Ushqimi

Living - - MIRËQENIE -

Ushqimi është shumë i rëndësishëm për të arritur një rezultat të mirë gjatë terapisë Ayurveda.

Ndaj, pas përcaktimit të dosha-s, përcaktohet edhe lloji i regjimit ushqimor që do të ndjekësh. Rafaela tregon se regjimi i saj ishte tërësisht vegan. I vetmi element shtazor gjatë qëndrimit të saj atje, ishte gjalpi, por në sasi shumë të vogla. Çdo gjë tjetër ishte e bazuar në bimë, erëza dhe fruta. “Për një javë e përballova mirë këtë regjim ushqimor, që duhet të them se ishte shumë ndryshe nga ushqimet që isha mësuar të haja, - ndan për ‘Living” e reja e sapokthyer nga Bali. - Por pas një jave, fillova të kisha vështirësi në konsumimin e erëzave të forta, të cilat nuk jemi mësuar t’i përdorim. Më e vështira është një prej ditëve të fundit të regjimit, pasi bëhet një detoks i plotë. Atë ditë nuk duhet të dalësh e as të lëvizësh, sepse bëhet pastrimi total i trupit. Më dhanë shumë lëngje dhe një lëng specifik, të cilin e përcakton mjeku. Lëngu im përbëhej nga një lloj vaji i përzier me ujë, kripë dhe ekstrakte bimore”. Kjo përzierje “e fortë”, ndihmon për një pastrim të plotë. Sipas mjekëve të “One World Ayurveda”, kjo bëhet për të larguar të gjitha toksinat e aparatit tretës, të cilat sado të përpiqesh t’i largosh, shpeshherë mbeten aty. Mendohet se problemet kryesore të njeriut në këtë disiplinë mjekësore alternative, janë dy: tretja dhe stresi. Nga këto vijnë shkaktarët e sëmundjeve dhe nëse punon për t’i rregulluar, mund të kesh në kontroll shëndetin. “Ky trajtim 10-ditor më ka bërë të ndihem 10 vite më e re. Tanimë kam ndryshuar edhe shumë gjëra në regjimin tim, duke adaptuar disa elemente nga terapia Ayurveda. Për shembull, aty mësova se vakti i mëngjesit duhet të jetë i ngrohtë,

ose nëse ha një ushqim të ftohtë, duhet ta alternosh me një tjetër të ngrohtë. Uji që pimë gjatë ditës duhet të jetë gjithmonë i vakët, edhe gjatë vakteve, ose ushqimi të shoqërohet me një çaj. Ideja është që stomaku të jetë gjithmonë i ngrohtë. Ndërsa dreka duhet të ketë gjithmonë të paktën një pjatë supë. Edhe diçka tjetër që kam mësuar në atë trajtim, është që zarzavatet duhet të konsumohen pak të gatuara, sepse kështu ndihmohet tretja. Për sa i përket darkës, duhet të hash një supë të ngrohtë apo perime të ziera dhe asnjëherë sallata, pasi vështirëson punën e aparatit tretës. Mjekët sugjeronin gjithashtu, që në një vakt të përmblidhen të gjitha shijet: e ëmbla, e kripura, e tharta dhe e hidhura. Kjo ishte pjesa e parë e trajtimit, që fokusohej tek ushqimi dhe tri ditët e para hasa pak vështirësi, derisa m’u mësua stomaku. Pastaj e ndjeva menjëherë rregullimin e procesit të tretjes”, - përfundon Rafaela Rica.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.