GAZETARJA QË VESHI PËRPARËSEN E ESTETISTES

Living - - LIVING PERSONAZH -

Eshtë estetiste dhe sot drejton sallonin e saj “Flores Center”, por para së të niste këtë rrugëtim të ri profesional, Blerina ka punuar 10 vite në gazetarinë e shkruar, si gazetare sociale. Një kapërcim, gati i paimagjinueshëm. “Ka qenë një vendim, i cili erdhi në një kohë kur unë punoja në një institucion shtetëror, pasi linda dy vajzat e mia. Puna në një redaksi gazete ishte shumë e vështirë, me orare të pakufizuara, me takime, të planifikuara dhe jo, ndaj, në 2010-n, pas Kaltrës, që është vajza ime e dytë vendosa të largohesha nga gazetaria, - rrëfen Blerina. - Kisha pasur projekte të mëparshme në punë zyre, por institucioni ku punova për dy vite e gjysmë ishte Instituti i Shëndetit Publik, në një kabinet, ku menaxhova faqen e tij, ndërtuam një profil të ri. Aty më mungonte shumë gazetaria dhe dinamika që të ofron ky profesion. Nuk ishte punë që promovohej dhe të dilte emri. Kështu, çdo ditë e më shumë ambienti bëhej mbytës dhe ashtu para kompjuterit, duke menduar se çfarë mund të bëja që të isha në kontakt me njerëzit, por edhe ta bëja vetë, ta prekja vetë, u riktheva te pasionet dhe dëshirat e mia. Arrita në përfundimin që mund të bëja diçka me duart e mia, sepse kisha shumë qejf pjesën e masazhit.” E para, së cilës Blerina ia ndau këtë ide, ishte estetistja e saj, Brikena Xhixha. Fillimisht ajo u çudit, iu duk edhe pak e pamundur që dikush që punon në një institucion shtetëror, me një punë të mirë, me një orar të caktuar, me një pagë të mirë, t’i hedhë sytë nga estetika dhe të kërkojë të bëjë një punë që nuk kërkon vetëm profesionalizëm, por edhe orë të gjata qëndrimi në këmbë dhe duar të forta. “Megjithatë, - vazhdon rrëfimin Blerina, - ajo nisi të më mësonte gjithë pjesën

Kur hapet dera e sallonit, pas saj takon një vajzë shumë të brishtë, aq delikate, sa kurrë nuk ta pret mendja që kur ajo përvesh mëngët, efekti që të lë në trup dhe lëkurë, është i pabesueshëm. Blerina Kaca, është nga ato vajza që u peshon jo vetëm dora, por edhe mendja.

praktike të këtij profesioni. Unë rrija me orë të tëra në sallonin e saj. Gjatë orëve, ditëve dhe muajve që kalova me Brikenën, kuptova që nëse kishte diçka që mund të ma zëvendësonte gazetarinë dhe kontaktin me njerëzit, ishte vetëm estetika. E lashë punën në shtet. Përpara se të hapja sallonin shkova në Itali, ku studiova për gjithë pjesën teorike dhe pastaj u ktheva në Tiranë.” Prej shkurtit të 2012-s e deri tani, ish-gazetarja drejton dhe punon në studion e saj. Vijon të ndjekë seminare dhe trajnime të ndryshme në fushën e estetikës dhe mesatarisht dy- tre herë në vit, shkon në Itali për rikualifikime të reja. Gjërat i kanë ecur mbarë. “Çdo ditë mendoj që kapitulli 10-vjeçar i gazetarisë ishte një investim shumë i mirë, sepse e shikoj që njerëzit janë shumë të lidhur me fjalën time. Takoj njerëz që më thonë se e vlerësojnë shërbimin tim, edhe prej faktit se arrij t’jua shpjegoj procesin. Unë e dija që nuk do të isha estetistja e vetme që do të kisha një sallon, por i afrova dhe i mbajta klientet e mia edhe me fjalën. E kuptoj këtë gjë sot, pas 6 vitesh, kur klientet kanë shumë nevojë që ta marrin shërbimin, duke e kuptuar atë. Kjo ndihmon si një ‘PR’ i mirë, sepse fjala përhap fjalën”. Me këtë zgjedhje, ndërrim 180-gradësh, Blerinës nuk i mungon më gazetaria. Atë e ka zëvendësuar aty në sallonin e saj, ku përveç estetikës zhvillon edhe anën krijuese. Çdo muaj, ka rubrikat e saj nëpër revista të ndryshme, shkruan në rrjetet sociale dhe për të gjitha këto i vjen në ndihmë profesioni i shkuar. S’ka qenë aspak e lehtë të bënte këtë ndryshim të madh, mbi të gjitha sepse edhe njerëzit e familjes nuk e mbështetën. “I vetmi person që më dha mbështetje të pakufizuar, ishte mami, me ndihmën e saj për kujdesin ndaj vajzave, por edhe në besimin që i dha këtij projekti tim të ri. Ndërkohë, të gjithë të tjerët ishin shumë dyshues. Pjesa më e madhe mendonin që unë do të ndërtoja një qendër estetike dhe do të rrija gjithmonë në kasë. Nuk mendonin kurrë që do të vishja bluzën e bardhë dhe do të përvishja mëngët. Por, më vjen shumë mirë që fitova unë dhe të gjithë tani kanë ndryshuar mendje e jam e lumtur kur hap derën e sallonit dhe dëgjoj njerëz që më thonë: ‘Nuk do ta kisha besuar kurrë që do ta bëje këtë’. Nuk e di pse nuk iu kam dhënë idenë që përveç tastierës mund të bëj edhe punë të tjera.” (qesh) Dhjetë vitet e punës në terrenin e gazetarisë i ka kaluar në gazetën “Koha Jonë”, ku ka punuar që në vitin e parë të fakultetit. Ka punuar te gazeta “Panorama”, për shumë vite të tjera tek “Tirana Observer”, më pas te “Zëri i popullit”, gazeta “Libertas” dhe disa rubrika te “Gazeta Shqiptare”, ku shpeshherë lajmet e saj zinin faqen e parë. Fushat që Blerina ka mbuluar, kanë qenë arsimi dhe shëndetësia, kjo është edhe lidhja pse ajo zuri vend, jo pa vështirësi dhe përpjekje, në estetikë. “Gjithmonë isha mbrapa një të sëmuri, mbrapa një fenomeni, mbrapa një problematike shëndetësore. Te gazeta “Tirana Observer” bëja çdo javë një suplement 10-15 faqe, që mbante emrin tim. Përgatitesha gjithë javën, duke takuar mjekë popullorë, farmacistë, njerëz të profileve të ndryshme; u merrja botimet, shkrimet, dhe përgatisja gjithë suplementin me të gjitha sëmundjet e trupit të njeriut, plus këshilla për ushqimin, stilin e jetës”. I gjithë ky bagazh që Blerina Kaca ka grumbulluar në vitet e saj të gazetarisë, ka zënë sot vend në valixhen e estetistes, aty ku trajtimin dhe kujdesin për bukurinë, e shoqëron gjithnjë edhe me shpjegimet e duhura. Është e realizuar, e përmbushur, jo vetëm sepse ka ndërtuar një aktivitet të sajin, jo vetëm sepse iu tregoi të gjithëve se do të mund ta bënte këtë, edhe pse ndërroi tërësisht profesion; por, mbi të gjitha, sepse ndoqi një ëndërr.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.