ZHAKLINË DHIMOJANI

Living - - PËRMBAJTJA -

Metamorfoza e Mimoza llasticës

VITET TË NDAJNË PRERAZI NGA KORNIZA E FËMIJËRISË. KUR RRITESH, VËSHTIRË SE MUND TË SHQUASH MË FËMIJËN QË DIKUR KA QENË BRENDA TEJE. KËSHTU QË, SADO TË PËRPIQESHIM TË LIDHNIM LINJAT E SAJ PREJ GRUAJE PLOT SHARM E SENSUALITET, ME IMAZHIN E LLASTICËS SË VOGËL, NUK DO TA GJENIM DOT MË PIKËTAKIMIN. MIMOZA LLASTICA ËSHTË RRITUR, TANIMË ËSHTË NJË GRUA E BUKUR, E MENÇUR, E ARRIRË DHE ME NJË JETË FANTASTIKE. POR MIMOZA KA IKUR PREJ SAJ, OSE NDOSHTA NUK KA QENË ASNJËHERË ATY.

Zhaklina Dhimojani, vajza që luajti personazhin memorial të filmave për fëmijë në kinematografinë shqiptare, Mimoza Llasticën, sot jeton në Bernë të Zvicrës. Kanë kaluar vite e dekada prej atëherë dhe fati e deshi që ajo të mos vijonte rrugën drejt artit, megjithatë edhe sot e kësaj dite, arti jeton ende brenda saj. Sot është pak vështirë që nëpër tiparet e kësaj gruaje të bukur, të gjesh akoma diçka të Mimozës. Vitet e kanë shndërruar vajzën “e llastuar”, në një grua plot sharm. E megjithatë, sa herë rikthehet në Shqipëri, Zhaklina e ka të pamundur t’i “shmanget” Mimozës. “Për herë të parë pas shumë vitesh që kisha ikur nga Shqipëria, u ktheva në vitin 1999 dhe nuk ma merrte mendja që ndokush të kujtohej, në përgjithësi për filmin, e jo më për mua si personazh, - rrëfen Zhaklina. - Aq më tepër, duke ditur që ishte një film për fëmijë. Shto këtu edhe faktin që kur u largova nga Shqipëria, në moshën 25-vjeçare, kishin kaluar 18 vjet nga koha kur ishte bërë filmi. Por ja që kthehem në Shqipëri dhe shoh që filmi ishte ende shumë popullor. Pas vitesh të tëra që kisha jetuar në anonimat (kisha ikur nga Shqipëria në ‘90-n), mes shumë emocionesh të tjera, përjetova edhe ndjesinë e të qenit ende këtu, e gjallë në kujtesë, mora shumë komplimente dhe kjo më dha shumë forcë.” Shqipëria sot nuk është më ajo e vitit ‘99. Jeta ka ndryshuar dinamikë, e megjithatë ka ende njerëz që e njohin dhe e rikujtojnë Mimozën. Edhe pse ky nuk ka qenë i vetmi rol që Zhaklina ka luajtur në fëmijëri e në rini, publiku ka zgjedhur ta identifikojë pikërisht me të, të llastuarën e tij. “Në moshën 17-vjeçare kam luajtur edhe një rol tjetër, i cili ishte mjaft i rëndësishëm, sepse kisha rolin e së vetmes vajzë në filmin ‘Qortimet e vjeshtës’. Gjithashtu, kur isha adoleshente, kam drejtuar emisione në televizion, kam marrë pjesë në filma me metrazh të shkurtër dhe dokumentarë të ndryshëm, madje kam drejtuar edhe festivalin në vitin 1983, por shqiptarët kanë zgjedhur të mbajnë mend Mimoza Llasticën dhe nuk më vjen keq, ndan Zhaklina për ‘Living’. - Kam qenë e privilegjuar dhe këtë e kam kuptuar me kalimin e viteve, se në moshën 7-vjeçare nuk e kupton dot. Kur jetova në Itali, në fillim të vitit ‘90, kuptova se të jesh artist, është diçka e rëndësishme, dhe vetëm atëherë kuptova se çfarë kisha bërë që fëmijë. Edhe pse e vogël asokohe, e kuptoja që roli ishte diçka që nuk ka lidhje me jetën e vërtetë. Kur fitova rolin e Mimoza Llasticës, isha fëmija më i madh në

»Kam qenë e privilegjuar dhe këtë e kam kuptuar me kalimin e viteve, se në moshën 7-vjeçare nuk e kupton dot. Kur jetova në Itali, në fillim të vitit ‘90, kuptova se të jesh artist, është diçka e rëndësishme, dhe vetëm atëherë kuptova se çfarë kisha bërë që fëmijë.

familje dhe kujdesesha për vëllezërit dhe motrat, pasi për arsye shëndetësore, ime më shpeshherë nuk ishte në shtëpi dhe unë isha në njëfarë mënyre shtylla. Në të vërtetë, nuk isha aspak një fëmijë i llastuar. Ndoshta ky dyzim, më bëri që ta ndaja rolin nga jeta. Megjithatë, edhe Zhaklina, si çdo fëmijë, donte të ishte pak e llastuar, dhe në atë film, kam qenë ajo që dëshiroja të isha.”

Zhaklina ndien shumë keqardhje që nuk e vazhdoi rrugën e kinematografisë. Ajo mendon se kishte lindur për këtë, por i ati mendonte ndryshe, ndoshta edhe sepse në atë kohë, aktoret ishin shumë të paragjykuara. Kështu, e detyruar, hoqi dorë nga filmi dhe vazhdoi studimet e larta për ekonomi-financë. Nisi një rrugëtim të ri, duke lënë pas shpine disa kinoprova të fituara, të cilat kuptohet, për shkak të fanatizmit të të atit nuk i realizoi dot. Mes tyre mundi të luante vetëm rolin që kishte fituar në filmin “Qortimet e vjeshtës”, pasi sekretari i partisë asokohe, e vuri babanë e saj me shpatulla pas murit. Në atë kohë, Zhaklina ishte 16 vjeçe dhe i ati vuri si kusht që, gjatë xhirimeve, që do të bëheshin në Shkodër e do të zgjasnin një muaj, ajo të shoqërohej nga e ëma. Një kusht për të cilin ai kishte menduar se nuk do të pranohej, por ndodhi e kundërta. Në një film tjetër, xhirimet e të cilit zhvilloheshin në Tiranë, Zhaklina nuk i tregoi fare të atit. Ai e mori vesh pasi filmi doli në kinema. “Kur e mori vesh babai, u bë shumë keq, por çdo gjë kishte mbaruar, kujton Zhaklina. – Nuk i tregova as kur me Dhimitër Gjokën prezantuam Festivalin e Parë të Interpretuesve. Ai e mori vesh vetëm kur më pa në televizor. Imagjino tani kthimin në shtëpi; ishte katastrofë.” Me fatin përkrah, që i hapte dyert e ekranit, dhe në luftë të vazhdueshme me të atin, i cili ia mbyllte ato, Zhaklina hoqi dorë përfundimisht dhe me emigrimin në Itali në fillim të vitit ‘90, rrjedha e saj ndryshoi tërësisht. Në Itali punoi për shumë vjet si përkthyese në Zyrën Federale të Refugjatëve. “Kur arrita të isha e pavarur, provova më shumë se një herë t’i qasesha filmit, - tregon Zhaklina, - por tanimë kishin ndryshuar shumë gjëra. Pikësëpari, jetoja jashtë, kështu, fillova një punë që e adhuroja. Fjala ‘përkthyese’ thotë shumë pak për atë që kam bërë dhe ku e kam bërë këtë gjë, sepse, në fakt, kam ndihmuar shumë njerëz dhe kam nxjerrë nga situata të vështira shumë vajza. Edhe sot e kësaj dite marr mesazhe nga ata që më falënderojnë për ndihmën që u kam dhënë, sepse nga përvoja dija t’i orientoja si duhej që intervista e tyre të shkonte në rrugën e duhur. Vitin e parë të punës i merrja historitë me vete në shtëpi dhe jetoja me to, madje nuk flija nga shqetësimi. Nuk e kisha të lehtë të shkëputesha derisa mësova ta ndaja jetën nga puna. Nuk e di se sa ka ndikuar e shkuara ime, fëmijëria ime, përvoja ime në kinema, te Zhaklina që u rrit e sot është një grua, por pjesa ime artistike vazhdon të jetojë brenda meje.”

ZHAKLINA DHIMOJANI - JETA NË ZVICËR, MES SË BUKURËS, BAMIRËSISË DHE NJË FILMI QË DO TË VIJË SË SHPEJTI

Mimoza Llastica është rritur dhe jeta e saj nuk rrotullohet më te filmi. Ajo ende nuk e ka gjetur një mënyrë për të plotësuar atë boshllëk që i la ëndrra që nuk e vazhdoi dot. Në Zvicër, aty ku jeton, ka marrë iniciativa për të plotësuar disi këtë anë të parealizuar, por vendin e filmit nuk e ka mbushur akoma dhe beson se ka ende kohë për këtë. “Kam ndihmuar në realizimin e disa pjesëve teatrale për fëmijë, - tregon ajo, - sepse, kur lashë punën, kur ime bijë ishte 7 vjeçe, unë isha 40, dhe në këtë moshë është shumë e vështirë të rifillosh aty ku e ke lënë karrierën si artiste, e sidomos në një vend të huaj.” Sidoqoftë, brenda vetes Zhaklina zbuloi një rol të ri, i cili do ta mbante të lidhur me të bukurën. E zhvendosur në Zvicër prej më shumë se 10 vjetësh, pasi bashkëshorti i saj është zviceran, ajo vendosi të ngrinte dhe drejtonte një qendër estetike. Pasi e vuri në funksion, hoqi dorë nga menaxhimi i saj dhe për momentin, Zhaklina është e fokusuar në aktivitetet e bamirësisë. Pozicioni i punës së bashkëshortit, i cili është shefi i përgjithshëm i policisë në kantonin e Bernës, e favorizon që të ndërmarrë nisma të tilla. “Unë udhëtoj shpesh dhe disa herë në vit vij edhe në Shqipëri për të vizituar prindërit, pasi janë në moshë të thyer dhe kanë nevojë për përkujdesje. Duke qenë se njerëzit e dinë që im shoq ka njëfarë pozite në Bernë, më drejtohen për ndihmë, gjithmonë konform ligjit. Kjo gjë më merr një pjesë të mirë të kohës. Asnjë s’e di se sa të angazhuar më mban kjo. Gjithashtu, një rëndësi të veçantë i kam kushtuar edhe mbledhjes së ndihmave. Një kontribut të madh të këtyre ndihmave, e kemi dërguar në Himarë, vendin e origjinës sime. Jam gjithnjë në kërkim të mundësive për të dhënë ndihmën time. Për shembull, kompjuterët, të cilët policia në Zvicër i nxjerr nga përdorimi dhe janë në gjendje të mirë pune, unë gjej mundësitë t’i sjell këtu. Në janar, në Zvicër erdhi për t’u trajnuar një grup prej tetë vetash nga Himara. Të gjitha organizimet për këto gjëra kërkojnë kohë.” Këtë ndihmë, Zhaklina nuk e bën për të përfituar apo në emër të ndonjë organizate. E bën tërësisht në mënyrë individuale dhe anonime. Ajo është edhe përfaqësuese e një shtëpie diskografike në Shqipëri dhe aktualisht është duke mbledhur fonde, të cilat do të shkojnë për ristrukturimin e disa filmave shqiptarë për fëmijë, një prej të cilëve edhe “Mimoza llastica”. “Mendoj se së shpejti, kontributi im do

të sjellë edhe angazhimin tim në kinematografi, por për arsye besëtytnie nuk dua të tregoj më shumë. Kam marrë disa oferta e ndoshta prania ime më e shpeshtë në Shqipëri, si dhe pjesëmarrja në festivalin e fundit në RTSH, më kanë rikthyer në vëmendje.” Ajo shprehet se e kishte përfytyruar veten edhe në rolin e prezantueses së këtij festivali, por thotë që në Shqipëri shumë herë e gjen veten jashtë aktualitetit. “E di që këtu nuk kam shumë mundësi, sepse një grua në moshën time në Shqipëri është e përjashtuar dhe pak e përfaqësuar. Ndërkohë që, një grua në moshën time në televizionin italian është një gjë e zakonshme. Mua më irriton kjo gjë,” - shprehet Zhaklina.

NGA ELONA JAÇELLARI FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ GRIMI & FLOKËT: GRESA KOTRI ZHAKLINA DHIMOJANI: NUK KAM QENË KURRË LLASTICË

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.