Gërshetimi i stileve me ngjyrën e zezë

me ngjyrën e ZEZË

Living - - DIMËR 2018 - SALLONI DHE KUZHINA NË NJË HAPËSIRË TË VETME, OPEN SPACE

ARREDIMI I BRENDSHËM I SHTËPISË PËR TË CILËN DO TË FLAS, KA SI KRYEFJALË GUXIMIN, PASI GËRSHETON TRE STILE ARREDIMI ME NGJYRËN E ZEZË.

Zakonisht, në arredim, kjo ngjyrë përdoret për detaje dhe janë të pakta ato interiere ku e zeza është mbizotëruese. Duke qenë se kjo ngjyrë është sinonim i elegancës, thjeshtësisë dhe minimalizmit, ashtu siç është një fustan apo një kostum i zi për një mbrëmje të rëndësishme, është një zgjedhje që jep rezultat të garantuar.

Në këtë ambient të vetëm lexohen më së miri tri stilet e arredimit, modern, eklektik dhe industrial, të përfaqësuar nga linja të pastra, gjeometrike dhe filozofi minimaliste. Në zonën e ngrënies mbizotërojnë detajet e arredimit klasik të zhveshur nga elemente, si kornizat që ndajnë murin nga tavani, boiseria (veshja e ulët e murit me dru) dhe ndenjësja në zonën e ngrënies. Stilin industrial e gjejmë në përdorimin e tullës dhe në trajtimin e dritares.

Gjëja e parë që bie në sy sapo hyjmë në sallon, është mobilja me funksion të trefishtë: banakishull kuzhinë+librari+kënd TV me material MDF (imitim dru lisi) me ngjyrë të zezë. Në këtë mënyrë pothuajse nuk ndihet fare kalimi nga zona e sallonit në kuzhinë. Këtij qëllimi i shërben dhe boiseria që vesh murin e sallonit duke filluar nga biblioteka, për të përfunduar te një mobilie sospeso sipër së cilës ndodhet një pasqyrë me kornizë të zezë, që është vazhdimësi e mobilies së kuzhinës. Në të njëjtën kohë, kjo bën thyerjen mes divanit me ngjyrë të çelët dhe stukos veneciane (gri të çelët) duke theksuar divanin, i cili në të kundërt do të humbiste nga efekti i përthyerjes së dritës në mur.

HAPËSIRA E NGRËNIES është konceptuar të vendoset mes sallonit dhe kuzhinës, gjithmonë për të lidhur dy ambientet. Veçoria e tij është ndenjësja me mbështetëse të lartë që lidhet në mënyrë harmonike me murin e veshur me tullë dhe krijon iluzionin e një ambienti më të lartë, duke u dalluar nga mobiliet e tjera që kanë shtrirje horizontale. Pranë ndenjëses është pozicionuar rafti i verërave, i cili është inkasuar pjesërisht në mur, për të zënë sa më pak hapësirë. Verërat nuk janë ekspozuar qëllimisht, për t’i qëndruar besnik logjikës minimaliste (Less is more).

Mobilja e kuzhinës në formë U-je, përfundon me një ishull për konsumin e shpejtë të një vakti, ndërsa elektroshtëpiaket janë zgjedhur me detaje të zeza, që të ishin në harmoni me mobilien.

NGA Matilda Tërpollari | FOTOGRAFIA: Armand Habazaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.