithashtu, janë edhe për femrat streetstyle, që duan të jenë unike në veshjen e tyre të përditshme.

Arkitektura e ndihmoi Joridën në perceptimet e formave, në kompozime dhe në anën konstruktive të tyre, ndërsa pasioni i la rrugë të lirë ëndrrës, e cila zëre se kishte lindur bashkë me të. Frymëzimi për të krijuar këtë koleksion prej 13 këpucësh, erdhi nga natyra, zogjtë, lulet, fluturat e kryesisht ngacmuesi kryesor ka qenë syri i papagallit. Ndërkohë që çdo gjë, qoftë dhe një person apo mënyrë qëndrimi i tij, e frymëzojnë vazhdimisht:

“Çdo gjë që më frymëzon bëhet pjesë e një bordi të varur në mur dhe kaloj orë të tëra duke e parë, derisa e gjitha më kthehet në ide. Zakonisht, përfytyrimi për një këpucë më vjen në mbrëmje, përpara se të fle. Atëherë e finalizoj në mendjen time me detaje të tjera e në mëngjes e hedh në letër.”

Jorida shpreson dhe po punon shumë që këpucët nën markën JP, të bëhen të njohura jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, sepse këpuca JP është këpuca e ditëve të sotme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.