Linda Fishta SHEFE KUZHINE

Living - - TELEVIZION -

Enjohim përmes recetave të saj fantastike dhe së fundmi, edhe nga programi “Udhëtim me Shije”, që prej dy sezonesh transmetohet në kanalin “Living HD” të platformës “Tring”, dhe e dimë që kuzhina dhe udhëtimet janë pasioni i saj, por, së fundmi kemi zbuluar se Linda Fishta pëlqen edhe serialet turke. Pas qëndrimit 14-vjeçar në Itali, kur u kthye sërish në vendin e saj, Lindës nuk i pëlqeu që në Shqipëri transmetoheshin masivisht seriale turke. “Më parë refuzoja në mënyrë kategorike t’i shihja, - tregon Linda, - sepse isha mësuar me ato amerikane, që janë të shpejta dhe nuk e mendoja që do të më tërhiqnin ndonjëherë serialet turke. Kur më thoshin janë të bukura, revoltohesha, madje kur erdha nga Italia, mora edhe ‘Sky’-in me vete, ndërsa tani nuk e përdor fare, sepse shoh vetëm këto turket e mia që më pëlqejnë, më kënaqin. Më pëlqen shumë seriali ‘Flakë pasioni’ dhe personazhi im i preferuar është Bajrami. Ai nuk është asfare i hijshëm, por ka një karakter dhe një humor të lezetshëm. Pastaj, ndjek dhe pëlqej shumë serialin ‘Nusja nga Stambolli’, mbi të gjitha sepse është bazuar në një ngjarje të vërtetë. Mezi pres ta shoh këtë serial, ndërsa për t’u çlodhur shoh ‘Dhoma 309’, sepse është i lehtë.” Eksperten e kuzhinës e tërheqin shumë aktorët, por edhe mentaliteti turk, të cilin e gjen më pranë nesh. Nga ana tjetër, thotë se Turqia është një botë e panjohur për të, të cilën është duke e zbuluar nëpërmjet serialeve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.