ERGYS MITA, NJË TENOR I LINDUR NGA HIÇI

Të gjithë e dimë mirë se sa e gjatë është rruga e artit. Talentet ose lindin, ose projektohen që në fëmijërinë e hershme për t’u bërë të tillë, por Ergys Mita është një talent që nuk bën pjesë në asnjë nga të dy rastet.

Living - - LIVING PERSONAZH -

Ubë tenor në një moshë që, vështirë se mund të perceptohet fillesa e këtij lloj arti, ndërkohë që për të mbërritur këtu ka bërë disa ndryshime radikale. Ergysi përfundoi gjimnazin “Sami Frashëri” në vitin 1990 me mesatare 9. Ishin ato vite kur Shqipëria po tundej nga letargjia e madhe. Vendi po zgjohej dhe po trazohej. Ishte ende koha kur për drejtimin e studimeve të një maturanti, vendosnin të tjerët. “Nuk pata mundësi të zgjidhja një degë dhe më doli inxhinieria, - tregon Ergysi. - Mbaj mend që kisha dëshirë të fitoja një degë në fushën e fizikës. Xhaxhai, nga ana tjetër donte të bëhesha mjek, sepse ishte vetë doktor.” Sapo i riu filloi studimet e larta, në vend filluan protestat. Ergysi ishte edhe një nga pjesëmarrësit e grevës studentore të urisë. Në rrethana të detyruara, semestri i dytë i vitit të parë të universitetit për Ergysin përfundoi me korrespondencë. Në vitin e dytë, pas përfundimit edhe të një tjetër semestri, vendosi të ikte me shokët në Greqi. “Qëndrova aty rreth dy vjet dhe u ktheva, - rrëfen sot tenori. - Kur u riktheva në universitetin që kisha lënë përgjysmë, u përballa me një gjendje mjerane. E pashë që çdo gjë kishte marrë fund dhe vendosa t’i lija studimet. Konkurrova në Fakultetin e Ekonomisë.” Ndërkohë që nisi studimet në një degë të re, Ergysi, me temperamentin e një djali të tërhequr dhe të ndrojtur, vendosë t’i thoshte së ëmës se kishte dëshirë të këndonte. “Të kënduarit e kisha pasion. Këndoja në shtëpi për qejf, edhe kur isha në gjimnaz këndoja, por nuk isha shfaqur. Kur ika në Greqi, bashkë me një shokun tim po kërkonim të blinim kaseta dhe unë zgjodha kasetën e 3 tenorëve. Ata sapo kishin dhënë koncertin e tyre të madh në Romë. Fillova të këndoja me kasetën dhe kujtoj që aty më kanë filluar shkëndijat për këngën klasike, se më parë këndoja një çikë si rrok. Mbaj mend, kur këndoja në shtëpi, e filloja me rrok dhe më pas e ktheja në klasike. Mësoja me kaseta, i vija në magnetofon dhe këndoja bashkë me to.” Një ditë, Ergysi i kërkon së ëmës ta ndihmojë për t’i gjetur një mundësi për të kënduar. Me disa përpjekje, ajo arriti ta çojë tek Artisti i Merituar, Hysen Koçia. Ndërkohë që nisi punën drejt kantos, përfundoi viti i parë i universitetit në Ekonomik. Pas tre muajsh punë për trajnimin e zërit me Koçian, ish-tenorin e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ergysi konkurroi në Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve, por nuk e fitoi të drejtën e studimit. Megjithatë, nuk u dorëzua. Iu fut seriozisht punës dhe një vit më pas, në vitin 1996, arriti të futej në Akademi. “Në familjen time nuk ka profesionistë të muzikës dhe në këtë aspekt universiteti për mua ishte i vështirë, sidomos aspekti i solfezhit. Ndërkohë që studioja, edhe punoja. Shkolla këtu

më la ca boshllëqe, por i rikuperova kur shkova në Amerikë. Arti është i bukur, por edhe shumë i vështirë. Do shumë punë, por do edhe një çikë fat. Varet si të merr. Vajtja në Amerikë, edhe më ndihmoi, por edhe s’më ndihmoi në këtë aspekt”. Në vitin 2001, Ergysi tashmë në rrugën e tenorit, vendos ta kërkojë fatin në një drejtim tjetër, këtë herë përtej oqeanit, në tokën e premtuar. Pas përfundimit të studimeve për kanto, punoi një vit pranë TKOB dhe u nis drejt Amerikës. “Atje, sa shkova, konkurrova në një nga shkollat më të mira në vend për kanto. Studiova dy vite aty, - ndan tenori. - Ndërkohë isha dhe në programin e operës së shkollës, por në Amerikë e pata të pamundur të ecja përpara, sepse aty nuk është si në Europë, ku çdo qytet ka një, dy teatro. Në Amerikë, tregu është i vogël dhe nuk arrin të çash dot. Bëra ca produksione të vogla, por nuk e gjeta veten.” Pas 11 viteve emigrim, Ergysi rikthehet në Tiranë. “Gjatë kohës që isha në emigrim, kur vija për pushime në Shqipëri, e shfrytëzoja kohën për të bërë produksione me Teatrin e Operës. Kur u ktheva përfundimisht mora pjesë tek opera ‘Ali Pasha’, e cila ishte premierë absolute.” Por, edhe pse vitin e parë të kthimit shkonte çdo ditë në Opera, nuk arriti ta gjente veten aty. Prej 3 vitesh, Ergysi është pranë Orkestrës Frymore të Ushtrisë. Ndërkohë ka përkthyer dy libra për kanton, të cilët janë botuar dhe kopjet ndodhen në Bibliotekën Kombëtare dhe së shpejti dëshiron të rikthehet për publikun me një koncert recital. Ergys Mita e ka nisur shumë vonë rrugën drejt kantos, por tanimë ai është tenor prej 23 vjetësh. “Ajo u nis dhe po vazhdon dhe nuk jam penduar për drejtimin që mora, pavarësisht se ky profesion ka vështirësitë e veta. Jam i kënaqur që kam zbuluar diçka të bukur, them, ta zbulosh deri në themel, jo ta eksplorosh thjesht si një pasion, por si profesionist.” Për Ergysin ishte fat që iu dha kjo mundësi, që të paktë në rrethanat e tij do të kishin shansin për ta arritur. Ai nuk rridhte nga një familje muzikantësh, as nuk qe sprovuar si i tillë deri në moshën 23-vjeçare, por me një përpjekje të pasigurt për t’i zbuluar botës talentin e tij të fshehur, Ergys Mita, arriti të bëhej tenor.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.