IVA TIÇO HA, LUTU DHE SHKO NË AZI

Nga Singapori në Bali, nga ishulli i rrokaqiejve në mes të gjelbërimit, në ishullin e Perëndive, ku mediton thjesht duke buzëqeshur. Pushimet në një vend ekzotik ku nuk ka det dhe rërë, por histori dhe tradita, ngjajnë si në librin apo filmin e famshëm “H

Living - - PËRMBAJTJA - NGA IVA TIÇO

Nuk e kam kuptuar kurrë pse shumë njerëz vendosin të bëjnë një udhëtim në mes të verës për të shkuar në ndonjë vend ekzotik, nëpër Karaibe apo në Oqeanin Indian. Përveç rekomandimeve të meteorologëve, që thonë se periudha më e përshtatshme për udhëtime në këto vende është nga fundi i tetorit deri në mars (mund ta kenë gabim, por mua më ka pëlqyer), mua më pëlqen pa masë kjo periudhë, sepse mund të shkëputem paksa nga dimri, t’u iki ditëve gri e shiut të mërzitshëm të Tiranës e të gjej një dyjavësh të ngrohtë... Nuk e kam aspak problem të shkoj deri atje, sepse nuk jam nga ata njerëz që pyesin sa larg është, sa orë zgjat fluturimi, sa i lodhshëm është apo sa ndalesa transit ka. Unë nuk lodhem fare, madje do të udhëtoja çdo muaj, nëse do të më jepej mundësia. Megjithatë, duhet të jem e lumtur që, herë pas here, mund të shkëputem, të kapërcej stinët e të gjendem në cepat më të largët të botës, në ato vende që, kur isha fëmijë, i njihja veç si emra, nga koleksionet me pulla poste apo nga librat e Zhyl Vernit. Me Azinë nuk kam ndonjë ëndërr apo kujtim kaq të hershëm. Për të, fillova të ëndërroja kur doli libri i Elizabeth Gilbert-it, “Ha, lutu, dashuro”, dhe pak më vonë filmi me të njëjtin titull, ku luan Julia Roberts. Që prej asaj kohe, për çdo vajzë që njoh, ishulli indonezian i Balit është kthyer në një “must” udhëtimi. Meqë fluturimi për atje zgjat mbi dhjetë orë të mira nga aeroporti më i madh i afërt, që të mundëson fluturime direkte, dhe meqë udhëtime të tilla bëhen rrallë, bashkë me miqtë e mi vendosëm që të vizitonim edhe një vend tjetër: ishullin e Singaporit. Një turne i shkurtër Singapor-Bali mjafton për të prekur Azinë për herë të parë, për t’u shkëputur nga dimri dhe për të parë dy vende kaq të ndryshme nga njëri-tjetri.

MARINA BAY SANDS

Në një kohë kur çështja e kullave në Tiranë është bërë kryefjala e çdo diskutimi, në Singapor, këto ndërtime të larta prej betoni, që këtu mallkohen kaq shumë, janë atraksioni më i madh turistik dhe gjëja më e pëlqyer në rrjetet sociale. Në ditët e sotme, kur suksesi i diçkaje matet me numrin e pëlqimeve në “Instagram”, Singapori qëndron në majë. Sa më të larta kullat, aq më të shumta “like”-t, sidomos për hotelin e famshëm “Marina Bay Sands”, aty ku kemi rezervuar edhe ne, i hapur në vitin 2010. Ky hotel, me tri kullat dhe pishinën gjigante më të fotografuar në botë, e cila bashkon majat e të tria kullave dhe është ndërtuar në një lartësi një qind e nëntëdhjetë e një metra nga toka, që quhet ndryshe “infinity pool”, është kthyer në simbolin e republikës-ishull. Për të bërë një fotografi buzë saj, duhet mjeshtëri dhe durim: mjeshtëri, me qëllim që të kapësh këndin e duhur, ku duken kullat e qytetit që shtrihet përpara teje, qielli dhe uji, që shpeshherë është gri si moti, dhe durim, që atë kënd ta gjesh bosh, pa nxjerrë në fotografi njerëz të tjerë me celularë në dorë. Pas disa orësh në pishinë (lejohen vetëm klientët e hotelit), kupton se ky është i vetmi vend relaksi në botë, ku pjesa më e madhe e kohës kalohet duke pozuar, fotografuar shoqen apo duke nxjerrë kartën e dhomës për çdo shërbim, madje edhe për të përdorur tualetin. Për të hyrë në zonën e pishinës apo në klubin “Cé la vi”, që është ngjitur me të, edhe pse ke kartë, duhet të presësh në radhë, por radha më e gjatë mbahet për të ngrënë mëngjesin në restorantin në tarracë: të duhet të presësh tridhjetë e pesë minuta që në fund të shpërblehesh me pamjen e mrekullueshme që ai ofron. Edhe aty, sheh turistë që bëjnë fotografi. “Marina Bay Sands”, i lindur rastësisht në të njëjtin vit me “Instagram”-in, në çdo qoshk të tij, të ofron një vend për të realizuar një set xhirimi apo fotografish.

TRADITË DHE GJELBËRIM PA KUFI

Edhe jashtë hotelit të famshëm të ofrohen pamje të mrekullueshme për t’u fotografuar. Tri lagjet e ndryshme, jashtë rrethit të rrokaqiejve, ku jetojnë tri entitete, Lagjja Kineze, me tempujt budistë dhe rrugët me shitore e ushqim kinez, Lagjja Malajziane me ndërtesat e ulëta të stilit kolonial, ku gjendet edhe xhamia më e madhe e qytetit, dhe Lagjja Indiane, me ngjyrat, erëzat dhe tempujt hindu, janë si tri miniqytete të ndryshme. Shumica e banorëve (në ishull banojnë mbi pesë milionë e gjysmë në 130 kilometra katrorë) i flasin të tria gjuhët, plus anglishten. Ajo që të bie në sy, është se aty përdoret gjerësisht transporti publik, edhe pse Singapori renditet vendi i tretë në botë për nga zhvillimi ekonomik dhe një ndër vendet me numrin më të ulët të papunësisë. Udhërrëfyesi vendas, Long-u, që na shoqëron përgjatë dy ditëve të udhëtimit, na tregon se është përllogaritur që çdo stacion metroje të mos jetë më shumë sesa dhjetë minuta larg në këmbë nga çdo godinë. Si në të gjitha

vendet anëtare të Komonuelthit, makinat ecin në të majtë të rrugës, por nuk është e lehtë të mbash një makinë në Singapor, sepse, duke qenë një ishull i vogël dhe me dendësi të madhe popullsie, ekzistojnë shumë masa shtrënguese, për të frenuar numrin e makinave, në mënyrë që të shmanget ndotja e ajrit. Përveç taksave, që janë të larta sa 1.5-fishi i vlerës së makinës, duhet të marrësh pjesë edhe në një ankand për të blerë një certifikatë që lejon ta nxjerrësh makinën nëpër rrugë për dhjetë vjet. Long-u tregon se kjo kushton më shumë sesa të blesh një “Mercedes Benz” në Europë, ndaj ai, pasi e mbajti një makinë për dhjetë vjet, e çoi për skrap dhe që atëherë, përdor vetëm transportin publik dhe biçikletën për të shëtitur në fundjavë. Si çdo banor, udhërrëfyesi ynë është shumë krenar për një ndër veçantitë e ishullit: gjelbërimin. Pas urbanizimit, ishulli humbi rreth 95 për qind të pyjeve të tij tropikale, por në vitin 1967, qeveria paraqiti planin për ta kthyer Singaporin në një “Garden-City”, një qytet-kopsht dhe ia ka dalë më së miri: përveç tokës që i merret çdo vit detit dhe gjelbërohet, të gjitha godinat e larta e thyejnë pamjen e betonit me gjelbërim vertikal. Qëllimi për të pasur gjelbërim në çdo cep që të zë syri, është arritur: pemë, flutura dhe zogj shikon edhe në vendet më të paimagjinueshme, si për shembull brenda disa dhomave të veçanta në aeroport. Kopshti Botanik i Singaporit, një pyll tropikal njëqindepesëdhjetëvjeçar, është pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s, kurse kopshti tjetër, “Gardens by the Bay” është një nga joshjet më të mëdha turistike. Në dy “kapsulat prej qelqi” rriten lule dhe pemë nga e gjithë bota. Në mbrëmje, kur kopshtet duken magjike për shkak të ndriçimit, rreth tyre mund të shëtisësh me biçikletë.

NË GJURMË TË LUMTURISË SI JULIA ROBERTS

Ishulli i Balit, që është tri orë larg nga Singapori me avion, është si kopshtet e Singaporit, krejtësisht i gjelbëruar dhe me godina të ulëta, ndërtuar me terrakota të mbuluara nga gjelbërimi. Edhe nëse nuk të kujtohen detaje nga libri “Ha, lutu, dashuro”, nuk mund t’i kesh harruar vendasit që mbajnë lule në kokë, madje edhe policët, apo faktin që kudo të zë syri gjelbërim. Libri për ishullin “ku njerëzit jetojnë në një gjendje të paprekur mrekullimi”, siç shkruan Gilbert, ka bërë që njerëzit ta lidhin Balin me gjetjen e dashurisë, me një burrë të ngjashëm si Havier Bardem (të huajt që punojnë në Bali janë të shumtë, kështu që mundësitë për të gjetur ndonjë “shok” të Bardem nuk janë të pakta). Megjithatë kur je atje, pjesa “dashuro”, të duket gjëja më e kotë: Bali ia vlen të dashurohet për atë që ai është, jo për të huajt që jetojnë aty. Edhe pse libri dhe filmi kanë fund të lumtur, sot edhe autorja e atij romani është ndarë nga burri brazilian, dashuria e madhe e saj, të cilën e zbuloi në ishull... Pastaj gjithçka tjetër është njësoj si në librin e Elizabeth Gilbert-it. Edhe pse pushime “vere”, këto në Bali nuk janë pushimet tipike në shezlong, me kokteje dhe detin përballë: nuk ia vlen të shullëhesh me orë të tëra në një ishull që ka aq shumë për të parë e për të bërë, ndërkohë që edhe plazhet nuk kanë atë pamjen e reklamave ekzotike me rërë e ujë të bardhë... Mjaftojnë vetëm disa orë në ditë nëpër plazhe, ku në mungesë të rërës së bardhë, shumica e “beach club”-eve kanë ndërtuar pishina “infinity”. Koktejet jo vetëm që nuk mungojnë këtu, por janë edhe shumë të mira. Pjesën tjetër të ditës mund të vizitosh vende të ndryshme, si tempujt, ku gjenden disa të tillë, ndër të cilët, “Tanah Lot” dhe “Uluwatu” janë ata që duhen vizituar nga çdo turist. Gjithashtu, mund të bësh shëtitje me elefantë, të vizitosh tregjet lokale, një pyll me majmunë, shtëpi kokëposhtë, ku mund të bësh fotografi që duket se sfidojnë gravitetin, të shkosh në klube të veçanta dhe restorante me gatime nga të gjitha vendet e botës, të shohësh si prodhohet dhe pastaj të pish kafen “Luwak” (kafja, kokrrat e së cilës, pasi hahen dhe jashtëqiten nga një lloj kafshe që ngjan si nuselale, shiten më shtrenjtë sesa çdolloj kafeje), të shohësh orizoret, galeritë balineze të pikturave afër qytezës Ubud dhe meqë je aty afër, të shkosh në shtëpinë e Ketut Liyer-it, shëruesit dhe parashikuesit të famshëm të së ardhmes, njësoj si në librin dhe filmin “Ha, lutu, dashuro”. Kur gjendesh aty, e kupton se Hollivudi nuk ka ndryshuar as edhe një detaj: gjithçka është xhiruar aty,

me njerëzit e atyshëm. Lajmi i vetëm i keq është se Ketuti ka dy vjet që ka vdekur dhe vendin e tij, sipas traditës, e ka zënë nipi, që është gjithashtu shërues, por shikon edhe dorën. Ndryshe nga paraardhësi që ankohej se puna kishte rënë ndjeshëm, Ketuti i tanishëm nuk qahet - në një nga mjediset ka vënë fotografinë me Julia Roberts-in. Që pas filmit, në verandën e tij janë ulur me mijëra vajza që duan të shohin fatin, me pëllëmbët hapur, duke dëgjuar fjalët e tij magjike: “Shpirti yt është i lumtur, por mendja e shqetësuar. Lërë shpirtin të të udhëheqë.”

ATY KU LUTEN DHE BUZËQESHIN

Nuk është vetëm Ketuti “magjik” që ta thotë këtë; të gjithë banorët e ishullit ngjajnë si përçues të lumturisë. Kanë atë lloj qetësie dhe buzëqeshjeje që perëndimorët e kërkojnë me ngulm në vite të tëra seancash psikoterapie apo joge. Balinezëve kjo u buron së brendshmi. Ata duken të lumtur, edhe pse, nisur nga kriteret tona, nuk kanë asgjë. Për të arritur këtë gjendje lumturie, ndihmojnë lutjet dhe meditimi. Nuk të duhet ndonjë teknikë e veçantë për këtë. Në librin “Ha, lutu, dashuro” përshkruhet teknika e meditimit balinez sipas Ketutit: ulu dhe buzëqesh. “Po të buzëqeshësh me fytyrë dhe mendje, energjia do të vijë te ti dhe do të pastrojë gjithë energjinë negative. Buzëqesh edhe me mëlçi, po munde.” Balinezët janë një popull që falen shumë gjatë ditës dhe kryejnë një sërë ritesh. Në çdo shtëpi, shitore, hapësirë publike ka tempuj ku çdo mëngjes dhe pastaj sipas një kalendari të mirëpërcaktuar, çohen lule dhe digjet temjan. Të njëjtat lule vendosen edhe nëpër makina, pragje shtëpish, lëndina... Në Bali, në atë që quhet ishulli i Perëndive, njerëzit u luten Zotave të tyre çdo ditë me lule. Në ishullin me shtatë vullkane aktive, ku për shekuj me radhë njerëzit janë marrë vetëm me bujqësi, t’i lutesh Zotit, është gjëja më e natyrshme në botë.

PAGANIZMI DHE TEMPUJT, JETESA

Në të gjitha guidat shkruhet se kjo pjesë e Azisë ia vlen të vizitohet për tempujt. Mund të kesh lexuar rreth këtyre vendeve përpara se të nisesh, por edhe mund të jesh axhami e sërish të mësosh shumë: banorët janë shumë miqësore dhe ndonëse besimtarë të devotshëm, nuk janë aspak fanatikë. Jetojnë me Zotat e tyre dhe luten gjatë gjithë ditës, ama i pranojnë të huajt e çfarëdo besimi fetar dhe nuk ngurrojnë të flasin e të shpjegojnë fenë e tyre, të të shoqërojnë në tempuj për t’u lutur bashkë me ta, të japin të veshësh një sarong, të përkthejnë, të mësojnë, të ndihmojnë me të gjitha ritualet dhe në fund të thonë: “Tani je njëra prej nesh. Dukesh si balineze.” Ndonëse Bali është një ishull multifetar, ku ka shumë të krishterë, myslimanë dhe budistë, feja që mbizotëron, është hinduizmi, hinduizmi balinez i quajtur “Agama Hindu Dharma”, ardhur këtu nga Ishulli i Javës, një përzierje e shivaizmit dhe budizmit. Kjo fe ka si parim se në univers ekziston rregulli i quajtur Dharma dhe forca shkatërruese Adharma. Hindutë kërkojnë ekuilibrin dhe harmoninë mes këtyre dy forcave, ndërkohë që e çlirojnë veten nga një cikël i pambarimtë rimishërimi. Tempujt kanë skulptura të shumë perëndive, të cilave banorët u luten për shumë gjëra. Teksa sheh se si kryhen këto rituale të përditshme në çdo shtëpi, të kalon në mendje se pak a shumë kështu duhet të kenë jetuar edhe në anët tona dy mijë vjet më parë, para se të shfaqej krishterimi. Gjithsesi, perënditë e këtushme, Brahma, Vishnu dhe Shiva janë shumë të ndryshme nga Zeusi, Poseidoni, Athinaja... sepse zotat tanë përfytyroheshin me tipare njerëzore, madje dhe me vese si tonat, ndërsa këta aziatikë, nëpër skulptura, kanë pamje mbinjerëzore; edhe ritualet janë kaq të ndryshme... Si të parët tanë, edhe banorët e sotëm të Balit jetojnë nëpër shtëpi bashkë me perënditë, të cilat i nderojnë ditë e natë, veçse lutjet dhe flijimet e tyre nuk kanë të bëjnë me kurbane e sakrifica: perëndive u blatohen vetëm lule dhe temjan, tymi i të cilit ngjitet lart drejt qiellit bashkë me lutjet për të korra të mbara, jetesë të qetë dhe mbajtjen larg të së keqes... Nuk ka ndonjë formulë magjike për këtë: thjesht merr lulen mes duarve, lutesh dhe pastaj e vë mes flokësh. Pas këtij rituali, e qeshur, e çliruar, me lule në kokë dhe e hapur për ta parë botën si një vend të bukur, do të dukesh si një balineze e vërtetë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.