REKO DIDA

Me Rekon jemi takuar disa herë, por simpatia që ndiem për njëra-tjetrën, u kuptua që në çastin e parë, që në takimin e parë. Ndonëse elementi që na bashkoi ishte dashuria për një vend elegant dhe të magjishëm si Japonia, takimi ynë i parë u zhvillua në nj

Living - - PËRMBAJTJA - NGA ZHAKLIN LEKATARI FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

BUKURIA E PADISKUTUESHME E DASHURISË PËR JAPONINË

DASHURIA IME PËR JAPONINË, KA LINDUR NGA NJË LIBËR I BANANA YOSHIMOTO-S, shkrimtare japoneze, dhe nga libri i saj, “Kuzhina”, ndërkohë që isha në dijeni që dashuria e Rekos për Japoninë ishte më e thellë dhe më e fortë, për shkak të qëndrimit dhjetëvjeçar në atë vend. Teksa shkoja ta takoja, mendoja se jeta të drejton aty ku e ke vendin, sepse dhe “Reko”, është pa dyshim një emër që të sjell në mendje Japoninë. Në dukje, në sjellje, në tonalitet zëri dhe në energji, Reko ka marrë shumë nga Japonia, të paktën për sa e njoh unë Japoninë. Pasi kryem porositë dhe shkëmbyem fjalitë e para njohëse, filloi dhe një nga tregimet më interesante që kam dëgjuar. Reko Dida, për ata që nuk e njohin, është profesoreshë e gjuhës japoneze në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe gruaja e Bujar Didës, ambasadorit të parë shqiptar në Japoni, pas rënies së regjimit dhe ristrukturimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Specifikimin po e bëj, jo për t’i hequr rëndësinë Rekos dhe veprimtarisë së saj, por sepse ishte pikërisht doktoratura e dytë e Bujarit, për inxhinieri kimike, në Universitetin e Tohokut, në qytetin Sendai, gjatë viteve 1995-1999, takimi i saj i parë me këtë kulturë të magjishme. Kjo periudhë dhe qyteti i Sendait, shërbyen për të krijuar një lidhje të veçantë me Japoninë, për gjithë anëtarët e familjes, Bujarin, Rekon dhe djalin e tyre, Besarin. Në muajt e parë të jetës në Japoni, elementet e para që tërhoqën vëmendjen e Rekos, ishin pa dyshim mikpritja dhe mirësia që dallon popullin japonez. Përshtatja me jetën në Japoni fillimisht ishte e vështirë, për shkak të gjuhës, mungesës së miqve dhe ndryshimeve kulturore. Ndërkohë që Bujari studionte me bursë të plotë dhe Besari shkonte në shkollë, Reko, pasi kryente angazhimet familjare filloi të miqësohej me banorët e qytetit, zonjat të cilat banonin afër saj, me të cilat filloi të shkëmbente shënimet, tekstet, librat apo

revistat e para dhe të hidhte farën e parë të kulturës japoneze te vetja. Periudha në të cilën Reko dhe familja e saj shkuan në Japoni përkonte dhe me festivalet Bon Odori dhe Tanabata, ngjarje të mëdha, të cilat e tërhoqën menjëherë vëmendjen e saj, duke nxitur dëshirën për të mësuar gjuhën, traditat, historinë dhe kulturën e vendit të teknologjisë dhe traditës. Reko e kuptoi menjëherë që pjesëmarrja në aktivitete kulturore ishte mënyra më e mirë dhe e thjeshtë për t’u afruar me komunitetin dhe për ta kuptuar dhe njohur më mirë atë. Ajo filloi mësimin e gjuhës përkrah Besarit, i cili vazhdonte klasën e parë në shkollën fillore, dhe falë teksteve të mikeshave të saj për metodikën e mësimit të gjuhës japoneze. Kjo do t’i shërbente në angazhimet e tjera në të ardhmen, në krijimin e fjalorit dhe metodikës për mësimin e gjuhës japoneze nga shqipfolësit. Gjatë fillimit të studimeve, Reko përdorte vetëm fjalorin japonisht-anglisht, sepse ai në gjuhën shqipe nuk ekzistonte.

Lufta në Kosovë dhe viti 1999 e gjeti familjen Dida përsëri në Tiranë. Bujarin me një doktoraturë të dytë të përfunduar me sukses dhe Rekon duke vazhduar studimin e japonishtes, duke filluar mësimdhënien e japonishtes dhe ushqyerjen për dashurinë e një prej vendeve më të bukura në botë. Falë kësaj eksperience të re, ajo u angazhua fillimisht në “Japan Return Program” dhe më pas si koordinatore e JICA (Japan International Coordination Agency), duke u kthyer në një pikë referimi për të gjithë shqiptarët që shkonin në Japoni dhe për të gjithë japonezët që vinin në Shqipëri. Optimizmi, energjia dhe dashuria me të cilën ajo përballon ditët, nuk kishte se si të mos ishin elemente ndikuese që përgjatë kohës së luftës, ajo të jepte kontributin si përkthyese për ata japonezë që vendosën të jepnin ndihmesën e tyre gjatë asaj periudhe të vështirë për vëllezërit dhe fqinjët tanë.

Reko nuk e dinte që ndarja me Japoninë ishte e përkohshme. Nga viti 2000 deri në vitin 2009, Bujari, falë propozimit të ambasadorit Hiromoto Seki, në atë kohë ambasador jorezident në Shqipëri, mori detyrën e Konsullit të Përgjithshëm të Nderit të Japonisë, një detyrë honorifike që përshtatej shumë mirë me angazhimet e tij në atë kohë, si pedagog në universitet, drejtor projekti në Bankën Botërore e kështu me radhë. Familja Dida u kthye përsëri në Ja- poni, Tokio, në vitin 2009, kohë kur Bujari u emërua ambasadori i parë i Shqipërisë në Japoni, moment i veçantë jo vetëm për rëndësinë politike dhe historike, por sidomos për shkak të prezantimit të kredencialeve te Perandori dhe gruaja e tij. Një takim i veçantë dhe i rrallë, që Reko e ka të fiksuar në kujtime dhe në fotografi. “Një kënaqësi dhe privilegj aq i madh, sa edhe të dua t’i risjell të gjitha, nuk e bëj dot,” thotë Reko. Pasi pranuan detyrën e re, Reko dhe familja e saj filluan përsëri një kapitull të ri në jetën e tyre, me përgjegjësi, me angazhime, me miq të rinj e të vjetër dhe mbi të gjitha me një miqësi të fortë me japonezët. Gjuha të cilën Reko kishte tashmë vite që e studionte ishte ura më e fortë e komunikimit dhe e pranimit nga shoqëria japoneze. Çasti më i vështirë, por njëkohësisht më domethënësi në detyrën e re për Rekon, ka qenë pa dyshim cunami, i cili në mars të vitit 2011 goditi fuqishëm Japoninë dhe Sendain, qytetin që i mirëpriti ata në fillim. Ndonëse një komunitet i vogël në Japoni, si përfaqësues të komunitetit shqiptar, ata u angazhuan të gjithë për ditë me radhë për shëndetin dhe mirëqenien jo vetëm të shtetasve shqiptarë, por edhe të miqve, shokëve dhe banorëve të Sendait, fillimit të historisë së tyre në Japoni. Për nder të asaj ngjarjeje, pas takimit me presidentin e Fondacionit Japonez, falë bashkëpunimit të profesoreshave të

katedrës së gjuhëve të huaja në Tiranë, falë shënimeve të nisura në Sendai, fletoreve, shkrimeve e kujtimeve, në vitin 2012 Reko kurorëzoi ëndrrën dhe nevojën e saj dhe të shumë shqiptarëve të tjerë, duke botuar fjalorin e parë japonisht-shqip. Më pas, në vitin 2014, u botua metodika e mësimit të japonishtes, “Minna no Nihongo”; në vitin 2016 u botua vazhdimi i metodikës, duke mbyllur këtë cikël dhe trilogji kushtuar mësimit të gjuhës japoneze: dije në funksion të të tjerëve, për të zhvilluar të tjerët.

Ndërkohë, Besari jeton ende në Japoni dhe vazhdon doktoraturën në universitetin e Tokios. Atij i kushtohen tri librat e Rekos, sepse edhe ai ishte dhe është një nga shkëndijat, arsyet dhe kontribuesit e kësaj pune, studimi dhe dashurie. Kur shkuan në Japoni për herë të dytë, Besari fitoi atje statusin e studentit. Në dhomën e tij ka një koleksion të pasur mangash, të cilat Reko i shfrytëzon për studentët e saj dhe për leksionet e gjuhës japoneze. “Çdo të premte, për sa kohë kemi jetuar atje, djali dilte në orën gjashtë të mëngjesit, blinte një manga dhe shkonte në shkollë. Kur erdhi koha e kthimit në Shqipëri, vendosëm t’i merrnim të gjitha me vete,” thotë Reko. Përpos mangave, në dhomën e Besarit ka edhe një dërrasë në të cilën është shkruar data e ikjes në Japoni dhe pritet të shkruhet data e kthimit nga Japonia. Të gjitha këto detaje i vura re kur pata nderin të vizitoja shtëpinë e Rekos, me atmosferë japoneze që në hyrje: piktura e malit Fuji në një faqe muri të zonës Living, e më pas në studio, ku radhiten kujtimet e dhjetë viteve, libra, revista, shkrime, fotografi, sakura (lule në xham), suvenire, foto, orendi dhe dhjetëra kimono me ngjyra, lule, tekstura e fantazi marramendëse. Kujtime dhe histori kërshërore dhe interesante të një kulture dhe populli punëtor dhe të përkushtuar ndaj vendit të tyre. Zelli dhe përpikëria që japonezët tregojnë në punën e tyre janë sipas Rekos disa nga cilësitë që ka ky vend i largët, i zhvilluar, inovativ, por, njëkohësisht shumë tradicional. Geisha e samurai, gra të bukura dhe luftëtarë legjendarë, aktorë kabuki, kafshë fantastike dhe peizazhe të çuditshme janë protagonistët e historisë japoneze dhe ëndrrave të mia. Kështu, mes ëndrrash japoneze dhe pas shijimit të disa shkopinjve prej orizi të mbuluara me çokollatë dhe matcha, u përshëndeta me Rekon dhe Bujarin, duke menduar për udhëtimin e ardhshëm në Japoni.

GJATË SEZONIT “BON” në verë (korrik–gusht), kur budistët japonezë nderojnë shpirtrat e paraardhësve të tyre, në të gjithë Japoninë zhvillohen një numër festivalesh në rrugë. Vendas dhe të huaj veshin kimono verore të quajtura “yukata” për të kërcyer vallen tradicionale japoneze, “bon odori”.

PËR TË VESHUR NJË KIMONO, do të kesh nevojë për një juban, një rrip koshi himo, një datejime, një rrip obi makura, dhe çorape tabi. Veshja fillon pikërisht nga çorapet tabi, të cilat nuk mund t’i veshësh më vonë, sepse rripat e shumtë dhe vetë kimonoja, të pengojnë përkuljen.

BUJARI DHE REKO janë çifti i parë diplomatik që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Kjo pozitë u vendos për herë të parë pas një periudhe 87-vjeçare, që nga koha e njohjes së Shqipërisë nga Japonia (prill 1922) dhe 28 vjet pas riaktivizimit të marrëdhënieve (mars 1981) me Japoninë.

RËNDËSI TË MADHE KA EDHE STILIMI I FLOKËVE, i cili duhet të jetë kompakt dhe me disa zbukurime të vogla për efektin final. Sandalet geta janë një aksesor tjetër tipik, që shoqëron veshjen tradicionale, kimononë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.