SHPIRTI I ANTIKES

Living - - PERSONAZH -

NË SHTËPINË E SAJ NË BERNË është e pamundur të mos shquash arredimin në stilin antik. Sapo gjendesh aty brenda, e kupton menjëherë se Zhaklina Dhimojani ka një pasion të pakushtëzuar për antiken. “Ky pasion imi, ka nisur në periudhën e parë kur rashë në kontakt me realitetin zviceran, por edhe me atë lombard (Como), ku kam jetuar shumë vite para se të transferohesha në Zvicër, - shprehet Zhaklina, e cila tregon se gjatë vizitave në shtëpinë e një kolegeje zyre, shihte me ëndje arredimin e shtëpisë së saj me mobilie antike të stilit lombard. - Në Lombardi, antiket janë shumë të vlerësuara. Më kujtohet që, mobilia ime e parë ishte një sënduk, të cilin e bleva shumë shtrenjtë në një vilë lombarde, në liqenin e Komos.” Në Bernë, qytetin ku ajo jeton prej 16 vitesh ishte e pamundur të shkëputej nga ky pasion, pasi aty ka një pafundësi dyqanesh me sende e mobilie antike. “Zvicra nuk vuan pasojat e dy luftërave të fundit, ndaj këto sende i gjen me shumicë, - shpjegon ajo. - Kontakti i përditshëm me këtë mundësi, bëri që të zgjoja interesin për antiket, derisa një ditë vendosa të regjistrohesha në një kurs. Tani që e kam përfunduar atë, jam e aftë të njoh periudhën së cilës i përket një mobilie, a një send antik. Gjithashtu, në atë kurs, mësova se si duhet bërë ristrukturimi, në mënyrë që të mos humbasë origjinaliteti.” Çdo mobilie e vendosur në shtëpinë e saj, është blerë me qëllimin për të deshifruar një datë a periudhë të caktuar të historisë, por edhe me dëshirën për t’i restauruar ato e për t’i mbajtur sa më afër epokës kur janë krijuar.

Zhaklina Dhimojani është 52 vjeçe, por pesë dekada nuk kanë lënë asnjë gjurmë në fizikun e saj. Ajo është e bukur, elegante dhe kur pozon përpara aparatit për revistën “Living”, shfaqet si një grua pa moshë. Duket se përtej kujdesit të vazhdueshëm për mirëmbajtjen e lëkurës, rininë e përhershme e ka vulosur shpirti i saj i ri. “Natyrisht që kam qenë me shumë fat. Kam bërë një jetë të mirë dhe informohem gjithmonë për çdo gjë të re që ka lidhje me të bukurën. Nuk jam kundër korrigjimeve, megjithatë nuk kam bërë ndërhyrje në fytyrë. Çdo javë u nënshtrohem trajtimeve në institutin tim të bukurisë, e nëse i bën rregullisht nuk lind nevoja për të bërë ndërhyrje estetike. Tregoj kujdes edhe për mënyrën se si ushqehem. E keqja ime më e madhe është se nuk merrem me sport. Them gjithmonë ‘të hënën që vjen, muajin që vjen, janarin që vjen, do të shkoj në palestër’, dhe ajo e hënë e ai janar nuk kanë ardhur ende.” Një nga njerëzit që e nxit dhe e motivon më shumë Zhaklinën të ushqehet shëndetshëm, është vajza e saj Aleksandra. “Aleksandra ka shumë informacion për ushqimet, studion se ku merret zinku, se sa keq të bën gluteni, etj. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse bukuria nuk fillon në lëkurë. Ajo vjen nga brenda, - thotë Zhaklina.” Në kuzhinën e saj nuk gjen karbohidrate. Në dietën e mamit dhe vajzës ka shumë perime, drithëra, bishtajore dhe peshk. Kujdesi në këtë pikë është aq i madh, sa Zhaklina çdo ditë i përgatit Aleksandrës ushqimin që do të marrë me vete në universitet. Ashtu si për ushqimin, Aleksandra është një vajzë e re shumë e ndërgjegjësuar edhe për çështje të tjera. Ndër to edhe ajo e ambientalizmit. E gjatë, me linja të prera dhe tipare të theksuara, Aleksandra duket një vajzë më shumë nga Orienti, sesa nga Europa. Fizionomia e saj, për rastësi përkon edhe me degën e saj në universitet: është në vit të dytë për shkenca islame. “Zgjodha këtë degë, sepse më pëlqen të zgjeroj horizontin në drejtime të reja, - shprehet Aleksandra, ndërsa shoqëron të ëmën në këtë intervistë. - Sinjalet rreth kësaj kulture i kam marrë gjatë udhëtimeve dhe faktori orient më zgjoi interesin për këtë degë. Në fillim, kur nuk e njeh mirë kulturën e Orientit, islamin, imagjinata rri larg asaj që di, por më pas, kur nis e studion për të, kupton thellësinë e kulturës, e cila është shumë e vjetër. Islami, në raport me pjesën tjetër të botës është një degë që të jep, një kulturë në 360 gradë.” Bukuroshja me tipare të theksuara, edhe pse 18 vjeçe, është një vajzë me kulturë të gjerë. Ajo zotëron 6 gjuhë: shqip, italisht, gjermanisht, frëngjisht, arabisht dhe anglisht. E si vajza e Zhaklinës, nuk mund të mos merrte prej saj edhe bukurinë. Aleksandrës i pëlqen modelingu dhe bota e spektaklit, ka marrë pjesë në “Miss Bern” në Zvicër, ku arriti deri në finale, ka bërë kurse të ndryshme kërcimi dhe kënge, por këto janë thjesht pasione, sepse e reja e ka zgjedhur rrugën e saj. Tani që Mimoza Llastica është nënë, rolet janë ndërruar. “Duke pasur vetë përvojë në jetën artistike, e ndihmoj në çfarë të marrë dhe çfarë të lërë, - shprehet Zhaklina. - Madje ndonjëherë, i jap të drejtë babait tim që ka bërë rolin e protektorit me mua.” Megjithatë Zhaklina dhe Aleksandra janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kanë një marrëdhënie të veçantë, që shkon përtej asaj nënë e bijë. Të dyja, janë një simbiozë e bukur që lidh të shkuarën e Zhaklinës me të tashmen e Aleksandrës. Ndërsa e ardhmja, projekton ngjarje të bukura për të dyja.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.