Vegan

ÇFARË DUHET TË KENI PARASYSH NËSE ZGJIDHNI TË BËHENI

Living - - SHËNDET & MIRËQENIE - NGA MIRELA ANDONI

SI E PËRCAKTONI NJË DIETË ME BAZË BIMORE PËR FILLESTARËT?

Termi “dietë me bazë bimore” është pak i paqartë. Kjo mund të nënkuptojë kryesisht bimë ose vetëm bimë dhe ka një ndryshim. Unë e përdor termin “dietë bimore” për të treguar se është 100 për qind e lirë nga produktet shtazore, prandaj ka një paqartësi rreth fjalës “vegan”. Për këtë arsye, disa restorante dhe produkte të paketuara ushqimore nuk përdorin etiketën “vegan”, por përdorin etiketën “me bazë bimore”, për të shmangur etiketimin ndaj veganëve si njerëz të zemëruar, të cilët hedhin bojë mbi njerëzit që mbajnë veshje lëkure ose gjëra të ngjashme. Pa marrë parasysh formulimin, koncepti kryesor është raporti bimë - kafshë. Sa më shumë të anojë raporti nga bimët, aq më shumë përfitime shëndetësore do të kemi, derisa të arrijmë të eliminojmë tërësisht produktet shtazore.

CILI ËSHTË KEQKUPTIMI MË I MADH KUR BËHET FJALË PËR DIETAT ME BAZË BIMORE / VEGJETARIANE / VEGANE?

Keqkuptimi më i madh është besimi se këto dieta nuk kanë asgjë të shijshme ose nuk të ngopin: se ato janë “ushqim lepuri”. (“Unë duhet të ha mish” është një nga pikat e zakonshme të rezistencës ndaj këtij regjimi.) Njerëzit nuk e kuptojnë se ka dhjetëra lloje fasulesh, kërpudhash, orizi, farash dhe qindra perime dhe fruta, të cilat ofrojnë kombinime të pafundme në cilësi dhe shije. Vëllimi është një tjetër element, p.sh., një tas i madh me fasule ka 400 kalori, njësoj si 1-2 krahë pule të skuqur. Dietat bimore e mbushin stomakun e njerëzve më mirë dhe me më shumë fibra, vitamina, minerale, dhe vlera ushqyese. Studimet tregojnë se kemi përfitime shëndetësore nga dieta vegjetariane ose vegane, si: një peshë më optimale, reduktim i sëmundjeve të tensionit të gjakut, vlera të ulëta të sheqerit dhe kolesterolit në gjak. Ato flasin për një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit të tipit 2, obezitetit, hipertensionit, hiperlipidemisë, kancereve të caktuara, si ai gastrointestinal dhe kolonorektal, madje edhe sëmundjet e indit lidhor, si artriti reumatoid. Po këto studime kanë sjellë prova të reja që në pacientët me sëmundje kardiovaskulare, kancer të prostatës dhe diabetit të tipit 2, këto dieta bimore mund ta ndalojnë dhe ndoshta ta zhdukin sëmundjen në shumicën e rasteve.

CILAT JANË AVANTAZHET E ELIMINIMIT TË MISHIT?

Eliminimi i të gjitha mishrave ka tre avantazhe. Një: më pak njerëz të ekspozuar ndaj antibiotikëve që përdoren për të rritur kafshët me të cilat ushqehemi dhe si rrjedhojë më pak rrezik për infeksion; Dy: ka përbërës unik të mishit (si L-karnitina) që çojnë në prodhimin e TMAO, një molekulë e rrezikshme që plak arteriet dhe veshkat (nuk gjendet kurrë te bimët); Tre: kur ndërrojmë mishin me fasulet, thjerrëzat, drithërat, perimet dhe frutat, shtojmë fibrat e nevojshme dhe lëndë të tjera ushqyese që optimizojnë ekuilibrin e trupit, duke zhvilluar shëndetin tonë dhe duke rritur performancën e tij në nivel më të lartë.

PO PËR DIETËN VEGANE?

Një dietë vegane gjithashtu eliminon bulmetin. Shumica e të rriturve janë intolerantë ndaj laktozës (rreth 65 për qind në mbarë botën) kështu që një shkëputje nga qumështi shpesh çon në përmirësim të shpejtë të shëndetit dhe mirëqenies. Përveç kësaj, mendohet se proteina “casein”, e cila gjendet në qumësht, mund të jetë nxitësi kryesor i kancerit.

Përfitimet e tjera nga eliminimi i produkteve të qumështit i shohim në lëkurë, akne, si dhe mungesën e fryrjes dhe rregullsinë e zorrëve. Ka mbi një duzinë lloje qumështi bimor, për të mos përmendur një gamë të gjerë të djathërave, kosit, ëmbëltuesve, dhe shumë zgjedhje të tjera, ndaj është shumë e lehtë të bëheni veganë në vitin 2018. Vezët prodhohen kryesisht në mjedise të fabrikuara, në kushte mizore, të pista, të cilat kërkojnë sasi të mëdha hormonesh dhe antibiotikësh. Edhe kur rriten në mjedise të tjera, e verdha e vezës koncentron “choline”, e cila gjithashtu rrit nivelet TMAO dhe shton rrezikun për sëmundje. Pavarësisht nga reklamimi i kundërt në medie, përmbajtja e lartë e kolesterolit në to, ka treguar se ndikon në sëmundjet e zemrës.

CILAT JANË SFIDAT MË TË MËDHA USHQYESE PËR NJË DIETË VEGJETARIANE?

Dieta vegjetariane, edhe kur lejon disa produkte si vezët, qumështi dhe peshku, zakonisht nuk kërkon suplemente të tjera shtesë. Nga ana tjetër, regjimi ushqimor gjithëpërfshirës shfaq mungesë në vitaminë D dhe B12, kështu që marrja e këtyre suplementeve u rekomandohet të dyja palëve. Sfida më e madhe është të kemi një angazhim maksimal për cilësinë e ushqyerjes, si dhe të kërkojmë burime ushqimore me cilësi më të lartë, pa OMGJ, antibiotikë, hormone dhe ndotës të tjerë.

CILAT JANË ALTERNATIVAT?

Një multivitaminë organike me bazë të gjerë dhe nga burime të papërpunuara mund të ndihmojë në mbushjen e boshllëqeve.

CILAT JANË SFIDAT E TJERA ME TË CILAT BALLAFAQOHEN VEGANËT?

Veganët duhet të marrin parasysh plotësimet e detyrueshme ushqimore me suplemente, një çështje shumë e vogël kjo, duke pasur parasysh listën e gjatë të përparësive shëndetësore. Një multivitaminë organike, e papërpunuar, mund të furnizojë me tre vitaminat më të rëndësishme: vitaminën B12, vitaminën D3 dhe omega 3 me bazë algat (zakonisht në formë vaji). Burimet e ushqimeve të papërpunuara duhet të përfshijnë kërpudhat (të pasura me vitaminë D), farat e lirit, fara kërpi dhe fara chia (të pasura me omega 3) si dhe qumësht bimor të pasuruar me B12 ose maja ushqyese.

DHE CILAT JANË ALTERNATIVAT PËR VEGANËT?

Unë përdor çdo mëngjes një vitaminë bimore që përmban D3, B12 dhe omega 3, me burim nga algat, që kujdeset për të gjitha nevojat e mia.

CILI ËSHTË MENYJA VEGANE IDEALE PËRGJATË NJË DITE?

Unë shpeshherë e anashkaloj mëngjesin si pjesë e një agjërimi, por të kufizuar në kohë, ama nëse ha mëngjes, do të jetë tërshërë e zbutur gjatë natës, puding i zi me fara chia ose një smoothie me 80 % perime si dhe fara liri, arra, kakao pluhur, maca, dhe pluhur algash. Zakonisht, drekën e konsumoj në punë dhe shpesh marr nga shtëpia një sallatë me tofu organik, arra, fara kungulli, një lugë humus organik (zakonisht pa vaj) dhe një salcë uthulle balsamike. Erëzat shtohen në fund, si gjithmonë: pluhur curry ose shafran i Indisë. Darka mund të jetë me perime skare, një qofte me kinoa, thjerrëza me pak lakër të kuqe, një tas supë me gjethe kale, ose një sallatë e madhe me lakra brukseli, seitan dhe avokado. Pastaj, nuk konsumoj më ushqim duke i lejuar trupit një minimum prej dymbëdhjetë orë në ditë pa tretje.

A REKOMANDONI NDONJË LLOJ TESTIMI TË RREGULLT OSE PERIODIK TË NIVELEVE TË LËNDËVE USHQYESE?

Në klinikën time për parandalimin kardiak, të gjithë pacientët, madje edhe ata që janë të shëndetshëm, testohen për nivelet e TMAO, B12, vitaminës D dhe omega 3. Nëse një pacient ka një patologji, unë monitoroj edhe tre duzina të tjera lëndësh ushqyese dhe suplementesh bimore.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.