NACHOS

– Recetë Meksikane

Living - - KUZHINË -

I kam shijuar për herë të parë para disa vitesh, në një pub shumë të njohur për nachos-at në Santa Monica, Kaliforni. Na i sollën në një tavë të madhe që lëshonte një aromë fantastike dhe unë me vajzën time u pamë në sy dhe thamë: “Po këtyre u iku mendja? Kush do ta hajë këtë tavë?” Por rezultoi se kishin pasur të drejtë: ne jo vetëm i mbaruam dhe pimë nga dy birra të mëdha, por u dashuruam aq shumë me nachos-at, saqë kur u kthyem nga udhëtimi, vazhduam t’i përgatisnim herë pas here në familje, kur kishim dëshirë të hanim diçka “ndryshe”. Nuk janë gjë tjetër, veçse patatina me miell misri, të pjekura në furrë me shumë djathë që shkrihet, me fasule e spec pikant. Po t’i provosh njëherë, nuk i reziston dot herë tjetër. E pra, jo më kot janë një nga snack-ët më të përhapur në botë. Receta e nachos-ve ka lindur rastësisht në Meksikë, në vitin 1943, kur kuzhinieri Ignacio Anaya improvizoi një pjatë për të kënaqur disa zonja shtëpiake amerikane, të cilat kishin shkuar për vizitë në fshatin Piedras Negras. Thuhet se zonjat u “çmendën” nga shija e tyre, kjo pjatë bëri xhiron e botës dhe sot është një nga pjatat simbol të kuzhinës meksikane. Në këtë fshat, edhe sot e kësaj dite, çdo vit në muajin tetor mbahen kurse ndërkombëtare për të mësuar si përgatiten nachos-at dhe të gjithë të apasionuarit e kuzhinës mblidhen në këtë eveniment të rëndësishëm, ku përgatisin nachos-at më të mëdhenj dhe më të mirë në botë.

KOHA E PËRGATITJES-10 minuta KOHA E PJEKJES-10 minuta

PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA: 250 g patatina me miell misri 400 g fasule kafe konserve (jo të ziera në shtëpi, pasi ndryshon komplet shija) që u kemi kulluar lëngun 1 kuti e vogël misër konservë, së cilës i kemi kulluar lëngun 2 speca djegës, të prerë në rrathë të hollë 1/2 qepë e kuqe, e prerë në rrathë të hollë 2 domate të prera në kubikë të vegjël 200 g djathë Emmental me vrima të mëdha, i grirë në rende ose në feta të holla PËRGATITJA: Ndezim furrën në temperaturën 180° C. Në një tavë hedhim patatinat, shpërndajmë sipër fasulet, misrat, qepën, specin djegës, domatet në kubikë dhe djathin e grirë. I lëmë për 10 minuta në furrën e ngrohur më parë, derisa të shohim që djathi është shkrirë. E shërbejmë sipër me disa lugë kos shumë të trashë (kos grek) dhe me disa lugë Guacamole. RECETA PËR GUACAMOLE: 1 avokado e pjekur 1 copë domate e pjekur, së cilës i kemi hequr lëkurën 2 lugë vaj ulliri një copë qepë disa pika tabasko - nuk është i domosdoshëm 1 laim - vetëm lëngu kripë e piper sipas nevojës PËRGATITJA: Në blender grijmë: avokadon e qëruar dhe pa bërthamë, domaten dhe qepën të prerë në kubikë të vegjël, pak kripë, piper, lëngun e laimit, të cilin e hedhim pjesë-pjesë, derisa të kemi shijen që dëshirojmë. Shtojmë dhe pak pika tabasko. I përziejmë derisa të kemi një krem homogjen. Mund të ruhet në frigorifer për 2 ditë e mbuluar në kontakt direkt me plastmasë kuzhine. MUFFINS TË KRIPUR KOHA E PËRGATITJES NË TOTAL-30 minuta PËRBËRËSIT PËR AFËRSISHT 8 COPË: 150 g miell 40 g gjalpë i tretur, por i shumë i vakët 120 ml qumësht 1 kokërr vezë 1/2 bustinë sodë për torta të kripura (6 g) ose për torta të ëmbla pa vanilje kripë e piper sipas nevojës 30 g djathë kaçkavall i grirë sipas dëshirës, mund të shtoni pak sallam në copa PËRGATITJA: Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 180° C. 1 Në një tas hedhim me sitë miellin dhe sodën, shtojmë kripën dhe i përziejmë të gjitha me pirun. 2 Në një tas tjetër, me një rrahëse vezësh me dorë përziejmë vezën, qumështin dhe gjalpin. E hedhim këtë përzierje në tasin ku kemi miellin dhe i përziejmë me shpejtësi me lugë druri, pa u kujdesur për topthat e krijuar në brumë. Hedhim brumin nëpër format e lyera më parë me gjalpë e miell, duke mbushur 3/4 e tyre, shpërndajmë sipër pak djathë dhe i vëmë të piqen për rreth 25 minuta. Bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh dhe kur ajo të dalë e pastër, muffins-at janë gati.

LIVING KUZHINË

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.