PËRBËRËSIT PËR 1 TAVË ME DIAMETËR 24/26 CM:

Living - - KUZHINË -

1 dozë me brumë frola:

• 280 g miell • 100 g sheqer • 100 g gjalpë i ftohtë nga frigoriferi • 2 kokrra vezë • lëkura e 1/2 limoni organik, e grirë në rende •1 majë thike kripë • 4-5 pika lëng limoni 1 dozë me krem gruri të zier:

• 130 g grurë i zier • 100 ml qumësht • 1/2 lugë gjalpë krem pastiçier i përgatitur si më poshtë me: • 150 ml qumësht + 70 ml pana ose qumësht • 2 të verdha vezësh • 60 g sheqer • 20 g niseshte misri • lëkura e 1/2 portokalli organik, e grirë në rende Na duhen gjithashtu:

• 200 g rikota deleje ose atë që keni • 200 g sheqer • 2 kokrra vezë • 1 të verdhë veze • 1/3 lugë me esencë lulesh portokalli ose lëkurë portokalli e grirë në rende • 1 majë luge kanellë • 30 g fruta të sheqerosura të prera në kubikë – mundësisht portokaj

PËRGATITJA:

1 Brumi frola: mund të përgatitet një ditë më parë

Në një tas hedhim miellin dhe gjalpin të prerë në kubikë të vegjël. I punojmë me dorë derisa të krijohen thërrime. Shtojmë sheqerin, lëkurën e portokallit, lëngun e limonit dhe kripën. Pasi t’i përziejmë dhe këta të fundit, hapim në mes një gropë të vogël dhe hedhim vezët, të cilat i kemi përzier më parë me pirun në një tas. I përziejmë tani me shpejtësi dhe pasi e mbështjellim brumin me plastmasë kuzhine, e lëmë të pushojë 30 minuta në frigorifer ose më mirë akoma, 1 natë.

2 Kremi pastiçier: mund ta përgatisim dhe një ditë më parë

Vëmë qumështin dhe panën të ngrohen në zjarr. Niseshtenë e hedhim me sitë në një tas, e përziejmë me sheqerin dhe më pas me të verdhat e vezëve. I përziejmë me rrahësen e vezëve me dorë derisa të bëhen si shkumë.

Kur të shohim që qumështi dhe pana janë ngrohur dhe po krijojnë flluska në anët e tenxheres, shtojmë vezët e rrahura dhe i përziejmë pa ndërprerje me rrahësen e vezëve, derisa të kemi një krem homogjen (mjaftojnë pak sekonda). Hedhim kremin në një tas, e mbulojmë me plastmasë kuzhine në kontakt direkt me të dhe e lëmë të ftohet. Në momentin që do ta përdorim, e përziejmë përsëri me rrahësen e vezëve për ta bërë sa më kremoze. E ruajmë në frigorifer.

Kremi me grurë: mund të përgatitet një ditë më parë

Grurin e zier, e përziejmë me qumështin dhe gjalpin dhe i vëmë të ziejnë në një tenxhere, duke i përzier herë pas here me lugë druri. I lëmë në zjarr për pak minuta, derisa të shohim që janë bërë si krem. Më pas e heqim masën dhe e lëmë të ftohet.

Të nesërmen: ndezim furrën në temperaturën 160° C.

Në një tas hedhim rikotën, shtojmë sheqerin, vezët bashkë me të verdhën, kanellën, esencën e luleve të portokallit dhe frutat e sheqerosura. I përziejmë me rrahësen e vezëve derisa të bëhen si krem, shtojmë kremin e grurit dhe atë pastiçier.

Hapim brumin frola me trashësi 5 mm, por një copë të tij e lëmë mënjanë për të bërë rripat e brumit që do të vëmë sipër. E vëmë në tavë, presim anësoret që dalin jashtë saj dhe e shpojmë me pirun që të mos fryhet gjatë pjekjes. Hedhim mbushjen dhe me brumin që na ka mbetur, presim rripa të hollë të cilët i vendosim mbi mbushje.

E pjekim për 60 minuta ose derisa të shohim që ka marrë ngjyrë. Fikim furrën, por tavën e lëmë aty edhe një orë tjetër, me derën e furrës të hapur.

Receta tradicionale nuk e ka kremin pastiçier, por mua më pëlqeu më shumë ky variant. Natyrisht që ju mund ta hiqni nëse nuk e dëshironi. Kur të jetë ftohur plotësisht, mund ta spërkatni me sheqer pluhur ose jo.

Zonjat e përgatitnin një ditë para festës, që shijet dhe aromat të përzihen më mirë me njëra-tjetrën.

Konsumohet në temperaturë ambienti, por mund ta ruani edhe në frigorifer.

Mos harroni: nxirreni pak më parë se ta shërbeni.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.