DEBORA KEÇI Përgjithmonë e varur nga sporti

NJERIU DUHET TË JETË MË I MIRË SEÇ ISHTE DJE, JO MË I MIRË SE TJETRI.

Living - - VJESHTË 2017 - NGA Elona Jaçellari | FOTOGRAFIA: Armand Habazaj

DEBORAH KEÇI është nga ato vajza, së cilës e ke të pamundur të mos i kushtosh vëmendje kur të kalon pranë. Plot hijeshi, estetikë, elegancë në sjellje dhe formë fizike të përkryer, Deborah është vajza, e cila ka shumë për të dhënë me modelin e saj. Është 25 vjeçe, por arritjet e saj dhe karakteri i plotëformuar, të japin përshtypjen e një njeriu që i ka jetuar disa dekada të mira. Megjithatë, nëse e ndan me Deborah-n këtë përshtypje, ajo modestisht do të thotë: “E kam nga regjimi i sportit”. Dhe më pëlqen vërtet të besoj se sporti skalit mrekullisht jo vetëm fizikun, por edhe karakterin. Modeli i ishsportistes/ kampiones, e cila edhe pse ka marrë një kthesë 180-gradëshe në jetën e saj, nuk i ka shpëtuar dot “varësisë” që ka ndaj sportit, ma provon këtë.

Prej më se një viti, 25-vjeçaren nga Durrësi të rastis shpesh ta ndeshësh në mjediset e bashkisë së Tiranës. Pak vite më parë, ajo bëri një kapërcim të fortë, duke lënë pas karrierën si notare, për të nisur studimet universitare për Ekonomi Ndërkombëtare në Universitetin e Bocconit, Milano. “Mbaj mend që kur shkova të studioja në Milano në vitin 2010, - thotë Deborah, - isha me mendjen të bëja shkollën e të vazhdoja edhe sportin. Doja të kapja Lojërat Olimpike në Londër 2014. I thosha vetes: ‘Do të bëj stërvitje, do të angazhohem me një ekip italian’. Por, ishte e pamundur. Unë kam vullnet të hekurt, por e pashë që nuk mund të bëja dot dhe shkollën, edhe sportin. Jetoja vetëm, isha 17 vjeçe, largohesha nga familja për herë të parë, orët e mësimit ishin të shpërndara në kohë të ndryshme të ditës, më duhej të merrja 4 metro për të shkuar në stërvitje dhe kur kthehesha në shtëpi në darkë, kisha detyra për të bërë. Mbaj mend që një natë e mora babin në telefon duke qarë dhe i thashë që s’mundesha më. Ai ka qenë gjithnjë mbështetësi im më i madh në sport, por më tha të bëja atë që ndieja. U mërzita aq shumë sa, për gati gjashtë muaj nuk shkova në pishinë as për qejf. Lashë palestrën e çdo aktivitet tjetër. Por, ndodhi që fillova të shëndoshesha, sepse isha një njeri që gjithë jetën isha marrë me sport, stërvitesha 4 orë çdo ditë. Pastaj, i thashë vetes: ‘More një vendim, nuk do të garosh më, por mos hiq dorë nga aktivitetet sportive. Fillova pak nga pak palestrën, sepse shkolla më merrte shumë kohë. Por, dua të them se përjetova një kënaqësi shumë të madhe kur u diplomova, sepse Bocconi është një universitet shumë i vështirë”,- përfundon Deborah.

Dhe merita, siç thotë ajo, edhe për këtë sukses buron nga sporti, sepse të ushtrohesh në një disiplinë që në moshë të vogël, të forcon vullnetin dhe të përgatit për të mbërritur me sukses në një finish, cilido qoftë ai në jetë.

Deborah ishte 11 vjeçe kur filloi notin. Një moshë relativisht e madhe për të nisur karrierën si sportiste, por arsyet e përfshirjes së saj në not ishin për qëllime të tjera. Kishte një problem me shtyllën kurrizore dhe mjeku i tha që noti mund ta ndihmonte për korrigjimin e defektit. Nga ana tjetër, duke qenë fëmijë pak buçko, prindërit vendosën ta fusnin në sport. “Nuk kisha aspiratë të bëhesha sportiste, - tregon Deborah. - Nisa stërvitjen, mirëpo trajneri më pa dhe tha se kisha për t’u bërë shumë e mirë. I kërkoi babit që të federohesha. Në klasë të pestë unë nisa karrierën, që është moshë relativisht e madhe për të filluar sportin, sepse profesionistët e nisin në moshë fare të vogël.

Por, unë isha natyrë shumë kërkuese ndaj vetes, me ego, me ambicie dhe fillova të shkoja në stërvitje me qejf të madh. Babi më ndiqte çdo ditë dhe rrinte aty, më maste kohën, ndërsa mami, nga ana tjetër, më thoshte: ‘Bëje për pasion, se nuk ke për t’u bërë ndonjëherë sportiste’. Gjithmonë parësore për mua ka qenë shkolla, sepse kam qenë edhe nxënëse shumë e mirë. Kam pasur idenë që do ta bëja shkollën jashtë e aty do të investohesha. Unë isha në kolegj privat atëherë dhe nga ora 8:00 deri në orën 16.00 isha në shkollë. Kur shkoja në shtëpi, nga ora 16.00 deri në orën 18:00 bëja detyrat dhe nga ora 19:00 deri në 21:00 shkoja çdo ditë në stërvitje. Kishte raste që kthehesha në shtëpi e më zinte gjumi sipër librave. Pra, nga klasa e pestë e deri në vitin e fundit të gjimnazit, më ka shoqëruar sporti dhe ai ka qenë investimi më i mirë që kam bërë për veten. I mbaj mend ato vite si më të bukurat dhe i kujtoj me nostalgji. Atë që më ka mësuar sporti, nuk ma ka mësuar as shkolla dhe asgjë në jetë. Të krijon fokus, disiplinë, vullnet edhe pasion,” - përfundon Deborah.

Nëse pyet dikë se çfarë e karakterizon Deborah-n, përgjigjja është “vullneti”. Sepse çdo gjë që ajo ka arritur, e ka arritur duke punuar shumë. Për të, nëse do të arrish diçka, duhet të punosh. Madje thotë se, ndonjëherë vullneti e mund edhe talentin. “Edhe në punë jam njeri që bëj shumë gjëra në të njëjtën kohë. Që e vogël u mësova të bëja shumë gjëra njëkohësisht. Përveç sportit, merrja pjesë nëpër aktivitete

artistike në shkollë, konkurse e olimpiada matematike, edhe pse sporti ishte ai që më merrte gjithë vëmendjen. Kur m’u desh ta lija, me mbarimin e gjimnazit, ka qenë një nga zgjedhjet më të vështira që kam bërë,” - rrëfen Deborah. Por, edhe pse nuk është më sportiste profesioniste, 24-vjeçarja sportin e ka kthyer në stil jete.

“Unë edhe tani, - thotë ajo, - kam qejf që pas pune të bëj ndonjë sport/aktivitet. Më ka kapur qejfi i maratonave. Pak kohë më parë bëra Triathlone-n (është një sport që përfshin tre disiplina: not, biçikletë dhe vrap). Duke qenë se jam tip kompetitiv, regjistrohem në një maratonë dhe filloj stërvitjen. Për shembull, te Triathlone dola e para. Edhe vjet te maratona e Tiranës, që u bë për herë të parë, fitova në garën e 10-kilometërshit. Nuk është se dua të fitoj patjetër, por i vendos vetes një objektiv dhe kam qejf të jap më të mirën time, jo me synimin për të fituar, sepse në këto lloj kompeticionesh njeriu garën e ka më shumë me veten, sesa me garuesit e tjerë. Njeriu e bën këtë për të përmirësuar kohën e tij, jo për të sfiduar tjetrin”.

Aktualisht, e reja e apasionuar pas sporteve, punon pranë Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik në bashkinë e Tiranës, sepse profili i diplomës së saj përshtatet me këtë vend. “Puna që bëj aktualisht është shumë e bukur. Jam marrë me projektet e ndërtimit të shkollave të reja dhe qendrave komunitare, por zemra më rreh aty ku kam pasionin,” - ndan Deborah për Living. Por, dalëngadalë autoritetet në punën e saj zbuluan edhe meritat e tjera. “Nuk kam shumë që kam filluar punë në bashki dhe nuk njihesha me të gjithë kur, para një viti më mori dikush nga Drejtoria e Sporteve në bashki për të konfirmuar numrin garues me të cilin isha regjistruar në maratonën e Tiranës. Aty mësova që kishte një drejtori sporti, punoja prej një viti dhe nuk e dija. Duke qenë se unë e fitova maratonën e Tiranës, u zbulua që edhe unë punoj në bashki dhe kryetari tha: ‘Ne e kemi pasur këtu dhe s’e dinim, ta angazhojmë”. Erdhën disa organizues nga maratona e Vjenës për të na trajnuar për maratonën e sivjetshme të 15 tetorit dhe më morën në telefon për ta ndjekur këtë trajnim, sepse si atlete mund të jepja ndonjë ide për të përmirësuar maratonën. Menjëherë pas këtij angazhimi, filloi pasioni që të bëjmë edhe këtë, edhe atë gjë për sportin. Tani jam shkëputur thuajse fare nga drejtoria ime dhe gjithë vëmendja është përqendruar te maratona. Duket një gjë e thjeshtë, por ka një mijë gjëra që duhen pasur në kontroll, nga infrastruktura e çdo detaj tjetër,” përfundon koordinatorja e Maratonës së Tiranës. Si një ish-sportiste, ajo është përfshirë kokë e këmbë në këtë sipërmarrje dhe synimi i saj i ardhshëm është të kontribuojë në projekte të tjera të rëndësishme për qytetin, duke përmirësuar cilësinë e jetës, sepse ajo vetë është pioniere e jetesës së shëndetshme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.