Spitali Amerikan - Kundër kancerit të gjirit

Living - - VJESHTË 2017 -

Asnjëherë nuk është e tepërt të flasësh për shëndetin. T’i japësh vëmendje të plotë nuk do të mjaftonte as një ditë, as një javë dhe as një muaj. Përkujdesja duhet të jetë çdo ditë të vitit. Ndonëse e dimë mirë këtë gjë, për arsye nga më të ndryshmet, në renditjen e përparësive jo gjithmonë mirëqënien tonë e vendosim në krye. Por ka disa sëmundje agresive ku faktori kohë është thelbësori. Muaji tetor të kthen vëmendjen ndaj kujdesit të vetes dhe njerëzve të shtrenjtë që të rrethojnë.

Në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje. Jo pak gra të ndikuara nga këmbana e fushatave sensibilizuese vendosin të bëjnë ekon apo mamografinë e parë këtë muaj dhe shumë të tjera e kanë kthyer në një zakon të përvitshëm. Vetëm zbulimi i hershëm i sëmundjes e kthen në një betejë të fituar luftën me kancerin e gjirit.

Në vendin tonë është bërë një progres i ndjeshëm dhe gratë dukshëm shfaqin më shumë kujdes për veten e tyre. Kjo vihet re lehtësisht këto ditë të muajit tetor në Spitalin Amerikan. Dr. Shk. Iris Allajbeu, shefe e departamentit të imazherisë së avancuar pohon se gjatë 10 viteve që Spitali Amerikan bën ndërgjegjësim në masë duke organizuar çdo vit një sërë projektesh, ka dhënë rezultatet e pritshme dhe i ka bërë gratë më të ndjeshme ndaj kontrolleve. Në vitin e 10- të Spitali Amerikan shkon përtej apelit ndërgjegjësues dhe e çon në një tjetër nivel kontributin kundër kancerit të gjirit, duke i ardhur veçanërisht në ndihmë grave nga shtresat në nevojë.

“Në bashkëpunim me institucionet përkatëse do të evidentohen gratë me më pak mundësi financiare dhe ato do të marrin një asistencë të plotë falas nga Spitali Amerikan. Eko gjiri, mamografi, konsultë me specialistin senolog, rezonancë magnetike falas. Ajo që synojmë është jo vetëm të diagnostikojmë, por nga ky grup grash do të marrim përsipër edhe t’i trajtojmë falas.”

Krahas paketës për gratë në nevojë, Spitali Amerikan fton të gjitha gratë gjatë muajit tetor të bëjnë eko gjiri, mamografi dhe konsultën me specialistin senolog falas, ndërsa rezonancën magnetike me gjysmë çmimi.

PËRSE ËSHTË E RËNDËSISHME DHE NË CILAT RASTE DUHET BËRË REZONANCA MAGNETIKE?

Rezonanca magnetike është shumë e rëndësishme dhe jep imazhe tredimensionale të detajuara. Kjo pajisje mjekësore është fjala e fundit e imazherisë së avancuar në diagnostikimin e kancerit të gjirit. Kjo e bën rezonancën magnetike ekzaminimin më të avancuar diagnostikues për sëmundjet e gjirit që realizohet me anë të një programi të posaçëm nga specialistët përkatës. Është një ekzaminim joinvaziv, pa dhimbje, pa rrezatim dhe pa efekte anësore, i sigurt për të gjitha grupmoshat e pacientëve.

Rezonanca magnetike jep informacion të detajuar për të gjitha patologjitë e gjirit në rastet kur metodat e tjera diagnostikuese, si mamografia apo ekoja janë të pamjaftueshme, duke çuar në diagnostikimin e saktë të sëmundjes. Gjithashtu rezonanca magnetike e gjirit arrin të diagnostikojë patologjitë e gjirit që në fazat fillestare kur ato nuk janë të dukshme ende në mamografi apo eko.

Rezonance magnetike nuk është një metodë depistuese për të gjithë popullatën, por një metodë imazherike e avancuar që përdoret për grupe të caktuara dhe në situata të caktuara si:

Depistimi i grave me RISK TË LARTË për kancerin e gjirit. Në këtë grup përfshihen:

Gratë me histori familjare të kancerit të gjirit të të afërmve si; nëna, motra, tezja, nën moshën 50 vjeç. Defektet apo mutacionet gjenetike BRCA1 dhe BRCA2 Histori e kancerit të njërit gji, e cila rrit rrezikun për kancer në gjirin tjetër

Histori e rrezatimit të kraharorit në doza të larta në moshat 10-30 vjeç Diagnostikimi i lezioneve prekanceroze të gjirit në biopsi si hiperplazia atipike duktale, karcinoma insitu lobulare apo duktale.

Rezonanca magnetike luan një rol të rëndësishëm në planifikimin e ndërhyrjes kirurgjikale dhe terapisë në pacientët të diagnostikuar me kancer gjiri, pasi jep informacion të detajuar për përhapjen e kancerit dhe të strukturave përreth dhe vlerësimin e gjirit tjetër për të përjashtuar një vatër të mundshme kanceri.

Ky ekzaminim, ashtu si dhe të gjitha ekzaminimet e tjera të gjirit këshillohet të kryhet brenda 10 ditëshit të parë të ciklit menstrual, mundësisht ditën 5-7 të ciklit, ku gjiri është më i qetë dhe më pak i ndikuar nga ndryshimet hormonale.

Në Spitalin Amerikan secila grua shihet si unike dhe diagnostikimi i secilës bëhet i personalizuar. Diagnostikimi i personalizuar merr në analizë grupmoshën, historinë familjare, rrisqet e ndryshme, e të tjera. Diagnostikimi i personalizuar kërkon një sistem dixhital të kryerjes dhe arkivimit të imazheve. Të gjitha të dhënat e secilës grua që do të diagnosikohet për herë të parë në Shqipëri do të shënohen në një databazë dixhitale. Ky proces është shumë i rëndësishëm për vetë pacientin, për një spital por vecanërisht për radiologjinë. Përmes këtij sistemi dixhital sigurohet arkivimi, ruajtja e informacionit personal për një kohë të gjatë dhe ofron mundësinë e vizualizimit pra aksesit në cdo kohë dhe në çdo vend. Aty përshkruhen historiku, të gjitha të dhënat, anamneza, ndërhyrjet e ndryshme.

Përmes sistemit dixhital, PACS, Spitali Amerikan sapo ka sjellë në Shqipëri arritjen e mjekësisë moderne. Kjo nuk është vetëm një arritje e këtij spitali, por arritje e mjekësisë shqiptare që e rendit Spitalin Amerikan në të njëjtin nivel me spitalet në vendet më të zhvilluara perëndimore.

Duke qenë të aksesueshme nga kudo, ky historik personal do të ndihmonte në një diagnozë më të shpejtë, pra në një shërbim më të shpejtë dhe cilësor sipas standardeve bashkëkohore.

Këtë tetor Spitali Amerikan nuk bën vetëm ndërgjegjësim, kontrolle rutinë apo më të imtësishme, por krijon databazë personale dhe jep shpresë. Mjekësia jep garanci të plotë se kanceri i gjirit nuk është më sëmundja që duhet të frikësojë gratë. Me pak përkushtim nga ana e tyre, ajo mund të parandalohet dhe trajtohet me sukses.

Dr. Shk. Iris Allajbeu Shefe e Departamentit të Imazherisë Spitali Amerikan

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.