Një libër poshtë pemës

Living - - DIMËR 2018 - NGA INES IBRAHIMI

Në këtë periudhë të magjishme të vitit, mos harroni të vendosni poshtë pemës së Krishtlindjes, dhuratat më të bukura për të dashurit tuaj. Këtë fundvit, dhuroni një libër dhe do të keni dhuruar një botë të tërë. Living ju sjell disa sugjerime për të gjithë ju që keni zgjedhur librin si simbolin e fillimit të një kapitulli të ri në jetën tuaj. Gëzuar! 1. Premtimi i Krishtlindjes Richard Paul Evans | Botimet Living

Një histori dashurie nga mjeshtri i librave për festa, Richard Paul Evans! Elisa Duton do të përballet me Nikolasin e do të marrë prej tij një propozim të çuditshëm: për tetë javët në vijim, ata duhet të shtiren sikur janë çift. Një kontratë e pazakontë për Krishtlindje do të lidhë jetët e tyre përjetësisht!

2. Pape Satàn Aleppe. Kronika të një shoqërie të lëngshme Umberto Eco | Shtëpia Botuese DITURIA

Kjo është një përmbledhje artikujsh botuar nga Umberto Ecoja në revistën l’Espresso, rubrika “Zarfi i Minervës”. Gjejmë këtu fytyrat më të njohura të shoqërisë së sotme: maskat e politikës, obsesionet mediatike për të rënë në sy. Që të gjithë (ose thuajse) duket se e bashkëndajmë jetën simbiotike me telefonat tanë. “Njeriu nuk shikon më peizazhin, nuk reflekton mbi jetën dhe vdekjen, por i lëshon fjalët breshëri, thuajse gjithnjë pa asgjë të ngutshme për të thënë.” Kjo është shoqëria e lëngshme, ku nonsensi duket se del mbi racionalizmin, me efekte sigurisht komike të papërsëritshme, por me pasoja jo përnjëmend premtuese. 3. Amerikë ‘62, de profundis Panos Ioannides | Ombra GVG

Në tetor të vitit 1962, gazetarit qipriot Petro Arkondidhi i akordohet një bursë nga Universiteti i Sirakuzës në Nju Jork. Mes shumë gazetarëve nga vende të ndryshme të botës, që ndjekin të njëjtin program, është gazetari turk Mehmet Riza Ozguli. Edhe pse në Qipron e ndarë ka shumë armiqësi mes turqve dhe grekëve, Arkondidhi dhe Ozguli shumë shpejt bëhen miq. 4. Dhunë e dhunti Enit Karafili Steiner | Botime Pegi

Maksi dhe Toska janë dy vëllezër binjakë, të shpërngulur në Amerikë, në kërkim të lumturisë dhe Tokës së Premtuar. Të lidhur ngushtë, jo vetëm përmes kapilarëve të hollë të gjakut, fëmijërisë dhe ëndrrave të tyre, përjetësisht të pandashme, mes tyre futet shpirti i një gruaje. “Vala” e fatalitetit do t’i rrëmbejë në vorbullën e vet të tria qeniet, sidomos pas një aksidenti tragjik që do të pësojë Maksi, duke i mbajtur pezull mes “dhunës e dhuntisë”. 5. E fshehta e shëronjëses Sabine Ebert | Botimet Living

Gjermani, viti 1100. Marta është një vajzë jetime, e rritur nga një shëronjëse. Përveç njohurive të përftuara prej saj, ajo ka edhe aftësi të tjera të lindura, të cilat do ta përballin me mjekë dhe njerëz të tjerë të pushtetshëm, të cilët, asokohe, mendonin se detyra e një gruaje është të lindë fëmijë e të kujdeset për shtëpinë. Fati do të sjellë në rrugën e saj një kalorës trim e zemërmirë, me të cilin ajo do të kalojë aventura, do të fitojë kurajë e do të ndryshojë kryekëput jetën e saj. 6. Vendi im i imagjinuar Isabel Allende | Botimet Dudaj

Ky roman është një udhëtim marramendës, ku shkrimtarja kthehet pas emigrimit të detyrueshëm, pas grushtit të shtetit të Pinoçetit, në fillim me mendje e pastaj me trup. E nëpër faqet e mrekullueshme të këtij libri endet në kujtimet e fëmijërisë, rritjes, maturimit, vuajtjeve e gëzimit. Një atmosferë që të tërheq si magnet e të bën ta konsiderosh Kilin si një nga vendet që duhen vizituar të paktën njëherë në jetë.

7. Posta Charles Bukowski | Botime Pegi

“Posta”, romani i parë i Charles Bukowski–t, një ish– nëpunësi të rëndomtë poste, u botua më 1971 dhe tronditi fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I lindur dështak, me një profesion pa rrugëdalje, i cili nuk i jep asnjë kënaqësi personale e megjithatë, me mjaft vetëdije sa për të dalluar absurditetin e situatës së tij, Çinaski është emblema e njeriut të zakonshëm dhe siç do të ndodhte për pothuajse gjithë prozën e tij, alteregoja legjendare e Bukowski–t. 8. Shantaram Gregory David Roberts | Botimet Living

Historia e vërtetë e Gregori Dejvid Roberts, një filozof që humbi integritetin për shkak të një krimi, një revolucionar që humbi idealet për shkak të heroinës, një poet që humbi muzën në një burg të sigurisë së lartë... Pas arratisjes, ai u bë njeriu më i kërkuar në vendin e tij. India do të kthehej në strehën e tij të dytë, në vendin ku aventura, lufta dhe dashuria do ta bënin atë Shantaramin, “Njeriun e paqes së Zotit”. 9. Kokoro Natsume Soseski | Ombra GVG

I gjurmuar nga sekrete tragjike që e kanë mbuluar gjatë gjithë jetës së tij me një hije të rëndë, Sensei arrin t’ia hapë zemrën nxënësit të ri, duke i rrëfyer hapur pjesë nga jeta e tij studentore që i kanë lënë një ndërgjegje të trazuar faji, duke zbuluar kështu hendekun e pakapërcyeshëm ndërmjet dhimbjes së tij morale dhe përpjekjeve të studentit për ta kuptuar atë, si dhe ndryshimin e thellë kulturor nga njëri brez në tjetrin, gjë që e karakterizonte Japoninë e fillimeve të shekullit XX.

10. Amelia, vajza që nuk do të ekzistonte Cathy Gohlke | Botimet Living

Në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore, një letër e pazakontë do të çojë drejt një enigme të madhe. Rakela Kramer, vajza e një shkencëtari të mirënjohur, do të njihet me të vërtetën e errët të familjes së saj e gjithashtu, do t’i duhet të përballet me tmerret e luftës për të shpëtuar veten dhe Amelinë, vajzën e vogël, që, shumë shpejt, do të kthehet në elementin kyç të përpjekjeve të të gjithëve për të luftuar kundër Hitlerit dhe skemave të tij shfarosëse. 11. Kopshti i luleve sekrete Cristina Caboni | Shtëpia Botuese DITURIA

Nga autorja e romaneve Shtegu i parfumeve dhe Vajza e mjaltit, vjen këtë herë një histori e re, që zor se shlyhet nga kujtesa: Kopshti i luleve sekrete. Një lidhje e këputur, dy vajza që gjejnë sërish rrënjët e tyre. Sepse edhe gonxhja më e pambrojtur, mund të lulëzojë mbushur me petale dashurie. Kur Irisi dhe Viola takohen në Londër, bota u shket nën këmbë. Janë binjake të ndara që në fëmijëri. Përse? Tani që janë bashkuar, duhet ta zbulojnë. Kopshti është zgjidhja. 12. Histori arratie e qëndrese Elena Ferrante | Botime Pegi

Pas romaneve “Mikesha gjeniale” dhe “Mbiemri i ri”, vjen vëllimi i tretë i sagës napolitane. “Histori arratie e qëndrese” rrëfen mbi të gjitha për rrënjët dhe të kaluarën, për historinë personale që gëlon thellë brenda nesh dhe na dikton, me hir e me pahir, gjestet e vogla e deri zgjedhjet e mëdha, ato që na përkufizojnë ose na kufizojnë në diçka, në dikë, shumë herë më të vogël, të pisët e të varfër se ç’mendon se duhet të ishim, se ç’jemi të bindur se jemi. 13. Mashtruesi Javier Cercas | Botimet Dudaj

Një njeri i quajtur Enrike Marko ka manipuluar krejt të shkuarën e tij duke e quajtur veten një të mbijetuar të Holokaustit. Këtë gjë e ka bërë kaq mirë, aq sa ka arritur të bëhet edhe kryetar i shoqatës të të mbijetuarve. Autori futet aq dhimbshëm brenda lëkurës së këtij njeriu të paskrupullt, duke zbuluar pak nga pak se çfarë ndodh brenda një njeriu mashtrues, deri ku ai gënjen në të vërtetë dhe deri ku i beson gënjeshtrat e veta. 14. Kanali Musolini (Pjesa e dytë) Antonio Pennacchi | Shtëpia Botuese DITURIA

Vazhdon saga e familjes Peruci. Në zemër të Latinës e të Litorias, enden fantazmat e Historisë e të Luftës së Dytë Botërore, në ato 432 faqe që tregojnë një pikë kyç të ngjarjeve: rënien e fashizmit - 25 maj 1944 - ekzekutimin e Duçes e të një pjesë të madhe të udhëheqësve fashistë dhe fillimin e një kapitulli të ri për Italinë. Meritë e Pennacchit është se tregon me mjeshtëri e sipas mënyrës së tij copa, copëza madje, të historisë, legjenda të marra për të vërteta dhe mite. Me gjuhën e thjeshtë dhe humorin që nuk mungonte as në librin e parë (DITURIA, 2016) Pennacchi tregon edhe një tjetër histori të mrekullueshme. 15. Klouni Shalimar Salman Rushdie | Botimet Dudaj

“Klouni Shalimar” është historia e Maksit, vrasësit të tij, të bijës dhe të një personazhi të katërt, gruas, që i lidh ata të gjithë. Duke qenë historia e një dashurie të thellë, të prishur në mënyrë fatale, të shkatërruar nga një lidhje e sipërfaqshme, ajo është një rrëfenjë epike që zhvendoset nga Kalifornia në Francë, Angli dhe, mbi të gjitha, në Kashmir: një parajsë e shkretuar, jo aq e humbur se sa e shkërmoqur. 16. Ushqimet që shpëtojnë jetë Michael Greger dhe Gene Stone | Botimet Living

Libri “Ushqimet që shpëtojnë jetë” jep këshilla të vërtetuara shkencërisht për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve më vdekjeprurëse, si: sëmundjet e zemrës, kancerin e gjirit, kancerin e prostatës, sëmundjet e lidhura me tensionin e lartë dhe diabetin. Ai gjithashtu paraqet përfitimet e jashtëzakonshme shëndetësore që mund të arrihen me një regjim shumë të thjeshtë ushqimor.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.