ANILA HETO ARTISTJA QË E BËRI ZEMRËN GUR PËR PIKTURËN

Living - - PËRMBAJTJA - NGA ELONA JAÇELLARI FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Në kuadrot e saj bie në sy drita dhe ngjyrat e ngrohta. Ato të përcjellin qartë ndjesinë se dashuria është ngjizur në telajo. Kështu marrin formë e ngjyra peizazhet, objektet e ndryshme që përzgjedh të pikturojë, apo edhe portretet që formëson me penel. Në çdo kuadro të artistes gjen edhe shumë detaje. “Detajet janë thelbësore për mua. Nëse nuk kam punuar me to, nuk kam bërë asgjë, - shprehet Anila. - Në këtë mënyrë, dua të transmetoj gjithë emocionet dhe ndjesitë që kam dashur të përcjell. Çdo punë imja nis me një ide dhe një koncept. Madje, mund të frymëzohem edhe nga një poezi. Pastaj, kur sapo e mbaroj, merrem me detajet, të cilat mund të jenë gurë, rruaza etj.” Pasionin për pikturën Anila filloi ta ndiente që kur ishte e vogël. Rrugëtimin e saj e ka filluar me portrete, pastaj, dalëngadalë, me kafshë e shpendë. Në vogëli ka bërë kurse pikture, por studimet e saj do të merrnin rrugë tjetër, edhe pse profesori i pikturës i thoshte gjithnjë se do të bëhej piktore shumë e talentuar. Rastësisht, pas shumë vitesh, ajo e ritakon sërish profesorin në Kanada. Në atë kohë, Anila sapo kishte përfunduar studimet e larta për ekonomi në Tiranë, dhe, së bashku me familjen ishte zhvendosur për të jetuar atje. Rastësisht, duke kërkuar, ndeshi emrin e profesorit që e kishte mësuar qysh fëmijë. Ai quhej Hytbi Toradhi, jetonte në Kanada dhe kishte hapur shumë ekspozita. Ishte ky ritakim që i dha zemër Anilës të vazhdonte ëndrrën e saj të lënë përgjysmë. “Ka qenë besimi i vazhdueshëm i profesorëve dhe familjes sime, që unë të vijoja këtë rrugë në Kanada. Nisa dhe përfundova studimet në Universitetin ‘RCC Yorkville’, Toronto dhe u diplomova me rezultate të larta në profilin Interior Design. Kur prezantova

punët e mia për të hyrë në universitet, nuk më futën në testim, por më pranuan menjëherë. Ata shikonin tek unë një talent të ri dhe kjo për mua ishte shumë. Unë isha studente e re, e ardhur nga Shqipëria, pa njohje, pa përkrahje, e për më tepër kisha studiuar një degë ndryshe,” - tregon artistja. Atëherë ajo ishte 29 vjeçe, por mbi supe mbante angazhimet e një nëne me dy vajza, njëra 8 e tjetra 3 vjeç. Megjithatë zgjodhi të sakrifikonte, sepse e dinte që për të realizuar ëndrrën e saj, rruga nuk do të ishte aspak e thjeshtë. “Kur ke dëshirë dhe pasion, nuk ka gjë që të ndal. Mbi të gjitha, unë kisha talentin që më kishte dhënë natyra. Kam sakrifikuar shumë për të përmbushur ëndrrën time. Madje kur u diplomova dhe dola ndër pesë studentët më të mirë të universitetit, mbaj mend që vajza ime e vogël (e cila ka qëndruar pak me mua, për shkak se bashkëshortit iu desh të kthehej në Tiranë me punë dhe e mori me vete. Nuk kujdesesha dot për të dyja, ndërkohë që vijoja studimet) më tha: ‘Jemi shumë krenarë për ty, sepse e dimë se sa je lodhur!’ Edhe fëmijët e kishin kuptuar se sa i lodhshëm kishte qenë ky angazhim për mua, por falë dëshirës së madhe, ia dola. Gjithsesi, sa herë që e ndërmend atë kohë, emocionohem, sepse ka qenë shumë e vështirë, aq e vështirë sa edhe profesorët më pyesnin se si ia bëja.” Nëse je nënë e ke plot detyrime, nuk mund të ecësh e vetme krah një ëndrre, sado e fortë e ndjellëse të jetë ajo. Anilës i ka qëndruar pranë bashkëshorti. Ai e ka mbështetur dhe së bashku kanë ndarë edhe angazhimin në këtë sipërmarrje plot sakrifica, duke ndarë përgjysmë edhe

familjen e tyre: gjysma në Kanada e gjysma në Tiranë. “Kjo rrugë kërkon shumë forcë dhe duhet të jesh pak e çmendur që t’i bësh këto sakrifica. Për aq kohë sa kam qenë atje duke studiuar dhe punuar njëkohësisht, di të them që në vend të zemrës kisha një gur. Dita ime ishte: punë, shtëpi dhe shkollë, por nuk mund të hiqja dorë nga ajo ëndërr. Kisha gjithë jetën që punoja dhe thosha: pse jo?” Kanadaja dhe shkollimi atje, e ndryshoi krejt rrugën e Anilës. Atëkohë hapi ekspozita si studente, mori pjesë në aktivitete të ndryshme artistike dhe shkolla i mundësoi punë në Qendrën Kërkimore Studentore. Me mbarimin e studimeve ajo u kthye në Shqipëri dhe tanimë ishin pjekur kushtet që të çelte ekspozitën e parë këtu. Në të ishin plot 10 vjet krijimtari. “Ekspozitën time të parë, e cila përmbante rreth 40 punime, e quajta ‘Love’. E quajta kështu sepse kam falur kaq shumë dashuri për artin dhe pikturën, që të arrija deri këtu. Kisha vite që punoja dhe gjithnjë kam besuar se një ditë do t’i ekspozoja. Pas kësaj, kam hapur edhe 4 ekspozita në bashkëpunim me artistë të rinj. Më e fundit ishte në Gjermani, në Bocholt, ku na ftuan organizatorët. Punimet tona i quajtëm ‘Telling stories’; në atë ekspozitë u përpoqëm të çonim pak Shqipëri në Gjermani. Ata donin që të njihnin artin dhe kulturën tonë. Unë mora pjesë me piktura të veshjeve tona tradicionale, me motive e larmi ngjyrash. Kisha realizuar veshje të Veriut dhe Jugut, që nga xhamadani, xhubleta, e deri te fustanella. Ata mbetën të kënaqur dhe të çuditur njëkohësisht, dhe mbi të gjitha treguan shumë kureshtje për veshjet dhe dizajnin. Kolegia ime përcolli ndjenja dhe sensualitet. Na vlerësuan dhe na pritën shumë mirë dhe në datën 6 maj na kanë ftuar në një ekspozitë tjetër”. E lumtur dhe e përmbushur me ëndrrën e saj, jeta e Anilës ecën përsëri në paralele. Paradite punon si ekonomiste pranë një institucioni dhe sapo mbyll punën në orën 17:00, vrapon në shtëpi. U kushton rreth dy orë kohë angazhimeve në familje dhe pastaj, deri në orën 02.00 të mëngjesit pikturon. “Duart e mia janë gjithmonë me bojë, por nuk ndihem kurrë e lodhur, sepse është një punë që e bëj me shpirt e pasion.” Ndërkohë, Anila ka një pasion të pamat edhe për Interior Design-in, degë për të cilën edhe është diplomuar në Kanada. “Në punën time u kushtoj rëndësi të veçantë detajeve. Jam e dashuruar me ngjyrat dhe mendoj që duhet të kesh një shije të hollë, që të arrish të përshtatësh arredimin e brendshëm me shijet e klientëve si dhe me pikturat, të cilat unë i realizoj dhe i kombinoj me ambientin që kam dizajnuar,” - rrëfehet Anila. Aktualisht, artistja po punon për ekspozitën e dytë personale që do të vijë në vjeshtë, ku do të ekspozojë rreth 40 punime të reja, por këtë herë ekspozita do të quhet “Natyrë”. Do të jenë punime klasike, të sjella me shumë ëmbëlsi e qetësi, sepse kjo ekspozitë do të jetë pasqyrim i asaj që Anila është në të vërtetë: një shpirt solar që e dashuron natyrën. Edhe pse në Shqipëri ndihet shumë më pak e vlerësuar si artiste, sesa në Kanada, thotë se është e vendosur ta vazhdojë rrugën e saj. Pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat, ajo nuk do të heqë kurrë dorë, përkundrazi, do të vazhdojë të bëjë me pasion e shumë dedikim, atë që di të bëjë më mirë: të pikturojë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.