EPOKA E ARTË

MIRËPRISNI NJË FAQE TË RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

Living - - PËRMBAJTJA - NGA ELONA JAÇELLARI FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

MIRËPRISNI NJË FAQE TË RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

Gjithmonë dëshirojmë dhe shpresojmë se e nesërmja do të jetë një ditë më e mirë, por, në të vërtetë, ajo që vlen më shumë është e sotmja: e vetmja e sigurt që kemi. Megjithatë ekziston një parashikim, sipas të cilit njerëzimin e pret një e nesërme e ndritur. Profetë, spiritualistë dhe mjeshtër okultë parashohin se Toka do të preket nga ngjarja më e madhe kozmike e të gjitha epokave. Së shpejti, ajo do të përshkohet nga valë energjie kozmike jashtëzakonisht të forta. Sipas spiritualistëve, kjo do të bëjë që njerëzimi, i cili deri më tani ka qenë duke jetuar ditët e tij më të zeza, do të futet në Epokën e Artë, në periudhën ku më në fund do të mbizotërojë harmonia. Këto teori i kanë përkrahur mjeshtrit antikë, por ato gjejnë mbështetje edhe sot e kësaj dite. Aiva Duka, terapiste shiatsu, terapeute energjetike (Reiki energetic healer) thotë se, prej vitesh po ndiejmë ndryshime në shumë aspekte të jetës. “Gjërat dhe koha duken sikur janë përshpejtuar, madje edhe shqisat dhe ndjesitë tona, - shprehet Aiva për revistën “Living”. - Ndiejmë se diçka po ndodh si brenda, edhe jashtë nesh, në pasqyrimin e botës që na rrethon. Sipas kulturës Maya, ndodhemi pikërisht në çastin më të errët të ciklit, të cilin ata e krahasojnë me terrin e natës, pikërisht atë përpara agimit. Kjo periudhë zgjat rreth 7 vjet dhe ne jemi në fund të saj, në të cilën do të na duhet të përballemi me veten. Sado e vështirë të duket kjo, është një rast i artë për njerëzimin, pasi na jep mundësinë të notojmë në thellësitë e ndërgjegjes sonë e të njohim më mirë veten dhe botën që na rrethon. Sa më shumë të thellohemi në ndërgjegje, aq më qartë do ta shohim realitetin universal që na mbështjell të gjithëve; e megjithëse nuk është aspak e lehtë, është shumë e nevojshme për evolucionin tonë, - thotë Aiva, që përpos së gjithash është edhe njohëse e ngjarjeve spirituale.”

Astrologët thonë se, Toka, Sistemi Diellor dhe gjithë Universi, aktualisht janë duke u zhvendosur në një drejtim të ri,

i cili sipas shpjegimit të mësipërm, konsiderohet si Impulsi i Dashurisë. Sistemi ynë diellor, është duke kaluar aktualisht nëpër një zonë kozmike të quajtur Zona e 30-të, ku gjendet pluhuri i një yjësie të shkatërruar, çka thuhet se u jep

ndikim toksik trupave qiellorë në të gjithë galaktikën, përveç Diellit, i cili është i vetmi trup që nuk është prekur nga ky ndikim kozmik. Zhvendosja në këtë zonë do të ndikojë në harmonizimin e secilit prej nesh. Mjeshtri okult Altin Bogdani, ka një shpjegim për të gjitha këto lëvizje që po ndodhin. “Janë ndërruar nivelet energjetike dhe kemi të bëjmë me fillimin e epokës së re zodiakale, që është ajo e Ujorit. Ndërrimi i epokave vjen si pasojë e lëvizjes. Teoria e Big Bengut ekziston dhe sipas konceptit të fizikës kuantike, universi vetë është një toroid (dy kone të vendosura majë më majë që përhapin energji edhe majtas edhe djathtas). Nëse në njërën anë kemi efektin e Big Bengut, në anën tjetër të universit kemi efektin e Big Range-it, të mbledhjes, sepse në njërin krah universi zgjerohet dhe në tjetrin ngushtohet. Sipas termodinamikës, kur dy trupa me pole të kundërta afrohen, forca e fërkimit të tyre rritet dhe sa më e madhe të jetë ajo, aq më shumë rritet edhe frekuenca, por trupat e sistemit tonë diellor (ne jemi pjesë e galaktikës Rruga e Qumështit, e cila është në zgjerim) po largohen, e kështu ulet edhe forca e fërkimit të tyre. Ngadalësimi i lëvizjeve të trupave, ngadalëson edhe kohën, sepse edhe koha është e ndërtuar nga lëvizja, vazhdon të shpjegojë mjeshtri okult. - Në këtë epokë, na duket vërtet sikur koha po ecën me të njëjtën shpejtësi lëvizjeje siç ecte edhe para vitit 2012 (vit kur ka nisur Epoka e Ujorit) por nënvetëdija jonë e kupton se ka ndryshuar. Kjo provohet edhe me fushën magnetike të Tokës, ku matjet tregojnë se ajo është dobësuar, për shkak të largimit të objekteve në hapësirë. Por si reflektohet ky ndryshim tek ne si qenie? Ajo ndikon direkt në jetëgjatësinë tonë. Largimi i trupave dhe ulja e forcës së tyre të fërkimit, ndikon në ritmin tonë cirkadian (cikli gjumë-zgjim), ritëm i cili është i ndërtuar në bazë të qendrës pineale dhe sekretimit të dy hormoneve: serotoninë e melatoninë. Përmirësimi i sekretimit të këtyre hormoneve, si rrjedhojë e përmirësimit të ritmit cirkadian, rrit jetëgjatësinë. Pra, ne kemi hyrë në një epokë, për të cilën edhe në rrethet e shkencës kuantike flitet se jetëgjatësia do të rritet. Madje pritet që mosha mesatare e jetëgjatësisë së njeriut, nga 70 vjet që është, të shkojë në 150, 160 dhe 170 vjeç”. Të gjitha këto ndikime, siç shpjegon Altini, lidhen me lëvizjen dhe nisjen e një ndarjeje të re astrologjike, Epokën e Ujorit, në të cilën kemi hyrë prej disa vitesh. Esmeralda Petrela, njohëse e astrologjisë, shkrimtare dhe krijuese e hartave individuale astrologjike, shpjegon se sipas astrologjisë perëndimore, epokat zodiakale ndryshojnë çdo 2011 vjet.

ALTIN BOGDANI Mjeshtër okult

AIVA DUKA Terapiste shiatsu

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.