STREET STYLE - IMAZHI QË PO KAPËRCEN PASARELAT E MODËS

Living - - PËRMBAJTJA - NGA ALBA DANAJ FOTOGRAFIA: ELUS SKENDAJ

KENI NJË LLOGARI NË INSTAGRAM? FACEBOOK? LINKEDIN?

Për pjesën më të madhe të njerëzve, mungesa e rrjeteve sociale është e vështirë për t’u kuptuar. Edhe komunikimi i tim biri 6-vjeçar me gjyshërit bëhet përmes rrjeteve sociale. Kjo është mënyra se si ne komunikojmë dhe informohemi në ditët e sotme. Nëse një foto “flet sa 1000 fjalë”, atëherë imazhi bëhet mënyra kryesore e të shprehurit diçka të vështirë, ose 140 germa në rastin e Twitter-it.

Sikurse mund ta dini, unë postoj shpesh në Instagram (@albainlululand), foto të shoqëruara me fraza që ndriçojnë ditën time dhe shpresoj që të bëjnë të njëjtën gjë edhe me tuajën. Politika nuk është në interesin tim, por shëndeti, lumturia, udhëtimet, moda janë ato që më interesojnë më shumë si një femër shqiptare që jetoj jashtë vendit tim. Unë fitoj edhe nga ndërveprimi me njerëzit që komentojnë në postimet e mia. Postimet që ngjallin më shumë reagime janë ato që lidhen me modën dhe perceptimin e njerëzve për “Street Style"-in. Përfitoj nga rasti që ta cek më në detaje këtë temë. ÇFARË ËSHTË “STREET STYLE”? Mua më pëlqen që ta kategorizoj këtë stil si veshje gjatë ditës, kur nuk është e detyruar veshja formale. Për shembull, "Street Style" (StSt) nuk është veshja që ju do të përdornit si shoqëruese e nuses në një dasmë. Nëse StSt ju ndihmon që të dukeni këndshëm, kjo nuk do të thotë që gjithmonë veshja duhet të komunikojë inteligjencë ose sofistikim, veçanërisht në rastin kur pritshmëritë sociale parashikojnë një alternativë. Dhe nëse moda ju ndihmon që të bëni deklarata, ju nuk duhet të bëni deklarata të tilla jashtë kontekstit. Mua më frymëzon arti modern. Nga shumë artistë që më tërheqin, ndoshta më interesanti për mua është Andy Warhol, veçanërisht veprat e tij të artit që përmbajnë kanoçet e supës. Ai kombinon elementet më të imëta të artit me tema dhe imazhe popullore, duke vënë një objekt mjaft të njohur për ne, me botën elitare të artit të lartë. Duke bërë këtë gjë me kanoçet e supës, Warhol-i shpreson që të theksojë rëndësinë e një objekti në jetën tonë të përditshme. Më vjen në mendje një thënie e Oskar Wilde-it: “Jeta imiton artin shumë më tepër nga ç’imiton arti jetën.” Për mua, StSt është ekuivalenti në modë i Pop Art-it. Objekte tipike (T-shirts, atlete, bluza me kapuç), të fabrikuara dhe dizajnuara sipas elementeve cilësore të modës së lartë. Është kontrasti mes tyre që krijon një reagim nga ana jonë. Duke jetuar kaq pranë Belgjikës, jam përballur shpesh me një nga shembujt më të mëdhenj të botës së artit për sa i përket kontrastit, siç është piktura e famshme e Rene Magritte “Ceci n’est pas une pipe” (Ky nuk është një çibuk). Duke përdorur fjalët në pikturë, Magritte na detyron që ta rishikojmë funksionin e tekstit. Sipas këndvështrimit të tij, teksti mund të jetë një imazh, i cili, për ironi të fatit mund të kundërshtohet, sikurse ka bërë ai në pikturën e tij. Kontraste të tilla, të paraqitura në art, rreken që të na mësojnë diçka më të madhe lidhur me botën që na rrethon. Një nga stilistët më të shkëlqyer të kohëve të sotme është Chicogoan Virgil Abloh (Louis Vuitton & Off-White), i cili e cilëson artistin e Popit, Marcel Duschamp, si frymëzuesin e tij kryesor (Duschamp është avokati im). Përmes artit të tij, Abloh-u përpiqet që të përkthejë jetën për ne, duke vënë në dukje kontrastin e botës së modës së lartë me imazhet e jetës së përditshme. Duke u dhënë atyre një rëndësi më të madhe dhe duke vazhduar kështu ciklin e përjetshëm të imitimit mes jetës dhe artit. Është e thjeshtë: arti është shprehja e bukurisë së jetës me mënyra të ndryshme, si: piktura, letërsia, fotografia, moda etj. Përmes "Street Style"-it unë shpresoj që edhe ju të shihni diçka të bukur te jeta.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.