LUMTURIA E PAZAKONTË

E DIPLOMATES ME PESË FËMIJË

Living - - PËRMBAJTJA - NGA ELONA JAÇELLARI FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Nga dhomat e gjumit dëgjon të qara, ndërsa sallonin e mbushin gumëzhimat dhe kërkesat e pafundme. Kështu nis çdo ditë në familjen Ponari, vrullshëm, deri çastin që vjen furgoni i kopshtit dhe ai i parashkollorit, e më në fund në shtëpi bie qetësia. “Do ta quaja bekim nga Perëndia, shprehet e lumtur nëna e pesë fëmijëve, Selvi Beçaj. - Ata janë gjëja më e bukur që mund të më ndodhte, veçanërisht për faktin se në vitin 2010 kam pasur një problem shëndetësor, e mjekët atëherë më thanë se mundësia për t’u bërë nënë ishte e vogël. Jo vetëm që u bëra nënë, por as me një e me dy, por me plot pesë krijesa të mrekullueshme. Kam tre vajza dhe dy djem. Dy i kam binjakë. Kersli është e madhja. Ajo është 6 vjeçe e gjysmë. Pas saj vjen Esteri, e cila mbush 5 vjeçe në korrik. Pas Esterit kanë ardhur në jetë binjakët Klesti dhe Haidi. Ata bëjnë 4 vjeç në korrik dhe më i vogli është Gjergji, 6 muajsh. E quajtëm Gjergj, sepse im shoq quhet Kastriot. Mund të themi se kemi një pjesëtar të veçantë, Gjergj Kastriot Ponari (qesh). Këta të pestë, janë gjëja

më e bukur që kam bërë e që mund të bëj deri në fund të jetës sime,” - thotë e lumtur nëna 35-vjeçare. Fëmija i parë, Kersli, erdhi në jetë në janar të 2012-ës dhe lajmi se Selvi ishte shtatzënë me të, erdhi si një mrekulli që askush nuk e priste të ndodhte. Ajo solli bekimin e parë dhe lumturinë e lindjes së një pasardhëseje në familjen e re. “Ka qenë një periudhë e jashtëzakonshme. Vajza lindi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të pestë atje kanë lindur, sepse Amerika për mua është një vend i begatë dhe demokratik në çdo aspekt. Në lindjen e parë, atje erdhën familja ime dhe e bashkëshortit, pra, 12 familjarë, të cilët prisnin të lindte kjo mrekullia e vogël.”

ARDHJA NË JETË E KERSLIT KA QENË NJË SURPRIZË.

Selvi ishte e papërgatitur dhe atë kohë, shumë e përqendruar te puna. Pak a shumë kështu ndodhi edhe me vajzën e dytë, Esterin. “Isha në Itali për të shoqëruar nënën time, sepse kishte një problem shëndetësor. Isha tërësisht e fokusuar tek ajo, por ndërkohë kisha një dhimbje mesi të vazhdueshme. Kërkoj të vizitohem dhe mjeku më thotë: ‘Kalo në repartin tjetër se pret një fëmijë’. Kështu erdhi në jetë një çapkëne e jashtëzakonshme. Më vonë, në kërkim të një djali, erdhën binjakët, Haidi dhe Klesti. Ky i fundit, si i vetmi djalë mes tre motrave, po llastohej shumë. Nuk e doja këtë gjë dhe nuk doja të bëja diferencime. Doja të bëja edhe një djalë tjetër. Djalë e desha, djalë erdhi. Lutesha që të ishte i tillë, se ndryshe do të vazhdoja më tej. Por me ardhjen e tij në jetë, jam më shumë se e realizuar.”

Ditët e sotme është shumë e rrallë të ndeshësh familje të mëdha dhe çifte të reja që zgjedhin të kenë shumë fëmijë. Shumë syresh, ndalen që pas ardhjes në jetë të fëmijës së parë. Por, Kastrioti, bashkëshorti i Selvit nuk do që të ndalet as pas lindjes së të pestit. “Lajmi i fëmijës së parë ishte diçka e paimagjinueshme, që çastin e parë kur mora vesh që Selvi ishte shtatzënë, e derisa vajza erdhi në jetë, - shprehet babai i pesë fëmijëve. – Por po këtë emocion kam përjetuar për të pestë. Të katërta lindjet për mua kanë qenë një emocion i madh. Janë gjë shumë e bukur dhe nuk janë shumë. Edhe ne në familjen time, jemi pesë fëmijë. Unë kam dy vëllezër dhe dy motra. Kur prindërit e mi kanë sjellë në jetë pesë fëmijë asokohe, nuk diskutohet sot që i kemi të gjitha mundësitë. Tetë do të ishte numri perfekt për mua. Arushi (bashkëshortja) thotë që mjafton me kaq, se nuk e përballon dot, por unë do të doja akoma, sepse që i vogël kam ëndërruar të kem një familje të madhe. Edhe Selvi kishte dëshirë të bënim shumë fëmijë, por realisht ata kanë ardhur në një kohë shumë të shkurtër dhe ajo është lodhur. Megjithatë, si i thonë një fjale ‘kurrë mos thuaj kurrë’”.

Në një kornizë a portret familjar të vjen jashtëzakonisht bukur ideja e një familjeje me shumë fëmijë. Ata janë jetë, motiv për të gëzuar, por edhe një lodhje e jashtëzakonshme. Sidomos në rastin e Selvit, kur vajza më e madhe është vetëm 6 vjeçe, ndërsa më i vogli 6-muajsh. “Kam 5 vjet që më duket sikur tallen me mua kur më urojnë gjumë të ëmbël, pasi gjumë të ëmbël, që të shtrihem në darkë e të zgjohem në mëngjes, nuk ka. Asnjëri nga të pestë

nuk ka qenë fëmijë i qetë natën. I vogli çohet tre herë të pijë gjatë natës. Katër të tjerët, ndonëse duken më të rritur, gjithsesi janë ende fëmijë. Nata është një maratonë ecejakesh për mua, sa në një dhomë në tjetrën. Binjakët flenë bashkë në një dhomë, dy vajzat e mëdha në një tjetër, kurse i vogli është akoma me ne”, - ndan Selvi për Living. Dihet se çfarë angazhimi kërkojnë nga nëna pesë fëmijë të vegjël. Gjithë dita e saj duhet t’i dedikohet kujdesit, mirërritjes dhe argëtimit të tyre. Pikërisht për këtë fakt, shumë të reja në karrierë, heqin dorë nga ideja e familjes së madhe, por fëmijët nuk e pengojnë Selvin të zhvillojë karrierën, pasionet e saj dhe të marrë kohë për veten. Ajo ka punuar në fushën e diplomacisë në pozicione të rëndësishme. Ka qenë sekretare e parë e Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Vjenë, po ashtu edhe në Stamboll, në të njëjtën detyrë. Selvi ka mbajtur edhe pozicionin e Drejtores së Kabinetit në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, sot edhe i Konfliktit të Interesave. Edhe pse nënë e pesë fëmijëve, ajo ka studiuar për Shkenca Politike dhe si fakultet të dytë ka Juridikun, gjithashtu ka edhe mastera në të dy universitetet: Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe e Drejtë Civile dhe Administrative. Përpos këtyre ka edhe licencë avokatie. Të gjitha këto edukime e formime, tregojnë që Selvi është një grua e kompletuar edhe në aspektin intelektual dhe përpos familjes, karriera është një nga qëllimet e saj në jetë. E do shumë diplomacinë dhe dëshiron që në të ardhmen ta rishohë veten aty. Kur e pyet nëse një grua e nënë si ajo, ia del dot me të gjitha, 35-vjeçarja thotë se ka kohë për gjithçka. “Pasi fëmijët ikin në institucionet e tyre, unë merrem me punët e mia, sepse nuk jam mësuar të rri pa punë. Kam punuar që kur kam qenë 21 vjeçe dhe nuk e konceptoj dot të mos kem të ardhurat e mia, sado që të jenë ato. Të punosh është edhe një lloj kërkese për vetëpërmbushje. Kam pasur përvoja të shkurtra jashtë profesionit tim: në bankë, në një televizion, në kompani sigurimi dhe te të gjitha jam përpjekur të jap maksimumin. Në maj të vitit 2017 kam qëndruar në punë deri në orën 16:00-17:00. Edhe familja e madhe dhe profesioni janë një sfidë dhe sigurisht që lodhja nuk mungon. Nuk pretendoj të jem shtëpiake dhe ta mbyll këtu karrierën. Nuk e di se cila derë e karrierës do të më hapet në vazhdim, por e dua punën”. Në kohën e lirë Selvi shkruan edhe poezi, e madje ka botuar disa libra. Ndërkohë që pasioni tjetër i saj është piktura, e ushtron në ato pak hapësira të lira kohe që i mbeten gjatë ditës së saj plot aktivitete. “Piktura dhe poezia më japin mundësi të mbush hapësirat e mia, por nuk e quaj veten as piktore e as poete. I bëj për të përmbushur shpirtin. Atë pak kohë të lirë e kaloj me libra, kam një bibliotekë shumë të madhe. Parë nga ky këndvështrim, kam me çfarë ta mbush ditën, por jam një grua që kam investuar për të pasur një karrierë dhe duhet të kem një të tillë të mirëfilltë. Asnjëherë nuk është vonë. Nuk dua ta stresoj veten në këtë pikë, pasi mendoj se po investoj fuqishëm në bërthamën familjare dhe sa më e shëndetshme ajo, aq më e shëndetshme është shoqëria.”

Dita e kësaj nëne është e jashtëzakonshme. Pafundësisht e lodhshme, por pafundësisht e bukur. “Fëmijët të falin një çlodhje e gjendje shpirtërore të shkëlqyer, - rrëfen Selvi. - Të bëjnë ta shohësh botën ndryshe. Kam 5 pikëpamje për jetën, parë nga 5 këndvështrime të ndryshme.

Më bëjnë pyetje dhe më vënë para provave. Shpesh mendoj se si do t’i menaxhoj unë këto pesë krijesa në jetë. Ndonjëherë lodhem dhe i kushtoj pak kohë vetes, por sapo rikthehem, çdo gjë nis nga e para. Jam pothuajse gjithë ditën me ta. Dua që të kenë një fëmijëri dhe kujtime të bukura, e të më falënderojnë për njerëzit që do të bëhen në të ardhmen. Dua që edhe shoqëria të më falënderojë. Dua të jenë krijesa të vyera. Ky është objektivi im. Çfarëdolloj pune, karriere dhe profesioni që do të ndjek, sfida ime më e madhe janë këto pesë krijesa.” Selvi ndihmohet pafundësisht nga nëna e saj, por ka edhe punonjëse me kohë të plotë që e ndihmojnë po aq. “Është e pamundur t’i menaxhoj vetë. Që të gjej kohë të pushoj dhe të merrem me gjërat e mia, kam nevojë për ndihmë. Kam pasur e do të vazhdoj të kem.” Ndërsa Kastrioti, bashkëshorti i saj, shprehet se turni i tij është zëvendësuar nga punonjësja e tyre. “Megjithatë, kur kujdesesha, mund të kujdesesha edhe më mirë se Selvi, kur duheshin larë apo ndërruar”, - shprehet Kastrioti. "Nëse më parë dikush do të më thoshte se do të kisha shumë fëmijë, - vazhdon Selvi, - nuk do ta kisha besuar. - Por kur kam qenë e vogël, me çfarë më tregojnë familjarët, paskam thënë: ‘Do të bëj fëmijë derisa të kem fuqi’. Dhe pas çdo shtatzënie, tezja ime, që jeton në Irlandë, më merrte në telefon dhe më thoshte: ‘Po i përmbahesh zotimit’ (qesh)."

Shumë njerëz, ndoshta më shumë vajza a nëna të reja, mund të mendojnë se angazhimi që ka marrë përsipër Selvi, për të pasur një familje të madhe, është i papërballueshëm. “Është absolutisht e menaxhueshme dhe mund të bëhet, - shprehet ajo. - Por sigurisht që hera-herës njeriu ka edhe dyshime. Mund të jesh e gjithanshme, por përsëri ato lindin. Shpeshherë mendoj: a kaloj mjaftueshëm kohë me ta? A po e bëj mirë punën time si nënë? A mund të bëj më shumë? Sigurisht që ngelen edhe gjëra pa bërë, por kryesoret, me vullnet dhe dëshirë, arrihen. Të kesh pesë fëmijë është sfidë e madhe, por unë kam pasur shtyllë kryesore bashkëshortin. Ai ka jetuar 17 vjet në Itali dhe atje ka pasur biznese, të cilat vazhdon t’i ketë edhe këtu dhe mbështetja e tij emocionale dhe ekonomike, si baba e familjar i devotshëm, m’i ka fashitur frikërat. Në nënvetëdijen e çdo nëne, sikur vetëm një fëmijë të ketë, ekziston frika se si do t’ia dalë në jetë. Këto frika e pasiguri, na i zbeh fakti që u kemi bërë dhuratë nënshtetësinë amerikane. Sido që t’u vijë jeta, ata kanë një mundësi zgjedhjeje”. Ju mund ta quani Selvin një nënë heroinë. Sot janë të pakta nënat që zgjedhin të kenë pesë fëmijë e aq më tepër të duan të mbajnë edhe familjen, edhe karrierën. Ajo i baraspeshon këto të dyja dhe rrëfen se nuk i duket se po bën ndonjë gjë të jashtëzakonshme, ndryshe nga nënat e tjera që mund të kenë më pak fëmijë. “Jam bekuar pesë herë dhe e shoh si gjënë më të bukur në jetë dhe në botë, sepse nëse deri në fund të jetës, do të kem shumë apo pak miq të vërtetë, jam e sigurt që do të më hapen pesë dyer. Përmbushja profesionale është diçka e rëndësishme, kurse fëmijët janë krijesa që do të të duan gjithë jetën. Maria Shriver ka thënë: ‘Në jetë je e zëvendësueshme në çdo aspekt dhe pozicion, përveçse si nëna e fëmijëve të tu’”.

Mëngjesi në shtëpinë e tyre i ngjan një trafiku me shumë semaforë. Shumë lëvizje nëpër dhoma, korridor e sallon, dhe shumë ngutje për të nisur ditën. Pesë vogëlushë që hapin sytë, e të pestë kërkojnë mamin t’i ndërrojë, t’i ushqejë dhe t’i kushtojë...

SELVI Ata, janë gjëja më e bukur që mund të më ndodhte, veçanërisht për faktin se, në 2010 kam pasur një problem shëndetësor, e mjekët atëherë më thanë se, mundësia për t’u bërë nënë ishte e vogël. Jo që u bëra nënë, e jo me një, as me dy, por plot...

KASTRIOTI 8 do ishte numri perfekt për mua. Arushi (bashkëshortja) thotë që mjafton me kaq se, nuk e përballon dot. Por, unë do të doja akoma, sepse e kam pasur që i vogël në mendje, idenë e familjes së madhe.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.