Pranvera, “stina e dhuratave”

Living - - EDITORIAL - FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

më tërheqin ëmbël drejt një veli të varur “NË TË TASHMEN”, të cilin e shtyj me majat e gishtave, duke u përballur me miliarda fije bari të brishta, ende të panginjura me vesë mëngjesi. Zambakët e fushës harlisen në erë, duke vallëzuar me një koreografi të përsosur, nën ngrohjen e kordave të zërit të zogjve të lumtur, që kërcejnë degë më degë. Mes pemëve të pyllit, dielli luan kukafshehthi me hijen e vet, kurse retë tërhiqen plot hijeshi në një stol të qiellit dhe duartrokasin gjithë hare larminë e ngjyrave që ka sjellë pranvera, madje mendojnë se pranvera shfaqet në prag me forcën e një luaneshe dhe largohet me butësinë e një qengji njomëzak. Përrenj të përgjumur puthin kalimthi tokën afshngrohtë teksa rizbulojnë shtigjet e vjetra. Lulet e kumbullës janë krekosur ndër degë dhe në buzagazin e tyre, lexohet qartë që thonë “pranverën po e sjellim ne”. Bletët duken të zëna duke puthur çdo lule fytyrëqeshur. Dy zogj bishttundës dhe një gushëkuq kanë qëndruar në parvazin e dritares sime, teksa njëri çukit lehtazi xhamin me sqep. Zambaku im amarelia ka shtriqur syçkat e gonxheve drejt diellit dhe çdo mëngjes, me bujarinë e tij të përkorë, më tregon më shumë prej lulëzimit të tij të plotë. Buzë rrugës, mora me një lopatëz një copëz tokë me luledele të çelura dhe e mbolla në kopshtin tim. Zemërlumtur, atyre dhjetë lulkave bardhoshe u solla edhe një pëllëmbë tokë me lule çikore të verdha, me dëshirën që të rehatohen në vendbanimin e tyre të ri. Nga Edi Gogu

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.